Së bashku për Shqipërinë: një vit i solidaritetit evropian drejt rindërtimit dhe investimeve
Sot shënohet njëvjetori i Konferencës Ndërkombëtare të Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, organizuar në Bruksel nga Komisioni Evropian për të mbështetur Shqipërinë pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit 2019.
Nga premtimi rekord prej 1.15 miliardë euro, Komisioni Evropian, Shtetet Anëtare të BE-së dhe Banka Evropiane e Investimeve sollën 400 milionë euro për rimëkëmbjen e Shqipërisë, duke përfshirë 115 milionë euro në grante të drejtpërdrejta nga Komisioni Evropian.
Me rastin e përvjetorit, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca deklaroi: “Që nga dita e parë, Bashkimi Evropian ka treguar solidaritet të pashembullt me Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Ne premtuam të ndihmojmë dhe tani po e realizojmë duke investuar në sektorët e prekur rëndë të arsimit dhe kulturës. Asgjë nuk e mishëron qëndrueshmërinë dhe besimin tek e ardhmja më mirë sesa shkollat. Objektet e reja arsimore po ndërtohen me përfshirjen e komuniteteve lokale, duke ndjekur standardet më të larta evropiane. Ndërkohë, rigjallërimi i trashëgimisë kulturore do të sjellë përfitime për ekonominë vendore, do të diversifikojë turizmin dhe do të forcojë lidhjen midis Shqipërisë dhe historisë së saj evropiane. Përgjigja e Bashkimit Evropian dhe Shteteve Anëtare të tij gjatë gjithë vitit të kaluar ka treguar edhe një herë se BE-ja është donatori i parë dhe partneri më i besueshëm i Shqipërisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE”.
EU4 Schools
Në maj të vitit 2020, BE-ja nisi Programin “EU4ASchools” prej 75 milionë eurosh, zbatuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), për rehabilitimin dhe rindërtimin e 58 shkollave dhe kopshteve në 11 bashkitë e prekura nga tërmeti.
Në janar 2021, përfunduan punimet e riparimit në Shkollën e Mesme Profesionale “Hysen Çela” në Bashkinë e Durrësit. 1.370 nxënës dhe 51 mësues do të përfitojnë tashmë nga një shkollë e re moderne. Tashmë janë edhe 18 shkolla të tjera që po riparohen apo rindërtohen plotësisht në zonat e prekura. Deri në qershor 2021, do të përfundojnë edhe gjashtë objekte të tjera në bashkitë e Durrësit, Kamzës dhe Kurbinit.
20.000 fëmijë shkollash dhe kopshtesh, si dhe më shumë se 200.000 anëtarë të komunitetit, do të përfitojnë nga programi “EU4Schools”. Objektet e rikonstruktuara arsimore jo vetëm që do të jenë të qëndrueshme ndaj tërmeteve në të ardhmen, duke ndjekur parimet “Rindërto më mirë”, por do të plotësojnë gjithashtu standardet evropiane në lidhje me efikasitetin e energjisë, hapësirat e gjelbra, ujin dhe kanalizimet, objektet sportive dhe mbulimin me internet.
EU4 Culture
Programi “EU4Culture” prej 40 milionë eurosh filloi në shtator 2020. Zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit (UNOPS), programi përqendrohet te rindërtimi, rehabilitimi dhe rigjallërimi i siteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti. Ekipet teknike kanë inspektuar 43 ndërtesa dhe site të dëmtuara nga tërmeti, si dhe kanë identifikuar sitet ku do të nisin ndërhyrjet e para nga muaji mars: Muzeu Etnografik në Kavajë, Kisha e Shën Mërisë në Rubik dhe Kisha e Shën Ndojit në Kepin e Rodonit. Nga muaji prill i këtij viti punimet do të nisin edhe në nëntë site të tjera që kanë nevojë për ndërhyrje të rëndësishme strukturore, përfshirë Teatrin Kombëtar të Kukullave dhe Muzeun Kombëtar të Historisë.
Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian gjithashtu bënë premtime të rëndësishme në Konferencën e Donatorëve, për një total prej 184 milionë euro. Mbështetja dypalëshe e Shteteve Anëtare të BE-së është përqendruar në rindërtimin e shkollave, banesave private dhe ndërtesave të tjera të prekura nga tërmeti, krijimin e mbrojtjes civile në Shqipëri, mbështetjen për sektorët e prekur të ekonomisë dhe forcimin e përfshirjes sociale.