SHBA-Rusi, dakord për armëpushim në Siri duke filluar nga e shtuna
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord mbi një plan për armëpushim në Siri duke filluar nga e shtuna.
Në një deklaratë të përbashkët, SHBA dhe Rusia propozojnë që armëpushimi të fillojë më 27 shkurt. Sipas propozimit, armëpushimi vlen për të gjitha palët në konflikt, me përjashtim të Shtetit Islamik dhe Frontit Nusra të lidhur me al-Kaidën.
Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Barack Obama dhe Presidenti rus Vladimir Putin folën në telefon të hënën për të diskutuar mbi marrëveshjen.
Po të hënën, Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër një seri shpërthimesh vdekjeprurëse në Siri, për të cilat ISIS-i ka marrë përgjegjësinë. Rusia tha nga ana e saj se sulmet kishin për qëllim të minonin përpjekjet e paqes.
Në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit sulmet quheshin “barbare” dhe aty u bëhej thirrje “të gjitha palëve në konflikt, sidomos regjimit sirian dhe forcave që e përkrahin atë, të mbështesin një ndërprerje të luftimeve. Kjo, thuhej në deklaratë, mund të fillonte ta ulte intensitetin e luftës civile, e cila vazhdon të ushqejë ISIS-in dhe grupe të tjera terroriste. ”
Shpërthime të shumta në Damask vranë të paktën 83 vetë të dielën, ndërsa nga një bombë në Homs humbën jetën 59 persona të tjerë. ISIS-i mori përgjegjësinë për sulmet.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha në një deklaratë se sulmet terroriste duhet të marrin reagimin e duhur nga bashkësia ndërkombëtare.
Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar përpjekjet për të bindur anët e kundërta të konfliktit sirian që të pranojnë një propozim të ri për armëpushim.
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha të dielën se me Rusinë ishte arritur një “marrëveshje e përkohshme” që mund të fillonte brenda pak ditësh. Ai foli me telefon me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov, ministria e të cilit tha se të dy fuqitë kishin rënë dakord mbi pikat kryesore të armëpushimit. Asnjëri prej diplomatëve nuk i bëri të ditura hollësitë e planit.