Bota

SHBA: Zgjedhje paraprake në pesë shtete

Amerikanët në pesë shtete – Connecticut, Delaware, Maryland, Pennsylvania dhe Rhode Island – po votojnë sot në zgjedhjet paraprake. Megjithëse nuk janë domosdoshmërisht vendimtare, këto votime mund t’i ndihmojnë kandidatët kryesorë që të konsolidojnë pozitat e tyre, ose të sinjalizojnë një zhvendosje në garë. Kandidatit republikan Donald Trump i duhet një fitore e sigurt që t’i afrohet numrit të nevojshëm prej 1, 237 delegatësh për të siguruar kandidimin e partisë. Dy rivalët e tij, senatori nga Teksasi Ted Cruz dhe guvernatori i Ohios John Kasich kanë bashkuar forcat në përpjekje për të mos ta lejuar atë të arrijë këtë synim.

Dje kandidatët Cruz dhe Kasich njoftuan për një marrëveshje: zoti Kasich nuk do të bëjë fushatë në zgjedhjet paraprake të Indianës më 3 maj dhe zoti Cruz ra dakord të mos bëjë fushatë në Oregon dhe New Mexico. Ky njoftim, e zemëroi zotin Trump të cilit i duhet të fitojë mbi gjysmën e gjithë delegatëve të mbetur, para se zgjedhjet paraprake të mbyllen në qershor.

Ai tha gjithashtu se kjo marrëveshje do të ishte e paligjshme në botën e biznesit. Guvernatori Kasich mbajti një qëndrim sfidues në një ndalesë fushate në Philadelphia:

“Ky lajm i habiti të gjithë. Është zbavitëse në fakt. Askush nuk e di se cili është hapi ynë i ardhshëm”.

Senatori Cruz e mbrojti aleancën në një takim në Indiana:

“Mendoj se ky vendim, kjo shpërndarje burimesh, është e arsyeshme dhe synimi i tij është që të fitojmë ndaj Hillary Clintonit në nëntor dhe ta ndryshojmë drejtimin e vendit”.

Zoti Trump këmbënguli se ai mund të fitojë ndaj kandidates kryesore demokrate në zgjedhjet presidenciale:

“Unë do ta mund Hillary-në, Hillary-në mashtruese. Do të jetë një fitore dërrmuese. Dhe gënjeshtari Ted Cruz nuk mund ta mundë atë”.

Zonja Clinton, foli hapur në një referencë që qartë për zotin Trump. Ajo u tha përkrahësve të saj në Delaware se ai që do të bëhet President i Shteteve të Bashkuara duhet të njohë amerikanë nga të gjitha fushat e jetës

“Nuk mundesh thjesht të vish me një avion të madh, të mbash një fjalim, t’i ofendosh të gjithë, dhe pastaj të marrësh prapë avionin e të kthehesh në klubin tënd në Florida, apo në shtëpinë luksoze në Nju Jork”.

Aktualisht, zonja Clinton ka një epërsi të ndjeshme ndaj rivalin Bernie Sanders në garën për delegatë për kuvendin demokratik. Por senatori nga Vermonti, po kryen një fushatë të suksesshme me mesazhine tij kundër pabarazisë:

“Ne amerikanët, punojmë më shumë orë në vit, sesa gjithkush tjetër në botën e industrializuar e megjithatë, me gjithë atë punë, 58 për qind e të ardhurave i shkon 1 përqindshit më të pasur”.

Pas 7 qershorit, tabloja do të jetë më e qartë, kur të kenë mbaruar zgjedhjet paraprake në gjashtë shtetet e fundit, përfshirë Kaliforninë, shtetin me popullsinë më të madhe.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button