Kosova

Shërbimet bankare, tkurrin xhepin e qytetarit

bbbbBankat komerciale në Kosovë, po gjejnë mënyra të ndryshme për përfitime. Përderisa, disa banka ka kohë që kanë shtrenjtuar tarifat për shërbime për klientët e tyre, disa nga to ditëve të fundit kanë marrë një vendim të tillë. Për të tërhequr mjete apo marrë pagën në sportelet brenda bankave duhet të paguash 1.50 euro, për të paguar ndonjë faturë të nevojshme. Tarifat fillojnë nga dy euro deri në pesë euro në disa banka, nëse nuk je klient i atij institucioni.

Por, edhe për të marrë gjendjen e llogarisë rrjedhëse është obligim të paguhet 2.50 euro. Qytetarë dhe ekspertë për çështje financiare, thonë se këto tarifa janë shumë të shtrenjta dhe po ndikojnë në buxhetin e tyre familjar. Ganiu punon në institucionet publike shëndetësore. Ai thotë se është i detyruar të marrë pagën në bankomat, për shkak se për këtë shërbim paguan 0.10 cent. “Janë shumë të shtrenjta, kjo nuk është në rregull. Pavarësisht shumës, unë nganjëherë tërheq mjete në bankomat, e herë në sportele. Ose…për ndonjë transfer prej bankës ku unë jam klient në ndonjë bankë tjetër, kam paguar 1.5 euro. Këtë duhet përballuar, pasi nuk kemi çka te bëjmë”, tha Ganiu.

Edhe ekonomisti Blerim Avdiu, konsideron se këto shërbime janë shumë të larta. Ai ndërkaq thotë se bankat në një mënyrë po “plaçkisin klientët e tyre”. Blerimi pohon se bankat duhet të rrisin numrin e punëtorëve në sportele, pasi jo të gjithë qytetarët janë të informuar për përdorimin e shërbimeve elektronike. “Për një faturë në vlerë prej 10 eurosh, unë kam paguar 1.50 Euro. Kjo është katastrofë. Për të mos u krijuar radhë të gjata në banka, këto institucione që fitojnë më së shumti në Kosovë duhet të rrisin numrin e punëtorëve. E jo punëtorët të zëvendësohen me aparate elektronike”, shprehet Avdiu. Tarifat për shërbime në bankat komerciale në Kosovë janë më të lartat në rajon, edhe pse në shtetet e rajonit, pothuajse bankat janë të njëjta, thonë ekspertë për çështje financiare.

Milazim Abazi, pohon se të gjitha shërbimet bankare gjatë këtij viti janë shtrenjtuar 50 deri 100 për qind. “Ky është një fitim i pamerituar i bankave dhe është si pasojë e konkurrencës së pamjaftueshme në tregun e qarkullimit të pagesave në Kosovë. Banka Qendrore e Republikës se Kosovës duhet të licencojë përveç bankave edhe agjenci të tjera për qarkullim të pagesave, në mënyrë që qytetari i Kosovës të këtë mundësi të përzgjedhë aty ku ka shërbime më të lira, më të shpejta dhe më dinjitoze”. Duke marrë parasysh se qytetarët e Kosovës, kanë si një lloj trashëgimie që çdo pagesë të realizojnë në dorë me para të gatshme, bankat komerciale duhet që të ulin çmimet për të gjitha transaksionet në mënyrë që të rrisin numrin e klientëve, thotë Abazi, duke shtuar se në këtë mënyrë ata vetëm sa po largojnë klientët e tyre.

“Bankat komerciale po veprojnë në drejtimin e kundërt me synimin që kanë kosovarët, ngase kosovarët kanë një “sëmundje” të trashëguar për pagesë me para të gatshme në dorë, pa pjesëmarrjen e bankave”.

“Bankat me qëllim që çdo transaksion të realizohet në bankë, duhet të ulin sa më shumë koston e çdo shërbimi. Komisionet bankare duhet të shkojnë drejt uljes në mënyrë që kosovarët sa më shumë t’u besojnë shërbimeve dhe pagesave në banka”, thotë ai. E shtrenjtimi i këtyre tarifave, sipas zyrtarëve të bankave, është bërë për të inkurajuar klientët që të ulin përdorimin e parasë së gatshme dhe të shfrytëzojnë kanalet tjera alternative që janë falas për klientët.

Zyrtarë të disa bankave, më herët për Radion Evropa e Lirë kanë thënë se këto shërbime mund të realizohen përmes postës elektronike, mënyrë kjo që zvogëlon edhe radhët e gjata në banka. Vetëm gjatë vitit të kaluar, 10 bankat komerciale në Kosovë, kanë regjistruar profit neto në vlerë prej 60.1 milionë euro, duke u vlerësuar në këtë mënyrë sektori më fitimprurës në Kosovë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button