Bota

“Shkarkimi i Donald Trump është i pashmangshëm”

Nga  Robert Kuttner

Trump është duke u përpjekur të qeverisë duke u bazuar mbi impulsivitetin, tekat, hakmarrjet personale, llogaritë private, dekretet- si të ishte zgjedhur diktator. Kjo nuk po funksionon dhe situata po i rrëshqet nga duart. Vetëm pas një jave!

Shkarkimi nga detyra po fiton terren, sepse është e vetmja mënyrë për ta larguar dhe pse një luzmë nga radhët e republikanëve janë duke e lënë vetëm këtë president; sepse ai është psikiatrikisht i paaftë për të verifikuar nëse diçka është e ligjshme apo e paligjshme përpara se të vendosë ta bëjë atë.

Shkarkimi po fiton terren, sepse është e qartë që Trump nuk është i përshtatshëm për këtë dëtyrë. Të rriturit që e rrethojnë, madje edhe më servilët dhe të përkushtuarit, e kalojnë kohën duke u përpjekur ta mbajnë nën kontroll, por nuk mund t’ia dalin.

Gjysmën tjetër të kohës e shpenzojnë për t’iu përgjigjur telefonatave nervoze të udhëheqësve republikanë, elitës së biznesit dhe udhëheqësve të huaj. Çfarë bëri Trump? I gjori Reince Priebus (shefi i kabinetit të Trump) ka arritur më në fund majën e pushtetit, por nuk sheh asgjë argëtuese.

Një gjë është të jetosh në realitetin tënd kur je vetëm një kandidat dhe gjithçka është vetëm fjalë. Mund të tallesh me njerëzit për një kohë të mjaftueshme madje derisa të të zgjedhin. Por kur përpiqesh të qeverisësh në të njëjtën mënyrë, pas këtij realiteti qëndrojnë faktet. Dhe realiteti të refuzon.

Njëri pas tjetrit, Trump ka lëshuar urdhëra impulsivë, që s’kanë kaluar në analizën e një stafi ligjor, strategjik apo politik, as të mbështetur në planifikime serioze. Në shumë pak kohë, një përzjerje presionesh politike dhe ligjore do ta detyrojnë të bëjë një hap pas, bashkë me realitetin.

Ndryshe nga diktaturat e ndryshme që Trump aq shumë i admiron, rrëmuja e ndërlikuar e kontrolleve ligjore dhe kushtetuese e tiranisë politike në Shtetet e Bashkuara ende reziston- nganjëherë mezi arrin, por reziston. Dhe sa më shumë që qëndrimi i Trump do të jetë i pamatur, aq më shumë do të bëhen të rreptë kontrollet.

Vetëm nga përpjekja e tij e çmendur për të dëbuar refugjatët në mënyrë selektive (por jo nga djepi i terrorizmit si Arabia Saudite dhe Egjipti, ku Trump ka interesat e biznesit) Trump ka zbuluar se sistemi amerikan është i pajisur me gjykata. Gjykata. Mendoni pakëz.

Sa më shumë çmendet, aq më pak gjykatësit konservatorë do të jenë të gatshëm për të vepruar si shërbëtorë të politikave të zakonshme republikane, siç kanë bërë shumë shpesh në të kaluarën. A ka ndokush dëshirë të vendosë bast që Gjykata Supreme do të jetë prostitutë e Trump?

Javën e kaluar, republikanët, që nga Mirch Mçonnell nxituan të shprehin mospajtimin e tyre me perspektivën Trump për Putinin. Ata ironizuan pretendimin e tij delirant për një mashtrim të madh elektoral.

Duhet të kuptojnë si ta rrëzojnë ObamaCare pa vrarë pacientët apo shpresat e republikanëve për t’u rizgjedhur. Është një situatë me të vërtetë e komplikuar dhe hollësitë nuk janë pika e fortë e Trump. Republikani Tom Mçlintock nga California foli në emër të shumë njerëzve, duke paralajmëruar:

“Do të ishte më mirë të pregatiteshim për të jetuar me tregun që kemi krijuar”, tha ai duke folur për shfuqizimin e planit të Obamës për shëndetësinë.

“Do të quhet TrumpCare. Republikanët do të duhet të japin llogari dhe do të gjykohemi në zgjedhjet e ardhshme në më pak se dy vjet”.

Senatori Lindsey Graham, duke ironizuar përdorimin histerik që Trump i bën Twitter-it, ka bërë një postim mbi një luftë të mundshme tregtare me Meksikën “mucho sad” (shumë të trishtë).

Edhe stafi i lartë i Trump u detyrua ta frenojnë atë nga kryqëzata qesharake kundër Meksikës dhe meksikanëve. Kryqëzatë në të cilën Trump një ditë detyroi presidentin meksikan të anullonte vizitën zyrtare dhe të nesërmen kaloi një orë në telefon me dredhira.

Trump ka propozuar rikthimin e torturës, por udhëheqësit kryesorë republikanë e hodhën poshtë këtë ide. Të mërkurën, Senatori John Thune, tha se heqja e torturës është një praktikë e vendosur dhe se republikanët në Kongres do të kundërshtojnë çdo përpjekje për ta rikthyer. Sekretari i Mbrojtjes është i të njëjtit mendim. Pasi e tundi fort politikën e tij të re të torturës, Trump pranoi kokëulur t’ua paraqesë çështjen këshilltarëve të tij të mbrojtjes.

Të gjitha këto kanë ndodhur në një javë të vetme! Një javë e mbyllur me gjyqtarët federalë që po nisin t’i vënë frena.

Dy javë më parë, në këtë hapësirë, duke u bazuar vetëm në atë që kemi parë gjatë tranzicionit, kam shkruar një pjesë, në të cilën, theksoja shkarkimin e kërkuar prej tij nga ana e qytetarëve, hartimin e një dosje për shkarkimin e Trump dhe nisjen e një fushate qytetare për të krijuar një lëvizje publike në favor të shkarkimit nga detyra.

Në dy javë, “Free Speech for People” ka nisur një fushatë publike për ta vënë Trump nën akuzë. Rreth 400 mijë persona e kanë nënshkruar peticionin.

Grupi bipartizan “Qytetarët për Përgjegjësi dhe Etikë në Uashington” ka kryer një hetim të plotë. Juristët e tij kanë paraqitur një kërkesë të detajuar në padinë e tyre, duke ilustruar shkeljet e ndryshme të Trump në “Emoluments Clause”, klauzolë që e ndalon një president të përfitojë nga veprimet e qeverive të huaja.

Ka shumë më tepër për të justifikuar shkarkimin, duke përfshirë faktin se Trump është duke vënë interesat e veta të biznesit përpara atyre të vendit, përveç aleancës së tij misterioze oportuniste me Vladimir Putin, që është gati tradhëti. Një ligj më pak i njohur, që shkon përtej “Emoluements Clause”, “STOCK Akt” i vitit 2012, në mënyrë eksplicite ndalon presidentin dhe funksionarë të tjerë që të përfitojnë nga informacionet jozyrtare.

Shkarkimi, sigurisht, është një proces ligjor dhe politik. Etërit themelues e kanë projektuar në këtë mënyrë qëllimisht. Pas vetëm një jave në zyrë, Trump ka braktisur Kushtetutën, por edhe mbështetësit dhe aleatët e tij po e braktisin atë.

Pavarësisht veprimeve të tij të çuditshme e shqetësuese, republikanët kanë menduar se mund të shfrytëzojnë Trump për qëllimet e tyre. Por mbështetja për Putinin me shpresën për një luftë të përgjithshme tregtare, e bën të qartë faktin se nuk jemi përballë një republikani. Ne vetëm mund të imagjinojmë shqetësimin dhe tmerrin që republikanët shprehin në mënyrë private.

Në vitin 1984, psikiatri Otto Kernberg ka përshkruar një sëmundje e njohur si narcisizëm malinj. Ndryshe nga narcisizmi i zakonshëm, kjo është një sëmundje serioze.

Ajo karakterizohet nga mungesa e vetëdijes, nga një ndjekje patologjike e pushtetit dhe madhështisë dhe një prirje mizorie sadiste.

Duke pasur parasysh rrezikun e qartë që i kanoset Republikës, por edhe republikanëve, procedura e shkarkimit të Trump do të jetë aty. Pyetja e vetme është se sa e rëndë do të jetë katastrofa që Amerika do të duhet të përballojë më parë.

/Huffington Post – Robert Kuttner, Bashkëthemelues dhe bashkëredaktor i “The American Prospect” – Titulli i origjinalit: Shkarkimi i pashmangshëm i Donald Trump

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button