Ekonomia

Shqipëria, 649.5 milionë euro deri në vitin 2020

Vendi ynë, më pak fonde se Serbia e Maqedonia, BE: Pengesë, mungesa e burimeve njerëzore

Nga Zamir Alushi

Stefan FuleShqipëria do të marrë nga Komisioni Europian mbështetjen financiare prej 649.5 milionë eurosh për kryerjen e reformave dhe investimeve të nevojshme për anëtarësimin në BE. Brukseli nuk ka dhënë shumë para këtë radhë për infrastrukturën dhe energjetikën, por është fokusuar në asistencën për kryerjen e reformave. Madje theksohet se Shqipëria ka burime të kufizuara njerëzore për projektet si dhe tërhiqet vëmendja për mbylljen e projekteve që kanë nisur vite më parë. Komisioni Europian dha dje detajet e ndihmës për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë për periudhën 2014-2020 në kuadër të strategjisë së zgjerimit të BE-së. Financimi shkon në 11 miliardë euro dhe do të realizohet nëpërmjet instrumentit të ri IPA 2. Në vitin 2014, Shqipëria do të marrë 83.7 milionë euro, në vitin 2015. 86.9 milionë euro, në vitin 2016, vendi ynë do të financohet me 89.7 milionë euro, në vitin 2017, 92.9 milionë euro, ndërsa nga viti 2018 deri më 2020, vendi ynë do të marrë 296.3 milionë euro. “Kjo ndihmë është një lajm shumë i mirë për rajonin dhe zgjerimin. Kjo do të ndihmojë të mbështesë ato vende me një perspektivë europiane për zbatimin e reformave që do të ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët, t’i ndihmojë ata të ecin përpara në rrugën e tyre për në BE dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes fqinjëve”, tha Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule. Bie në sy fakti se Maqedonia deri në vitin 2020 do të marrë një shumë prej 664.2 milionë eurosh, ndërsa Serbia, gjatë kësaj periudhe, do të marrë 1,508.0 euro. Pra, fqinjët tanë marrin tepër para nga BE-ja.

Si shpërndahen fondet

Demokracia dhe qeverisja merr pjesën e luanit në financimet e IPA2. Ky sektor mbulon institucionet demokratike dhe menaxhimin e përgjithshëm të sektorit publik, duke përfshirë reformën e Administratës Publike, menaxhimin financiar publik, duke përfshirë mbledhjen e taksave dhe administratën tatimore, përgatitjen e buxhetit, realizimin e buxhetit, prokurimin publik, kontabilitetin dhe raportimin, menaxhimin e borxhit, kontrollin e brendshëm financiar publik dhe auditimin e jashtëm. Në këtë kuadër përmendet edhe zhvillimi i shoqërisë civile, si pjesë e këtij kapitulli. Organizatat e shoqërisë civile dhe mediat, sipas Brukselit, nuk janë duke e mbështetur sa duhet kulturën politike që të mundësohet pjesëmarrja e qytetarëve në proceset demokratike për të bërë vendimmarrje në mënyrë të informuar.

Risku i parashikuar nga Brukseli për ecurinë e këtyre projekteve dhe arritjen e objektivave janë: situata makroekonomike, që mund të kufizojë mundësitë për reformë; politizimi i shoqërisë civile dhe medias, që ul rolin e tyre potencial për forcimin e kulturës së demokracisë; vonesat për shkak të burimeve të kufizuara financiare dhe njerëzore në dispozicion. Për këtë shkak, Brukseli rekomandon që qeveria të përqendrohet në investime të përballueshme dhe të sigurohet se ato ekzistuese janë kryer dhe mirëmbajtur në mënyrën e duhur. Kur flitet për projektet e transportit, Brukseli nënvizon se, “ekziston nevoja për një përkufizim të prioriteteve të qarta kombëtare për investime. Këto duhet të përfshijnë një numër relativisht të vogël të menaxhueshëm të projekteve, në mënyrë që të arrihet të përfundohen në kohë e jo shpërndarja në një numër të madh investimesh të pambaruara”.

Ndarja e fondeve IPA II

  1. Reformat e përgatitjes për anëtarësim në BE 320,5 milionë euro

Demokracia dhe qeverisja 223.5

Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore 97.0

  1. Socio-ekonomik dhe rajonal zhvillimi 168,0

Mjedisi 68.0

Transporti 56.0

Energjia 0.0

Konkurrueshmëria dhe inovacioni 44.0

  1. Punësimi, politika sociale, arsimi, promovimi

i barazisë gjinore, si dhe zhvillimi i burimeve njerëzore 69.0

  1. Bujqësia dhe zhvillimi rural 92.0

TOTALI 649,4

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button