Shqipërisë nuk i mungojnë pasuritë – i mungon qeverisja

Detyra e një qeverie është të mbrojë jetën, pronën dhe lirinë e qytetarit; të garantojë drejtësi, arsim, shëndetësi, ujë të pijshëm, ushqim të sigurt, rrugë dhe kushtet për një ekonomi që prodhon.
Pas 35 vjetësh duhet të pyesim: a i ka përmbushur shteti shqiptar këto detyra?
Shqipëria është një vend me pasuri të mëdha natyrore: ujë, tokë, minerale, naftë, energji, bukuri natyrore dhe një pozitë të favorshme gjeografike.
Pas ndryshimit të sistemit në vitin 1992, vendi hyri në atë që do të quhej tranzicioni: kalimi paqësor nga sistemi komunist në atë demokratik. Por koha tregoi se, në shumë drejtime, ky tranzicion nuk ndërtoi dot as një demokraci funksionale, as një shtet që i shërben qytetarit.
Gjatë këtyre viteve Shqipëria nuk ka jetuar vetëm me pasuritë që kishte. Qeveritë janë mbështetur edhe nga ndihmat e Bashkimit Evropian dhe të institucioneve ndërkombëtare. Vetëm në vitin 2024, emigrantët shqiptarë dërguan rreth 1 miliard euro, ndërsa turizmi solli rreth 5 miliardë euro të ardhura.
Përveç taksave, ndihmave, remitancave dhe të ardhurave nga turizmi, qeveritë kanë marrë edhe borxh. Në fund të vitit 2025, borxhi i qeverisë qendrore arriti rreth 14,5 miliardë euro, afërsisht 6.000 euro për çdo banor që jeton në Shqipëri.
Borxhi nuk është gjithmonë i keq. Një shtet mund të marrë borxh për të ndërtuar ujësjellës, spitale, shkolla, hekurudha, burime energjie dhe një ekonomi prodhuese. Por kur borxhi mbetet për t’u shlyer, ndërsa qytetari vazhdon të mos ketë shërbimet bazë, pyetja është e thjeshtë:
Ku janë rezultatet e gjithë këtyre pasurive, taksave, ndihmave, të ardhurave dhe huave?
Një vend që eksporton njerëzit e vet
Sipas Censusit të vitit 2023, brenda Shqipërisë jetojnë rreth 2,4 milionë banorë. Ndërkohë, një pjesë shumë e madhe e shtetasve dhe njerëzve me origjinë shqiptare jetojnë jashtë vendit.
Kjo është një humbje e rëndë kombëtare. Shqipëria nuk ka humbur vetëm banorë. Ka humbur të rinj, punëtorë, mjekë, infermierë, inxhinierë, teknikë, njerëz të arsimuar dhe fëmijët e tyre; njerëz që familjet dhe shteti i rritën e i shkolluan për të qenë vazhdimësia e jetës së këtij vendi.
Shqipëria ka eksportuar punën, dijen dhe rininë e saj.
Pas 35 vjetësh tranzicion, 40,5% e popullsisë rrezikon varfërinë ose përjashtimin shoqëror. Rreth 19,2% jeton me të ardhura nën kufirin e rrezikut për varfëri. Por varfëria nuk është vetëm një shifër të ardhurash. Ajo është pamundësia për të paguar faturat, për të ngrohur shtëpinë, për të përballuar një shpenzim të papritur, për t’u ushqyer rregullisht, për të blerë rroba e këpucë kur duhen, për të pasur internet apo për të bërë qoftë edhe një javë pushim në vit.
Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për sa para merr një familje, por për mënyrën se si arrin të jetojë me ato para. Shumë familje nuk kanë kursime dhe mjafton një sëmundje, humbja e punës ose një shpenzim i papritur që të futen në borxh.
Qeveria trumbeton bumin turistik, i cili solli rreth 5 miliardë euro në vitin 2024. Por shumica e qytetarëve nuk e pa këtë bum në jetën e vet. Përfituan drejtpërdrejt pronarët e hoteleve, apartamenteve, tokave, restoranteve dhe bizneseve turistike. Për pjesën tjetër të ekonomisë, përfitimi ishte shumë më i kufizuar.
Miliona turistë shtuan edhe kërkesën për ushqime. Por fshati dhe prodhimi vendas nuk qenë në gjendje ta përballonin këtë kërkesë. Një pjesë e mirë e saj u mbulua me mallra të importuara.
Në vitin 2019, Shqipëria kishte rreth 6,4 milionë hyrje të shtetasve të huaj dhe importonte rreth 667 milionë euro ushqime. Në vitin 2025, hyrjet e të huajve arritën rreth 12,5 milionë, ndërsa importi ushqimor u ngjit në rreth 1,22 miliardë euro.
Pra, ndërsa hyrjet e të huajve pothuajse u dyfishuan, Shqipëria shpenzoi rreth 555 milionë euro më shumë në vit për ushqime të importuara. Nuk mund t’ia faturojmë të gjithë këtë rritje vetëm turizmit. Por dyfishimi paralel i turistëve dhe rritja e importeve tregon diçka të qartë: ekonomia shqiptare nuk ishte e përgatitur ta kthente kërkesën turistike në më shumë bujqësi dhe prodhim vendas.
Nga ana tjetër, qytetari shqiptar u përball me qira, banesa, ushqime dhe shërbime më të shtrenjta. Turizmi e rriti ekonominë në statistika, por shteti nuk e ktheu sa duhet këtë rritje në paga, pensione, prodhim vendas, banesa të përballueshme, spitale dhe shkolla më të mira.
Shqipëria vazhdon të blejë shumë më tepër sesa shet. Në vitin 2025 importoi rreth 9,1 miliardë euro mallra dhe eksportoi vetëm rreth 3,5 miliardë euro. Deficiti tregtar arriti rreth 5,5 miliardë euro dhe eksportet mbuluan vetëm 39% të importeve.
Pas 35 vjetësh, ende nuk kemi ndërtuar një ekonomi të fortë prodhuese. Vazhdojmë të mbështetemi tek importet, turizmi, remitancat, ndërtimi dhe borxhi.
Një pjesë e pasurive minerale dhe natyrore del jashtë si lëndë e parë ose me pak përpunim, ndërsa nga vendi largohet edhe pasuria më e rëndësishme: njeriu në moshë pune.
Pra, humbasim dy herë: nxjerrim nga toka pasurinë dhe e çojmë jashtë, ndërsa largohet edhe njeriu që mund ta përpunonte atë këtu dhe ta kthente në industri, vende pune dhe mirëqenie.
Shërbime që qytetari i paguan disa herë
Në një vend me burime kaq të mëdha ujore, problemi i ujit ende nuk ka marrë një zgjidhje serioze. Shumë qytetarë nuk kanë furnizim të vazhdueshëm me ujë të pijshëm. Qytetari paguan faturën, por duhet të blejë edhe depozitë, filtër, pompë dhe ujë me bidona për të pirë.
Pra, të njëjtin shërbim e paguan disa herë.
Nuk kemi vetëm problem me ujin. Kemi edhe problem me ajrin. Në Tiranë, matjet zyrtare të vitit 2025 treguan në një nga stacionet një nivel mesatar të PM10 prej 57,66 µg/m³, ose 44% mbi normën shqiptare. Krahasuar me nivelin vjetor prej 15 µg/m³ që rekomandon Organizata Botërore e Shëndetësisë, kjo është pothuajse katër herë më e lartë. Vetëm në gjashtë muaj u regjistruan 33 ditë me ndotje mbi kufirin ditor, pothuajse sa maksimumi i lejuar për një vit të tërë.
Në tremujorin e dytë të vitit 2026, në Shqipëri kishte 1.092.726 mjete në qarkullim; 80,7% e tyre ishin autovetura dhe Qarku i Tiranës përqendronte 34,8% të të gjitha mjeteve të vendit. Trafiku i rënduar, makinat e vjetra, shkarkimet, pluhuri dhe ndërtimet e rëndojnë më tej ajrin e kryeqytetit.
Pasojat nuk janë vetëm bezdi. Në Tiranë, në vitin 2021, kishte 21.696 persona me astmë dhe 5.294 me sëmundje pulmonare obstruktive kronike. Në vitin 2024, në Bashkinë Tiranë u regjistruan 45 vdekje nga këto sëmundje dhe astma, si dhe 148 nga kanceri i mushkërisë. Instituti i Shëndetit Publik vlerësoi se një pjesë e këtyre vdekjeve mund t’i atribuoheshin ndotjes së ajrit.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, shteti nuk arrin as ta monitorojë ajrin si duhet. Sipas Komisionit Evropian, të shtatë stacionet automatike të kontrollit të ajrit në vend nuk funksiononin për shkak të mungesës së fondeve për mirëmbajtjen.
Ndërkohë, qytetet janë mbushur me pallate, por jo me rrugët, kanalizimet, parkingjet, shkollat, kopshtet dhe hapësirat e gjelbra që duhet t’i shoqërojnë. Ndërtimi i kullave vazhdon me ritme të larta në një vend ku popullsia po tkurret.
Kush do të jetojë në këto apartamente pa fund, kur popullsia po pakësohet dhe çmimet janë bërë të papërballueshme për shumicën e shqiptarëve? Për kë po ndërtohet? Për nevojat reale të qyteteve apo për para, burimi dhe qëllimi i të cilave shpesh mbeten të paqarta?
Zhvillimi nuk matet vetëm me beton.
Mjafton të ecësh në shumë rrugë të Shqipërisë për të parë gropat, papastërtinë, mungesën e ndriçimit dhe të trotuareve. Edhe kur trotuari ekziston, shpesh zihet nga automjetet, lokalet ose ndërtimet dhe këmbësori detyrohet të ecë mes makinave.
Mbetjet vazhdojnë të shihen në rrugë, kanale, lumenj dhe pranë zonave të banuara. Inceneratorët u paraqitën si zgjidhje, por qytetari ende nuk sheh një sistem të pastër dhe funksional të menaxhimit të mbetjeve.
Edhe ushqimi është pjesë e sigurisë së qytetarit. Qytetari nuk mund të kontrollojë vetë si është prodhuar, transportuar apo ruajtur ushqimi, nëse etiketa tregon të vërtetën dhe nëse produkti përmbush standardet. Për këtë kontroll paguajmë shtetin.
Pa kontroll të fortë dhe raportim të hapur, qytetari nuk ka si ta dijë me siguri çfarë po blen. Ai di vetëm atë që sheh në tryezë dhe atë që paguan në arkë: cilësia shpesh lë për të dëshiruar, ndërsa çmimet janë të larta.
Në shëndetësi qytetari paguan taksa dhe sigurime, por paguan përsëri për ilaçe, analiza, vizita dhe trajtime. Një pjesë shumë e madhe e barrës së shëndetësisë vazhdon të bjerë drejtpërdrejt mbi familjen.
Për arsimin publik, në vitin 2024 u shpenzua rreth 2,6% e prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian ishte rreth 4,6%.
Ndërkohë, profesionistët janë larguar. Në shumë zanate mungon një sistem serioz formimi, certifikimi dhe kontrolli dhe shpesh njerëz pa përgatitjen e duhur ushtrojnë punë që kërkojnë profesionistë.
Shteti nuk mund të ankohet se mungojnë hidraulikët, marangozët, teknikët, mjekët apo inxhinierët, ndërsa nuk investon sa duhet për t’i arsimuar, kualifikuar, punësuar dhe mbajtur në vend.
Edhe kalimi i shërbimeve shtetërore në e-Albania nuk është zgjidhje për çdo qytetar. Digjitalizimi është i dobishëm për ata që kanë internet dhe dinë ta përdorin. Por pensionisti që nuk ka kompjuter ose njohuritë e nevojshme detyrohet të paguajë në kioskat që ofrojnë këtë shërbim.
Teknologjia duhet ta afrojë shtetin me qytetarin, jo ta lërë qytetarin vetëm përballë teknologjisë.
Prona, korrupsioni dhe faturat që paguan qytetari
Problemi i pronës është një nga dështimet më të rënda të tranzicionit shqiptar. Nga 2.633 kërkesa për kompensim, deri në fund të vitit 2025 ishin ekzekutuar vetëm 941, ose rreth 36%. Ndërkohë, rreth 6.755 dosje vazhdonin të prisnin shqyrtimin.
Ndërsa pronari pret që shteti dhe gjykatat t’ia njohin e t’ia kthejnë pronën sipas Kushtetutës dhe ligjit, prona e tij ndahet, legalizohet, regjistrohet, tjetërsohet ose bëhet objekt procesesh që zgjasin me vite.
Një shtet që nuk garanton pronën, nuk garanton as sigurinë e qytetarit.
Tenderat, koncesionet dhe vendimet e gabuara krijojnë fatura që nuk i paguan zyrtari që firmosi, por qytetari. Në fund të vitit 2025, detyrimet e pagueshme dhe ato të mundshme nga arbitrazhet ndërkombëtare dhe proceset kundër shtetit arrinin rreth 179,6 milionë euro.
Korrupsioni nuk është vetëm perceptim. Gjatë vitit 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit dha 24 vendime përfundimtare për korrupsion, me 106 persona të dënuar.
Zyrtarët duhet të hetohen dhe, kur provohet faji, të dënohen. Por numri i çështjeve tregon se korrupsioni nuk është një rast i veçuar këtu e një tjetër atje. Ai ka hyrë në mënyrën se si merren vendimet, si përdoren paratë publike dhe si funksionojnë institucionet.
Nuk mund të themi se gjatë 35 viteve nuk është bërë asgjë. Por është krijuar një shtresë e privilegjuar, është betonizuar një pjesë e madhe e natyrës dhe është dëmtuar baza e jetës: uji, ajri dhe toka që duhet të prodhojë ushqimin e popullsisë.
Është dëmtuar edhe morali i shoqërisë, sepse kur shpërblehen lidhjet, bindja dhe mediokriteti, aftësia humbet vlerën. Dhe kur aftësia nuk vlerësohet, njeriu i aftë kërkon një vend tjetër ku puna e tij ka kuptim.
Përgjegjësia nuk mund t’i lihet më së kaluarës
Kjo është vetëm një pjesë e problemeve që prekin përditë jetën e njerëzve. Por mjafton për të ngritur pyetjen: a po qeveriset Shqipëria në interes të qytetarit?
Me pasuritë, paratë dhe mundësitë që Shqipëria kishte dhe ka, vendi duhej të ishte shumë më përpara.
Dëmi nuk është vetëm paraja e vjedhur drejtpërdrejt. Dëmi janë edhe fabrikat që nuk u ndërtuan, bujqësia që nuk u modernizua, pronat që nuk u kthyen, shkollat dhe spitalet që nuk u përmirësuan, vendet e punës që nuk u krijuan dhe shqiptarët që e lidhën të ardhmen me një vend tjetër.
Për këtë kanë përgjegjësi të gjitha qeveritë e tranzicionit. Por qeveria aktuale, pas gati 13 vjetësh në pushtet, nuk mund t’ia kalojë më përgjegjësinë së kaluarës. Ajo ka pasur kohën, pushtetin, shumicën parlamentare, ndihmat, huatë dhe të ardhurat nga turizmi për të ndryshuar drejtimin e vendit.
Juridikisht, ajo ka të drejtë të qeverisë për sa kohë ka shumicën në Kuvend. Vota ia jep këtë të drejtë. Por vota nuk e kthen automatikisht dështimin në qeverisje të mirë. A mund të quhet e mirë një qeverisje që ka prodhuar këto rezultate?
Me punën dhe rezultatet që ka treguar, kjo qeveri e ka humbur të drejtën politike dhe morale të sillet sikur Shqipëria po qeveriset mirë.
Përgjegjësia nuk i takon vetëm qeverisë. Asnjë sistem i padrejtë nuk mbahet vetëm nga ata që vjedhin miliona. Ai mbahet edhe nga heshtja, firmat pa ndërgjegje, urdhrat e padrejtë dhe votat e shkëmbyera për një vend pune.
Rroga e punonjësit të administratës, policit dhe nëpunësit paguhet nga taksat e qytetarëve, jo nga xhepi i kryetarit të partisë. Besnikëria e tyre duhet të jetë ndaj ligjit, Kushtetutës dhe popullit.
Ne nuk kemi nevojë për dhunë dhe hakmarrje. Kemi nevojë për përgjegjësi, ndërgjegje, kurajë qytetare dhe ndryshim demokratik.
Qeveritë ikin. Partitë ndryshojnë. Shqipëria dhe pasojat e veprimeve tona mbeten.
Shqipërisë nuk i kanë munguar njerëzit, pasuritë dhe paratë. I kanë munguar njerëzit që ta qeverisin duke e dashur dhe duke e ruajtur këtë vend, jo duke e përdorur atë.
Kemi nevojë për ndryshim. Dhe kush kërkon ndryshim, duhet ta fillojë nga vetja.
Shpërndaje te miqtë



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.