“Shteti shkon pranë qytetarit” / Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha njofton ngritjen e Pranisë Diplomatike Virtuale
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka bwrw tw ditur ngritjen e Pranisë Diplomatike Virtuale, një platformë që do të ofrojë shërbime konsullore kudo dhe në çdo kohë.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ministri e cilësoi shërbimin konsullor për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit si një histori suksesi, të lidhur me transformimin teknologjik, por edhe me përmirësimin e cilësisë dhe shpejtësisë së shërbimit.
Sipas tij, gjatë periudhës 2017–2026 janë administruar 1 milion e 378 mijë shërbime konsullore.
Nga viti 2019 deri në qershor 2026 janë kryer 4 milion e 300 mijë legalizime, ndërsa që prej vitit 2021 janë regjistruar mbi 203 mijë aplikime e-Visa.
“Angazhimi ynë është ta përmirësojmë dhe mbi të gjitha të thjeshtojmë praktikat, duke e sjellë shërbimin sa më pranë qytetarit,” tha Hoxha.
Ai njoftoi se po punohet për realizimin e një Asistenti Virtual, i cili do të jetë i disponueshëm 24 orë, do të përgjigjet për çdo pyetje dhe do të orientojë qytetarët drejt shërbimeve.
Në çdo shërbim konsullor do të vendoset një QR Code për vlerësimin e shërbimit dhe ankesat e mundshme.
“Qytetari të mos jetë vetëm përfitues i shërbimit, por edhe vlerësues i tij. Me një fjalë, duam të dimë si po punojmë dhe si të përmirësojmë,” theksoi ministri.
Hoxha njoftoi se shumë shpejt do të krijohet Prania Diplomatike Virtuale – një pikë e vetme digjitale për informacion dhe shërbime konsullore, edhe në vendet ku Shqipëria nuk ka përfaqësim fizik.
“Me një fjalë, duam të kalojmë nga praktika kur qytetari shkon tek shteti, tek ajo ku shteti shkon dhe është gjithnjë pranë qytetarit,” përfundoi ai.
Ndërkaq, drejtoresha e Çështjeve Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Irida Laçi, informoi se aktualisht ofrohen online 32 shërbime, prej të cilave 22 nuk kërkojnë detyrimisht prani fizike. Aty ku natyra e shërbimit e lejon, dokumenti mund të dërgohet me postë.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.