Kosova

Shtyhen seancat speciale ndaj Azem Sylës

Dy seancat e veçanta hetuese të parapara të mbahen këtë javë janë shtyrë nga EULEX-i.

Lajmin për shtyrjen e seancave për KALLXO.com e konfirmoi avokati i Nuhi Ukës, Tahir Rrecaj.

“Jemi njoftuar se seancat e parapara të mbahen këtë javë në rastin e pronave janë shtyrë për shkak se ende nuk ka hyrë në fuqi ligji për mandatin e EULEX-it,” tha Rrecaj.

Seancat e mundësisë së veçantë hetuese ishin caktuar pas kërkesës së prokurorit të rastit Danilo Cecarrelli.

Në seancat e mundësisë së veçantë hetuese, një panel prej 3 hetuesish mund të marrin në pyetje dëshmitarë që mund të ndodhë të mos jenë të pranishëm në procesin e mundshëm gjyqësor dhe dëshmia e dhënë në këto seanca konsiderohet pastaj si e dhënë në seancat gjyqësore.

Nuhi Uka, Artan Vila, Hajrullah Berisha, Sabedin Haxhiu, Lubisha Vujoviq, Ilaz Syla dhe Avni Maxhuni ishin arrestuar më 27 prill të këtij viti pas një aksioni masiv të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, ndërsa Azem Syla ishte dorëzuar në polici dy ditë më pas.

52 persona po dyshohen nga prokuroria se kanë tjetërsuar prona shtetërore në mënyrë joligjore në regjionin e Llapnasellës, për çka të gjithë të dyshuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Seancat e mundësisë së veçantë hetuese ndaj Azem Sylës dhe të tjerëve nisën më 31 maj, ndërsa janë të mbyllura për publikun, për shkak se të dyshuarit ende vetëm po hetohen.

Më 15 qershor njëra nga këto seanca u shty për shkak se salla më e madhe e Pallatit të Drejtësisë nuk i zuri, të dyshuarit, avokatët dhe gardianët e të paraburgosurve.

Në atë seancë, para se të shtyhej për mungesë kushtesh u diskutuan mundësitë që në seancat e veçanta hetuese të mos marrin pjesë të gjithë të dyshuarit, ose që këto seanca të zhvillohen në sallën e Ministrisë së Drejtësisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button