Si lëshoi pe Kurti pa shumë zhurmë: Shtyhen zgjedhjet në veri, KQZ merr një vendim të ri, 23 prill 2023
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka treguar se është marrë vendim për shtyrje të zgjedhjeve në veri, deri në muajin prill. Me këtë rast, KQZ ka vendosur për pezullimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara që kishin të bëjnë me zgjedhjet e këtij muaji.
Gjithashtu KQZ është dakorduar për hartimin e një plani të ri operacional për organizimin e zgjedhjeve të cilat janë caktuar të mbahen më 23 prill 2023.
Këto informacione i dha për Gazetën Express zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. “Mund t’ua konfirmoj se pas vendimit të Presidentes së Republikës për shtyrjen e zgjedhjeve dhe caktimn e datës së re për mbajtjen e tyre, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për pezullimin e të gjitha aktiviteteve të planifikuara më herët për përgatitjen e zgjedhjeve të datës 18 dhe 25 dhjetor. Po ashtu, KQZ-ja u dakordua për hartimin e një plani të ri operacional për organizimin e zgjedhjeve të cilat janë caktuar të mbahen më 23 prill 2023”, tha Elezi.
Kryeministri Albin Kurti ishte ndër përfaqësuesit e partive politike që morën pjesë një takim që presidentja Vjosa Osmani e thirri për t’u konsultuar për zgjedhjet në veri. Deri të premtën Kurti insistoi se Kosova ka kapacitete për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Kurti të shtunën u pajtua që zgjedhjet të shtyhen. Me aprovimin edhe të tij, zgjedhjet në komunat veriore u vendos të shtyhen për në prill të vitit të ardhshëm.
“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, tha presidentja pas këtij takimi.
Të mërkurën, një ditë pasi Kurti kishte paralajmëruar për shtim të forcave të Policisë së Kosovës në veri, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryziu ka përsëritur se institucionet kanë treguar gatishmëri për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. “Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri”, ka shkruar ai.
Të premtën, vetëm një ditë para se të pajtohej për shtyrjen e zgjedhjeve në veri, Kurti tha para deputetëve në Kuvend se si veprimet e tyre parashihen me ligj dhe se ata kanë “obligime që dalin nga Kushtetuta”.
Ambasadorët e vendeve të QUINT’it, Kurti tha se s’mund t’i trajtojnë si ministra. “Vazhdimisht jemi në konsultë dhe bashkërendim me faktorët ndërkombëtarë. Por ju duhet të kuptoni se edhe ata presin që ne të jemi në nivel të detyrës në vendin tonë. Janë ambasadorët e QUINT-it, por ata s’bëhen ministra. Ministrat janë qytetarët e këtij vendi, aktualisht në qeverinë tonë. Qeveritë shkojnë e vijnë, por shteti mbetet. Ai është caku ynë dhe kuptimi ynë. Andaj bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarë nuk mund të bëhet në mënyrën që ne i trajtojmë ata si ministra dhe ne bëhemi zëvendës të tyre”.
Këta ambasadorë, një ditë më vonë, të shtunën, e mirëpritën vendimin për shtyrjen e zgjedhjeve në pjesën veriore të vendit.
“Ky vendim konstruktiv çon përpara përpjekjet për të promovuar një situatë më të sigurt në veri, që është kyçe për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si e vetmja mënyrë përpara për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë dhe Italisë. Ndërkohë që po mbahej takimi në Presidencë, në veri u lëshuan sirenat, pas së cilave nuk ishte e paparashikueshme ajo çfarë do të ndodhte. Si zakonisht, serbët i bllokuan rrugët kryesore që çojnë për në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Policia më pas doli me një njoftim se “si masë paraprake të sigurisë”, i kishin mbyllur “përkohësisht’ këto dy pika kufitare.
Në fund të ditës së shtunë, Kurti tha se “nuk duam konflikt” dhe se “agresorit do t’i përgjigjemi me gjithë fuqinë”. Ai i interpretoi shpërthimet në veri si reagim pasi Qeveria ua hoqi strukturave ilegale edhe pretekstin e zgjedhjeve.
“Tash që as targat e automjeteve dhe as datën e zgjedhjeve nuk mund t’i përdorin si pretekst, strukturat ilegale të Serbisë të shndërruara në banda kriminale u zbuluan në etjen e tyre për zjarr e gjak”, shkroi Kurti. Barrikadat në veri janë përforcuar gjatë natës me makineri të rënda. Ato, mbrëmë Kurti tha se “duhet të hiqen menjëherë”.