Ekonomia

Sigurimet, tregu në 2015-ën arriti në 14 mld lekë: U rrit me 21%

aaTë ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2015 kapën vlerën mbi 14,086 milionë lekë, ose 21.18% më shumë se në vitin 2014.

Gjatë vitit 2015, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 1,097,086 me një rritje prej 6.36% krahasuar me vitin 2014. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.62% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.29% dhe veprimtarinë e risigurimit me 0.09%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.77% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.23% të totalit të tregut. Gjatë vitit 2015, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 3,643 milionë lekë, ose 28.30% më shumë se në vitin 2014.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2015 arritën rreth 8,476 milionë lekë, ose 22.49% më shumë se në vitin 2014. Produkti MTPL e brendshme, në vitin 2015, pati një rritje prej 27.53% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me rritje të numrit të kontratave prej 8.84% krahasuar me vitin 2014. Produkti Sigurim Kufitar në vitin 2015 pati një ulje prej 12.77% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 24.18% krahasuar me vitin 2014. Produkti Karton Jeshil, në vitin 2015, pati një rritje me 18.14% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2014. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 18.93%.

Sigurimi Vullnetar

Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2015 arritën mbi 5,598 milionë lekë, 19.66% më shumë se në vitin 2014. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 7.69% krahasuar me vitin 2014. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë vitit 2015, patën rritje me 25.20% kundrejt vitit 2014. Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë vitit 2015 siguruan mbi 2,610 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 73.33%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 17.81% të totalit. Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë vitit 2015, vihet re një rritje prej 5.82% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 7.02% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me vitin 2014. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë vitit 2015, arritën në rreth 1,119 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 38.65% në krahasim me vitin 2014. Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2015, arritën rreth 1,026 milionë lekë, ose 0.04% më pak se në vitin e kaluar.

Dëmet e Paguara Bruto

Pagesat e dëmeve gjatë vitit 2015 u rritën me 28.30% krahasuar me vitin 2014. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 2,201 milionë lekë, apo 60.43% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button