Simbol i Politeknikumit “Harry Fultz” në 100 vite
Më 26 Maj të këtij viti organizohet në Institutin Harry Fultz ceremonia e vitit jubilar të 100 vjetorit të krijimit të kësaj shkolle elitare, e cila, në harkun kohor të këtyre 100 viteve ka ndërruar tre herë emrin…lindi si Shkolla Teknike Tiranë, vijoi pas 1946-ëa si Politeknikumi ‘7 Nëntori’ dhe që nga viti 1991 e aktualisht si Instituti Harry Fultz.
Është një koiçidencë e bukur, në një farë mënyre edhe domethënëse, përkimi i tre emrave të shkollës me tre korifejtë e saj, Harry Fultz, Gjergj Canco dhe qershia mbi tortë, Ali Progri. E veçoj Ali Progrin në fjalinë e mësipërme ngaqë Ky do të jetë personazhi i këtij shkrimi në prag të 26 majit, ditës së ceremonisë të 100 vjetorit të këtij gjigandi të arsimit profesional shqiptar.
Emrin e Ali Progrit e dëgjova për herë të parë në Qershor të ’72-shit. Ishin ditët e fundit të 8-vjeçares dhe secili prej nesh duhej të vendoste çdo bënte më tej, do vijonte të mesmen në gjimnaz apo në ndonjë shkollë profesionale. Unë nuk zgjodha vet, vendosa t’ia jepja këtë “përgjegjësi” mësuesit tim të matematikës, emërmadhit dhe të mirënjohurit në Q.Stalin e më gjërë, Bashkim Mullait.
– Për Radio Televizor, shko, në Politeknikumin “7 Nëntori”, te Ali Progri – m’u përgjigj Bashkimi.
– Ali Progri ?
– Po, Ali Progri është drejtor atje dhe është aq i madh saç është edhe vet Politeknikumi – më tha Bashkimi në përgjigje të habisë sime për njehsimin e gjithë atij Politeknikumi me një njeri të veçantë.
Si për të vërtetuar përcaktimin e Bashkim Mullait për Ali Progrin, rasti e solli që unë ta shihja me sytë e mi madhështinë e Tij sapo futa këmbët në Politeknikum, në momentin e regjistrimit në sekretari.
“- Nuk jeni në këtë shkollë” – më tha sekretarja pasi i thashë si quhesha.
– A është Politeknkikumi ky ? Po ky dokument, a është nga seksioni i Arsimit ? i thashë jo pa shqetësim sekretares duke i tundur para syve dokumentin në fjalë.
– Po, ky është Politeknkikumi, por ti nuk je në listën e nxënësve që do studiojnë në këtë shkollë – më tha sekretarja dhe vijoi me nxenësin tjetër në radhë pas meje.
Dola nga sekretaria i shqetësuar. Ato dhjetë sekonda që m’u deshën për të trokitur në zyrën e drejtorit, ngjitur ma atë të sekretares, mendja më shkoi te babai i shokut tim, funksionar i lartë në Berat :
“- Të ketë ndërhyrë edhe këtu, Ai ? Bën vaki që, siç tha sekretarja të thotë edhe drejtori ? Dhe e gjitha të ketë qenë një endërr e bukur ?”
Trokita në zyrën e drejtorit dhe hyra brenda saj pasi dëgjova një “Hyr!” të embël, engjëllore. Ose së paku kështu m’u duk mua kur pash ulur në tavolinë burrin më simpatik, njeriun që rrezatonte urtësi, mirësi, fisnikëri. Ishte Ali Progri, burri i madh që kishte lënë firmën e tij kudo ku kishte shkuar e shkelur.
“- Eja, si e ke punën, i shqetësuar më dukesh – më tha aq embël e me buzën në gaz i miri Ali, saqë mendimet e këqija të para pak çasteve u zhdukën nga koka ime.
Pasi i tregova situatën me sekretaren dhe i tregova dokumentin e Seksionit të Arsimit, Aliu shtyp një buton sinjalizues për sekretaren dhe më drejtohet mua :
– Ti je nxenës i kësaj shkolle, sekretarja është keqkuptuar. Ty të mbetet vetëm të mësosh shumë e ta harrosh këtë shqetësim të pa merituar.
Ndërkohë hyri në zyrë sekretarja që, kur më pa edhe mua aty, kuptoi gjithçka e një i kuq i lehtë i përshkoi fytyrën.
– Merre këtë dokument dhe regjistroje këtë djalë – i tha sekretares i miri Ali, duke i treguar me sy dokumentin e seksionit të arsimit Berat.
E falënderova të mirin Ali dhe dola edhe unë pas sekretares, e cila tashmë ishte një tjetër njeri, shembëlltyrë e nënpunësit korrekt e dashamir. Ndërkohë që, e thashë me vete apo edhe nxorra zë nuk e ndaj dot, por togfjalëshi ishte :
“Paske pasur të drejtë , mësues Bashkimi…Ali Progri qenka një mal i lartë.”
Aliu e kishte vitin e pestë si drejtor në Politeknikum në atë shtator të 72-shit kur unë pata kontaktin e parë me Të, por emrin e madh që gëzonte mes stafit pedagogjiko-administrativ, por edhe mes mijëra nxënësve gjatë këtyre viteve, Ai nuk e krijoi aty, Ai erdhi i madh, erdhi me histori nga pas.
Dhe historia e Ali Progrit fillon me genin e tij, në ADN-në e të cilit ishin skalitur patriotizmi dhe dashuria për atdheun, burrëria dhe karakteri i fortë, mirësia dhe fisnikëria. Aliu luftoi pēr çlirim dhe shkëlqeu pas tij, ndërkohë që i vëllai i tij, Demiri, nuk e ndoqi dot pas…mbeti në kohë për të mos u harruar kurrë, gjaku i tij vaditi lirinë e kësaj toke.
Profesor Aliu, studenti ekselent i Universitetit Politeknik të Kievit, me kthimin në atdhe në përfundim të studimeve në vitin 1953, spikat për dije e profesionalizëm të lartë dhe bëhet njëri prej themeluesve të Universitetit të Tiranës, për disa kohë edhe zv/dekan i Fakultetit të Inxhinjerisë. Por nuk përfundon kētu, duke parë vlerat dhe arritjet e tij, Ali Progri emërohet drejtor i Arsimit të Mesëm Profesiobal në Këshillin e Ministrave dhe më pas K/Inxhinjer i Uzinës Traktori, për të përfunduar në Shtator 1967 si drejtor në Politeknikumin “7 Nëntori”.
Kjo është shkurtimisht “pasaporta” identifikuese e Ali Progrit ose historia që i vinte nga pas. Ishte kjo pasaportë a histori që e bënte Ali Progrin Autoritet të padiskutueshëm, Institucion vlerash e virtytesh, pikë referimi për të përkryerën.
Gjithë sa them më sipër nuk i mësova ditën e parë të shkollës kur Aliu m’u shfaq si një engjëll i dërguar nga perëndia për të vënë drejtësinë në vend, por avash avash e nga dita në ditë po, mësova vet, aksiomatikisht e intuitivisht se i madhi Ali Progri ishte vet mesia në atë miniqytet me rreth 3.000 banorë në moshën më të bukur. Sigurisht që në ato vite nuk dija e nuk mësova genin e Aliut, nuk dija nga ç’familje vinte dhe ç’histori kishte, por ama, tani që i kam mësuar nuk habitem…një fisnik si Ali Progri sigurisht që do të lindte nga një familje fisnikësh.
Për Aliun profesionist, profesor e drejtues, “votojnë” mijëra e mijëra për t’i dhënë çmimin ‘Dituria’, ndërsa për Aliun ‘Njeri me zemër të madhe’ venë duart në zjarr ata që halli i ka çuar te Ai e te të cilët bëj pjesë edhe unë. Nuk mjafton “boja” e kompjuterit për të përshkruar besnikërisht të madhin Ali, sado të shkruash për Të përsëri shumë do mbeten pa u thënë, ndaj edhe unë po e mbyll këtë dedikim zemre e shpirti me diçka të fundit :
E drejta e studimit në Politeknikum m’u dha me gjysëm bursë, 820 lekë në muaj. Semestrin e parë bëra si bëra, në të dytin isha gati ta lija shkollën. Ishte drejtor Aliu Ai që mundësoi vijimin e shkollës pa pare nga ana ime duke më akorduar bursë të plotë. Mendoja se isha i vetmi fatlum që përfitoi nga shpirtmadhësia e të madhit Ali, por jo…vetëm pak ditë më parë një tjetër ish politeknikumas i ngrinte “lapidar” të madhit Ali, njeriut që i mundësoi përfundimin e shkollës e që pa të cilin nuk do të ndodhte kurrë.
Ali Progri u njehsua me Politeknikumin, Ai dhe Politeknikumi ishin rritur aq shumë saqë ziliqarëve po u vriteshin sytë nga madhështia e tyre, ndaj edhe vendosën ta ndanin përgjysëm, në Mekanike dhe Elektronike + Ekekrike, gjë që Aliut i dhembi shumë dhe kërkoi të largohej nga Politeknikumi.
Gjysmën e dytë të viteve ’80 e deri në ’91-shin Aliu kontribuoi si Profesor në Universitet, ku edhe doli në pension.
Ali Progri mbante titullin ” Mësues i Merituar”.
U nda nga jeta, për të mos vdekur kurrë, më 24 Mars të 2009-ës, në moshën 80 vjeçare.
Më 10 Prill të 2017-ës, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, i akordon titullin ‘Nderi i Kombit’ doc Ali Progrit me këtë motivacion :
“Një prej figurave më të shquara të kombit shqiptar, emblemë e arsimit dhe shkencës, mendimtar i vyer dhe veprimtar i shquar, vizionar dhe inovator, pionier i emancipimit të arsimit dhe përparimit shoqëror, kontribues i vyer në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe ekonomisë së vendit tonë.”
Në fjalën e tij, mes të tjerash, presidenti u shpreh :
“Jam i lumtur që në cilësinë e Kreut të Shtetit të organizoj këtë ceremoni solemne, të thjeshtë por shumë domethënëse në nderim të një prej figurave më të shquara të kombit shqiptar, të një embleme të arsimit dhe shkencës, të ndjerit Profesor Ali Progrit.
Në mënyrë të veçantë u dallua për veprimtarinë e tij të gjerë si një mendimtar i vyer dhe veprimtar i shquar, gjithmonë i kudogjendur dhe i gatshëm për të ofruar zgjidhje për problemet më kritike të arsimit, duke hartuar kurikula shkollore dhe duke botuar tekste për studentët e panumërt dhe brezat që u arsimuan nën kujdesin e tij akademik, por mbi të gjitha prindëror.
Mësuesit, profesorët dhe ushqyesit arsimorë të nivelit të Aliut kanë qenë shumë të rrallë. Si një shkencëtar inovator, me iniciativën dhe nën përkujdesin e tij të pashembullt, si dhe në bashkëpunim me mësuesit dhe studentët arriti të fuste e të mundësonte prodhimin e televizionit të parë në Shqipëri
Vetëm një shkencëtar vizionar si Profesor Progri do të mund të ngrinte arsimin në një tjetër nivel dhe të shndërronte bazën prodhuese të shkollës në një ndërmarrje të fuqishme që do të kontribonte në zhvillimin e ekonomisë së vendit tonë.
Ali Progri do të jetë gjithmonë i pranishëm mes nesh me shpirtin e tij të pastër dhe do të mbetet përjetësisht në kujtesën e shoqërisë shqiptare me veprat e tij të pavdekshme që tashmë janë gdhendur në jetën dhe ndërgjegjjen e formimin profesional të qindra studentëve, profesorëve, studiuesve dhe intelektualëve shqiptarë, të cilët gjithmonë do ta kujtojnë si modelin e një pioneri të emacipimit të arsimit, por edhe të përparimit të shoqërisë.
Ai tashmë është kthyer në një shembull frymëzues që karakterizohej nga profesionalizmi, disiplina, korrektësia, por mbi të gjitha ishte një njeri me vlerat të spikatura njerëzore e qytetare që i transmetonte përmes ndihmës dhe respektit pa kushte në çdo hap të punës dhe jetës së tij.
Ndaj sot, kam kënaqësinë e veçantë si President i Republikës, por edhe personale si qytetar i këtij vendi, të vlerësoj Profesor Ali Progrin me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit’, për cilësitë e rralla dhe në veçanti, për punën e shquar dhe kontributin e vyer që ka dhënë në fushën e arsimit, shkencës, kulturës dhe ekonomisë së vendit tonë.”
Marre nga gazeta “SOT”





Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.