Ekonomia

Sistemi bankar 2018: Fitimet arritën në 18.4 mld lekë. Në rënie me 17% krahasuar me vitin 2017


Sistemi bankar shqiptar e mbylli vitin 2018 me një fitim neto prej 18.4 miliardë lekësh ose rreth 148 milionë euro. Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, edhe viti i kaluar rezultoi fitimprurës, megjithëse në rënie me 17% krahasuar me fitimin rekord të vitit të kaluar. Përfitueshmëria e sistemit, në terma të kthimit nga kapitali aksioner, ra në 13%, nga 15.7% që ishte një vit më parë.

Burimi kryesor i të ardhurave të bankave, ato nga interesi, ka qenë pak a shumë i qëndrueshëm. Të ardhurat neto nga interesat pësuan një rënie të lehtë me 1% krahasuar me vitin 2017. Rënia e fitimeve erdhi sidomos nga disa zëra të tjerë.

Së pari, për vitin 2018, bankat nuk realizuan të ardhura neto nga burimet e tjera, që klasifikohen si të ardhura jo nga interesi. Këtu përfshihen kryesisht komisionet dhe të ardhurat nga këmbimi valutor. Pikërisht humbjet nga këmbimet valutore, me mbi 12 miliardë lekë, bënë që bankat ta mbyllnin me një bilanc të lehtë negativ vitin për zërin e të ardhurave të tjera.

                                  Burimi: Banka e Shqipërisë

Gjithashtu, një ndikim negativ në rezultatin final patën edhe humbjet në zërin e të ardhurave dhe shpenzimeve të jashtëzakonshme, ku sistemi bankar humbi mbi katër miliardë lekë, dy herë më shumë krahasuar me vitin 2017. Ky zë nuk detajohet në statistika, por zakonisht konsiston në të ardhurat që bankat sigurojnë prej shitjes së aseteve të ekzekutuara ose të marra në posedim, pasi ishin lënë kolateral për kreditë e humbura. Rezultati negativ ndoshta tregon se shumë prej këtyre aseteve bankat i kanë shitur me humbje.

Gjithashtu, për vitin 2018 bankat paguan edhe më shumë tatim-fitimi, megjithëse fitimi bruto ishte më i ulët. Kjo mund lidhet me rritjen e shpenzimeve që nuk janë njohur për qëllime fiskale ose me pagesën e tatimeve të shtyra në kohë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button