Ekonomia

SKANDALI: Emailet, drejtori i Bankës Botërore tenton të devijojë fituesin e tenderit për Ujësjellësin e Durrësit

Një investigim disamujor i DITA mbi një projekt të Bankës Botërore, të cilin vetë punonjës të BB bënë të pamundurën ‘ta devijonin në drejtimin e duhur’. 

Kjo që po përshkruajmë më poshtë është historia e një tenderi të rëndësishëm, që do zgjidhte problemin e furnizimit me ujë të qytetit të Durrësit dhe rrethinave.

E veçanta e investigimit është se, nëse në arradhën e mjaft tenderave të qeverive apo pushteteve lokale në vite, debatet dhe akuzat mjaftoheshin vetëm tek pala shqiptare, në çështjen për të cilën flasim nuk mbeten jashtë as punonjës e zyrtarë të Bankës Botërore në Tiranë.

Kjo sepse projekti me emrin “Ndërtimi i tubacioneve të ujit të pijshëm, puseve të prodhimit dhe depove të ujit për Durrësin”, do të realizohej përmes një huaje të Bankës Botërore.

Tenderi është organizuar nga ministria jonë e Transportit dhe Infrastrukturës, konkretisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve, ndërsa kontrata e huasë mban nr. 83230, me kod identifikues WDFK1.

Detajet dhe faktet e mëposhtme bazohen në dokumentat që zotërojmë.

Në datën 23 qershor 2015, DPUK ftoi 6 kompanitë e para-kualifikuara të përgatisnin ofertat e tyre. Të gjitha këto kompani kishin marrë dokumentacionin e tenderit dhe gjithashtu kishin bërë disa kërkesa për sqarime gjatë kohës së përgatitjes së ofertave. Si pasojë, data e dorëzimit të ofertave u shty dy herë dhe afati i dorëzimit të tyre dhe hapjes së ofertave u zhvendos nga 10 gushti, në 24 gusht 2015. Dy kërkesa të tjera për sqarime që u dorëzuan pas kësaj date, nuk u morën parasysh.

Datën e caktuar, më 24 gusht, pesë kompani dorëzuan ofertat e tyre. Ato u hapën në prani të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe përfaqësuesve të kompanive, dhe detajet iu dërguan Bankës Botërore dhe vetë ofertuesve, brenda ditës.

Komisioni i Vlerësimit drejtohej nga Ardian Alushi, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Ujrave në ministri, dhe anëtarë Indrit Shamata, Guri Aliaj, Arben Musaj e Gerald Dautaj.

Komisioni gjeti se tre ofertuesit e parë më të ulët ishin jashtë parametrave të kërkuar. Komisioni i Vlerësimit rekomandoi që kontrata në fjalë t’i jepej kompanisë Vinci Construction Grand Projets(Francë), me ofertën 32,855,209.03 Euro dhe 10,532,146.58 USD dhe 394,035,589.88 ALL, përfshirë tvsh-në.

Pjesëmarrësit e tjerë ishin: 1- Joint Venture OHITA N (Turqi) + MEHMET GUNES (Turqi); 2 – Joint Venture HASELSAN CONSTRUCTION (Turqi) + ALBSTA R (Shqipëri); 3 – PWT WASSER Company (Gjermani) + Joint Venture PUTIGNANO & FIGLI srl (Itali) me DEGREMONT spa (Itali), FAVER spa (Itali) dhe VED srl (Itali).

Sipas raportit të detajuar të komisionit, këto kompani kishin mangësi serioze në dokumentacion.

Dejvid Misho
Dejvid Misho

Siç ndodh me të gjitha projektet që financohen nga Banka Botërore, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave rekomandon, por nuk vendos për firmën fituese të një tenderi. Nëse zyrtari i BB-së jep viston përmes “jo kundërshtimit”, vijon projekti.

Në Tiranë, drejtuesi i ekipit të projekteve të kësaj natyre për Bankën Botërore quhet David Michaud (Dejvid Misho). Zoti Misho nuk e dha miratimin për firmën fituese, francezen Vinci Construction Grand Projets.

Paraprakisht, Vinci është ndër kompanitë më të mëdha franceze e botërore, që e ka diversifikuar mjaft aktivitetin e saj në shumë vende me projekte të mëdha, përfshirë dhe SHBA. Kushdo i interesuar mund të krijojë një ide më të qartë në internet.

Le të ndalemi pak këtu.

Një nga kriteret që Komisioni i Vlerësimit sheh me kujdes, është nëse kompanitë ofertuese kanë çështje gjyqësore pezull, nga të cilat mund të marrin dënime ose gjoba që do ndikonin në financat e tyre. Kapitulli “Litigation history”, në rastin Vinci mund të cilësohej si “pikë e dobët”, për faktin se si pjesë e konsorciumi  trepalësh, Vinci ka patur një çështje gjyqësore në Siatëll, SHBA, në projektin e urës Brightwater Bridge. Por në këtë rast, pagesat e caktuara nga gjykata ishin kryer me kohë dhe çështja ndodhej në apel. Pra, nuk bëhej fjalë për rrezik në financa. Dhe me të drejtë, kjo “pikë e dobët” ishte vlerësuar me logjikë nga Komisioni i Vlerësimit.

Ndërkaq, historia vjen e bëhet “interesante”. Dejvid Misho i BB-së pas mosdhënies së pëlqimit, investohet në një drejtim tjetër; Ai lobon drejtpërdrejt në favor të kompanisë gjermane PTW Wasser dhe italianes Putignano, në mënyrë që fituese për projektin e ujit të Durrësit, të shpallet njëra nga këto firma.

Pasi Putignano has në probleme ligjore në Itali, mbetet lobimi i fortë për firmën gjermane PWT.

Një drejtor i Bankës Botërore që shpërdoron postin duke tentuar anulimin e fituesit dhe shpalljen fitues të një firme me probleme? Duket e pamundur, por ka ndodhur.

Këtë do ta ilustrojmë me fakte të pakundërshtueshme. Së pari, le të shohim se çfarë arsyetimi ka dhënë Komisioni i Vlerësimit për këtë firmë:

PWT figuron si degë e kompanisë International Infrastructure Development Management & Operation, e cila nga ana e vet është kompania mëmë e Amiantit Group (Gjatë SAAC, Saudi Arabian Amiantit Company). Ky hyn kjo e fundit? Pjesë e kushteve të dokumentacionit të tenderit, është që ofertuesit të provojnë se kanë gjendje parash dhe likuiditetesh (në këtë rast, 5 milionë euro).

Në vend të dokumentit bankar që provon gjendjen kesh, PWT paraqiti një deklaratë nga Amiantit, pra nga një kompani motër, pjesë e së njëjtën ombrellë. Kjo formë nuk pranohet nga ligjet ndërkombëtare tregtare e financiare, pasi secila firmë ka veprimtarinë dhe llogaritë e veta. Kjo është një prej mangësive kyçe.

Tjetra, PWT nuk plotësoi kriterin e paraqitjes së xhiros mesatare vjetore në vepra ndërtimi, pasi nuk paraqiti pasqyrat financiare për vitin 2014, ndërsa pasqyrat e viteve 2011 e 2012  nuk përputheshin me deklaratat e kompanisë. Një tjetër mangësi kyçe.

Mangësia e tretë, “Litigation history” ose paditë gjyqësore: Rezulton se në qershor 2014, ministria irakene e Pushtetit Lokal dhe Punëve publike ndërpreu projektin e ujësjellësit me PWT (në al Samava, Iraku jugor). Çështja ishte në gjyq për 21.2 mln dollarë.

Nga ana tjetër, një përplasje legale kishte PWT edhe me ministrinë rumune të Financave dhe kontrata prej mbi 11 mln euro ishte pezulluar. Një histori padish gjyqësore e falsifikuar dhe tjetër difekt thelbësor.

Përveç kësaj, PWT ka dorëzuar një Method Statement (Deklarata e propozimeve teknike) që është copy-paste e formatit të udhëzimeve të përgjithshme të dokumenteve të tenderit.

Pra, një kompani që nuk fakton dot gjendjen e parave kesh, që gënjen për paditë gjyqësore ku luhen shuma të mëdha dhe që nuk plotëson kriterin e xhiros mesatare vjetore, teksa nuk harton dot as një listë propozimesh teknike.

Por, duket se për zotin Misho, këto janë veçse “difekte minore”.

Ja çfarë shkruan ndër të tjera ai në një email zbuluar nga DITA, drejtuar kreut të komisionit Alushi dhe një numri zyrtarësh të tjerë mbrëmjen e 8 tetorit 2015, ku arsyetohet mosdhënia e miratimit për fituesen e tenderit:

“Nuk mendoj se një ofertues duhet të skualifikohet vetëm për një mangësi si Method Statement… nëse ai thjesht ka përsëritur kërkesat e tenderit, Komisioni mund ta pyesë specifikisht sesi ka ndërmend kompania të zbatojë punimet e saj teknike (?!)”.

Pra, komisioni i tenderit t’ja nxjerrë me thonj firmës sesi ka ndërmend të realizojë projektin për të cilin jep paratë.

Në vijim, emaili i drejtorit të BB:

“Nëse ofertuesi propozon një staf teknik kyç që ka mangësi, atij duhet t’i kërkohet ta gjejë personelin e duhur menjëherë pasi të fitojë kontratën (?!) Në mënyrë të ngjashme, nëse nuk i ka të gjitha pajisjet për të kryer punën, ai ose ata mund t;i gjejnë përmes marrjes me qera, hua, ose prodhimit në vend… Nëse një dokumentacion i tillë mungon, komisioni mund t’i kërkojë kompanisë ta sjellë brenda një kohe të arsyeshme…”.

Më poshtë:

“Lidhur me çështjet gjyqësore të ofertuesve. Nga raporti juaj del se disa kompani kanë sjellë raportime false të ‘Litigation History’. Por ky pohim i juaji meriton saktësim të mëtejshëm. Pse nuk u ngrit si çështje që në fazën e parakualifikimit? Ju ku i gjetët këto informacione? Bëtë kërkime vetë, apo jua sollën ofertuesit?”

Thënë ndryshe, zyrtari i BB-së pyet komisionin e tenderit, se si ka mundësi që gjetët kaq shumë parregullsi!

Në vijim, situata bëhet edhe në konkrete.

Në një email grupi të 10 nëntorit dërguar Alushit dhe nëpunësve të tjerë shqiptarë dhe të huaj, Misho kërkon që komisioni t’i bëjë një kërkesë PWT-së të dërgojë deklaratën e posedimit të parave kesh, që Misho është i bindur se kompania e ka në rregull.

Të gjitha këto, pasi tenderi është mbyllur dhe kompani fituese është shpallur!

“Presim që së shpejti të na dërgoni një raport të ri vlerësimi”, e mbyll Misho, duke e thënë gati haptaz se pret të caktohet një fitues i ri.

Ndërkaq, burimet tona thonë se Misho ka patur një seri takimesh edhe me kryebashkiakun e Durrësit Vangjush Dako.

Çështja ka edhe një element tjetër: Ai është punonjësi shqiptar i Bankës Botërore në Tiranë, Artan Guxho, i cili sipas të dhënave tona, përmes të afërmve të ngushtë të tij është i interesuar që tenderin e ujësjellësit të Durrësit ta fitojë gjermania PWT.

Kjo pasi këta të afërm kanë patur kompani nënkontraktore të PWT-së. Z.Guxho nuk i është përgjigjur telefonatave dhe sms-ve të DITA për të hedhur më shumë dritë mbi këtë çështje.

Ndërkaq, DITA i ka dërguar përmes emailit, disa pyetje administratorit të përgjithshëm të kompanisë PWT, Marcel Salazar lidhur me këtë tender:

A është e vërtetë që PWT nuk ka plotësuar kriterin e pasjes së parave kesh? A e keni paraqitur apo jo, pasqyrën financiare për vitin 2014 brenda afateve të tenderit; a është ë vertetë që pasqyrat e viteve 2011-12 kishin mospërputhje? A keni dorëzuar me dokumentet e tenderit, një deklaratë se nuk keni asnjë histori padish gjyqësore lidhur me punën e firmës suaj; a keni patur masa ligjore e financiare nga qeveria e Rumanisë dhe ajo e Irakut? A ju ka sugjeruar z.Guxho, specialist i BB-së në Tiranë, të ndryshoni “method of statement”, deklaratën e specifikave teknike pasi tenderi ishte mbyllur? A kanë patur familjarë të tij marrëdhënie pune me PWT?

Zoti Salazar nuk ka kthyer përgjigje.

Por ka kthyer të tillë Inspektorati i Hetimeve të brendshme në Bankën Botërore, në Uashington. Drejtuesit e sektorit hetimor për Europën dhe Azinë, pohuan për DITA se po hetojnë për këtë histori.

Aktualisht tenderi në fjalë është pezulluar.

Por kjo aferë jep një shije të hidhur mbi Bankën Botërore, por edhe mbi Ministrinë tonë të Transportit dhe Infrastrukturës, që po shkonte drejt çedimit në këtë tender.

Kompania gjermane kishte ofruar 26 milionë euro pa tvsh, pra rreth 32 mln me tvsh, duke arsyetuar kështu lobimin e zotit Misho drejt ‘ofertës më të ulët”. Por një ofertë me mangësi kaq skandaloze si mungesa e stafit dhe pajisjeve, mosjustifikimi i parave kesh, e deri tek mosnjohja e llojit të tubacionit që do përdorej etj, tradhton diçka tjetër, që rëndom ka ndodhur në Shqipëri: Që paratë do të merreshin dhe puna nuk do të bëhej.

Sa herë janë inauguruar ujësjellësa në vendin tonë, që kanë lagur xhepat e disave dhe kanë lënë thatë çezmat e qytetarëve?

Por deri vonë kemi akuzuar vetëm palën apo palët shqiptare. Ky është një shembull që ekspozon një fakt që duhej ta kishim ditur prej kohësh: Ustallëqe të kësaj natyre na i kanë mësuar “ustallarë” më të vjetër.

Dhe diçka e fundit.

Paratë e Bankës Botërore janë në fakt paratë tona. Janë hua me interes të ulët që tek e fundit, i paguajnë qytetarët shqiptarë. Por për t’i paguar duke falenderuar, duhet të shohin edhe pak dritë në fund të tunelit. Ose, dy pika ujë në fund të tubacionit.

Nga Alqi Koçiko

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button