Kronika

Skandali i barnave, si u “fsheh” për një vit

Në vitin 2014, ministri Beqaj denoncoi farmacinë e të afërmve të nëndrejtorit të Fondit. Më vonë, asnjë referim të çështjes në prokurori. Prokuroria: 10 farmaci janë të shtetarëve

Nga Sokol Çobo

 

Një pjesë e skandalit me rimbursimin e barnave u zbulua një vit më parë, në muajin korrik të 2014-s, por që çuditërisht institucionet nuk morën asnjë masë apo denoncimin e rastit në prokurori. Ankesa e një pensionisti disa javë më parë vuri në lëvizje të gjithë ingranazhin e shtetit, çka solli edhe dhjetëra të proceduar dhe disa dorëheqje. Dëmi i shkaktuar shtetit deri më tani llogaritet mbi gjysmë milioni USD, por nëse faktohen edhe dyshimet e tjera atëherë milionat e dollarëve mund të shtohen. Megjithatë, në dokumentet e prokurorisë, por edhe të denoncimeve publike, vihet re se skandali është zbuluar shumë vonë. U janë paguar qindra mijë euro disa farmacive fiktive apo farmacive të të afërmve të zyrtarëve të Fondit të Kujdesit Shëndetësor. Konflikti i interesit ishte mjaft evident dhe askush nga zyrat e Fondit nuk mund të akuzonte kolegët, pasi një ditë do t’i vinte atij radha. Akuza thotë se disa farmaci të të afërmve të zyrtarëve shtetërorë po verifikohen, megjithëse ende nuk kanë mbërritur listëpagesat. “Në dorë kemi vetëm një rast kur farmacia ‘Geni & Lori’ ka përfituar në mënyrë abuzive rimbursimin e ilaçeve. Po verifikojmë këtë rast, pasi rezulton se farmacia është e të afërmve të nëndrejtorit të Fondit të Kujdesit Shëndetësore, Sokol Skura”, pohojnë burimet nga akuza e kryeqytetit. Megjithatë, sipas një vëzhgimi të gazetës Shqip,kjo farmaci (Geni & Lori) ka administrator L. Skura dhe një vit më parë është denoncuar nga vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Denoncimi në 2014

Në datë 23 korrik të vitit të kaluar, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, doli në një konferencë për shtyp, për të analizuar rezultatet e funksionimit të skemës së rimbursimit të barnave. Ministri do të deklaronte në atë kohë, se nga mjeku B. T. në Shkozë, 80% e recetave të tij përfundojnë te farmacia “Geni & Lori”. “Shkoza ka 10 farmaci, por njëra prej tyre, ‘Geni & Lori’ merr 4/5 e recetave që rimbursohen”, do të deklaronte në atë kohë Beqaj.

Megjithatë, rastet duket se nuk janë thelluar nga institucionet shtetërore, pasi asnjë material nuk ka shkuar në prokurori apo të jetë verifikuar. Mësohet se farmacia në fjalë e të afërmve të një zyrtari të lartë të Fondit, ka lidhur më pas kontratë me shtetin ku ka përfituar miliona lekë nga buxheti i shtetit. Burime nga akuza e kryeqytetit pohojnë se “Geni & Lori” rezulton se ka marrë rimbursime për shumë muaj, ndërsa nga kontrolli ka rezultuar se dhjetëra milionë janë marrë në mënyrë abuzive. “Materiali i Fondit të Kujdesit Shëndetësor apo i zyrës Antikorrupsion në qeveri, nuk tregojnë se sa ka qenë pagesa për këtë farmaci, por vetëm se ka qenë pjesë e skemës së mashtrimit. Kemi kërkuar auditin e plotë për të mësuar listëpagesat ndaj farmacisë në fjalë”, pohojnë burimet nga prokuroria.

Hetimet për barnat

Prokuroria thotë se deri më tani ka verifikuar farmacitë “Bërzhita”, “Lundra”, “Adelina” dhe “Nutrimed” dhe rezultoi se ato kanë qenë fiktive. Hysni Roci ka bërë dokumentet dhe Pjerin Xhuvani ka lëvruar fondet, madje brenda pak ditësh nga momenti i dorëzimit të recetave të falsifikuara. Ideatori dhe organizatori i skemës mashtruese për rimbursimin e barnave ka pranuar akuzën në prokurori. Roci ka pranuar se i ka tërhequr këto shuma, por i ka shpenzuar menjëherë. “Shumën prej 500 mijë dollarësh e kam shpenzuar për rikonstruksione te farmacia afër QSUT-së. Kam bërë disa punime muajt e fundit, ku kam shpenzuar të gjithë këtë shumë”, mësohet se ka deklaruar Roci, i cili thotë se nuk ka asnjë kacidhe nga paratë e marra me skemën mashtruese. Pas kësaj dëshmie, prokuroria thotë se ka bërë gati vendimin e sekuestros ndaj farmacisë dykatëshe të Rocit.

Megjithatë, hetimet për katër “fantazmat” mund të jenë vetëm maja e ajsbergut, pasi dëmi mund të jetë dhjetëra milionë euro. Akuza dyshon se krahas farmacive fantazmë, zyrtarët e Fondit të Kujdesit Shëndetësor u kanë dhënë mijëra euro disa farmacive të “preferuara”. Burime nga prokuroria pohojnë se familjarët e zyrtarëve të Fondit kanë pasur farmaci, të cilat kanë qenë të privilegjuara me rimbursimet e këtyre ilaçeve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button