🌤️
Tiranë 32°C · Kryesisht kthjellët 20 June 2026
S&P 500 7,501 ▲1.08%
DOW 51,565 ▲0.14%
NASDAQ 26,518 ▲1.91%
NAFTA 76.54 ▲0.91%
ARI 4,173 ▼1.72%
💱 VALUTAT
EUR/USD 1.1469 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 94.7956 EUR/MKD 61.6230 EUR/RSD 117.3904 EUR/TRY 53.2775 EUR/JPY 184.96 EUR/CAD 1.6230 EUR/USD 1.1469 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 94.7956 EUR/MKD 61.6230 EUR/RSD 117.3904 EUR/TRY 53.2775 EUR/JPY 184.96 EUR/CAD 1.6230
₿ CRYPTO
BTC $63,466 ▲ +0.38% ETH $1,718 ▲ +0.9% XRP $1.1419 ▲ +0.14% SOL $71.2000 ▲ +2.74%
S&P 500 7,501 ▲1.08 % DOW 51,565 ▲0.14 % NASDAQ 26,518 ▲1.91 % NAFTA 76.54 ▲0.91 % ARI 4,173 ▼1.72 % S&P 500 7,501 ▲1.08 % DOW 51,565 ▲0.14 % NASDAQ 26,518 ▲1.91 % NAFTA 76.54 ▲0.91 % ARI 4,173 ▼1.72 %
EUR/USD 1.1469 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 94.7956 EUR/MKD 61.6230 EUR/RSD 117.3904 EUR/TRY 53.2775 EUR/JPY 184.96 EUR/CAD 1.6230 EUR/USD 1.1469 EUR/GBP 0.8672 EUR/CHF 0.9253 EUR/ALL 94.7956 EUR/MKD 61.6230 EUR/RSD 117.3904 EUR/TRY 53.2775 EUR/JPY 184.96 EUR/CAD 1.6230
20 Jun 2026
Breaking
Opinion

Sot foli sulltani

Nga REDI MUÇI

Nën timbrin e zërit të Sulltanit, që dridhej më shumë sesa violina e mjeshtrit Ethem Qerimaj; nën gulçet e frymarrjes së rënduar nga jermi dhe kllapia, ku shpërfaqej lodhja e një plaku që i kishte folur hyjit një natë më parë, u mblodhën sot në një sallë për të mbajtur veshë mbarë kartonaxhinjtë e Partisë Socialiste.

Të heshtur e të mekur, siç janë mësuar që të jenë sa herë që flet Sulltani, në fytyrat e tyre përvijohej një maraz i madh, i largët sa 20 ditë protestash mbarëshqiptare, gjatë të cilave çdo manovër e Sulltanit dukej – por veç dukej – sikur i kishte zhytur edhe ata vetë thellë e më thellë në llucën e pushtetit.

Edhe këtë herë Sulltani foli për oqeanin e gjerë të armiqve që po e sulmojnë partinë e Tij të ndritur. Ai përmendi me radhë blogerë, bankierë, komunistë, karrieristë, agjentura të huaja, e diversantë vendas. Ai që ishte mësuar të merrej me dhëndrin e Saliut, tashmë i doli në mbrojtje dhëndrit të Donaldit, pa të cilin kjo zhurmë botërore – tha Sulltani – do kishte ngelur brenda kufijve shqiptarë, brenda asaj hapësire që Sulltani e konsideron si çifligun e Tij, ku punët di t’i zgjidhë me mënyrën e Tij.

Ata që flasin – tha Sulltani – nuk e kanë lexuar dokumentacionin. Ato dokumente të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, të lejes zhvillimore, të projektit me vila luksoze për 10 mijë pasanikë – dokumente që ndodhen të gjitha të kataloguara brenda në kokën e Tij, e që askush nuk mund t’i lexojë pa interpretimin hyjnor të Tij, pa shpjegimin e mprehtë të Tij, se kjo është një e mirë e madhe për vendin e për mbarë popullin.

Sulltani foli edhe për çështjen e pazgjidhur të pronës. Janë tre kategori që kërkojnë zgjidhje – tha – ata që janë me letra të vjetra, ata që janë me legalizime, dhe ata që janë me prona nga kooperativat. Por Sulltanit, në Pleqninë e Tij, i shpëtoi nga mendja një kategori e katërt. Kategoria me të cilën ai ka rënë në ujdi për të firmosur lejet e ndërtimit të resorteve luksoze nga Rrjolli në Zvërnec: kategoria e falsifikatorëve të dokumenteve në kadastër. Për ata, Naltmadhnia, nuk kishte koment.

Histeria e algoritmeve Sulltanit i paskësh tjetërsuar bukurinë e realitetit që kish ndërtuar vetë, të një Shqipërie të begatë e të një populli të lumtur. Këto algoritme po pasurojnë oligarkët ndërkombëtarë më të mëdhenj të planetit – kumboi zëri i Sulltanit – i cili nuk e pa të arsyeshme të specifikonte se kujt po i referohej Hirësia e Tij. Pa dyshim që jo oligarkëve ndërkombëtarë si i biri i Sorosit, të cilin – njësoj si babën e vet – Hirësia e njeh mirë dhe e ka mik për kokë.

Një re e zezë po i kanoset Shqipërisë: reja e influencerave të algoritmit. Ditë të errëta na presin! Politikën në shërbim të vendit, politikën në shërbim të punëdhësit – tha Sulltani teksa kapërdiu momentalisht fjalët nga pështyma e tharë në gojën e Tij të shenjtë – algoritmi e urren! Një çehre e mvrenjtur u shfaq menjëherë në fytyrat e menduara të kartonaxhinjve që e rrethonin Sulltanin. Në kokën e tyre ata po bluanin mendime të thella, se si vallë t’i vinin në ndihmë vatanit nga këto algoritme ogurzeza. Si të luftonin Matrix-in, këta qëndrestarë të fundit në Sulltan Morfeusit.

Algoritmi është si droga – tha plaku i moçëm, duke i shpallur luftë të hapur armikut më të madh të shekullit XXI: influencës së algoritimit që po na i merr në qafë kalamajtë. Të rinj që nuk edukohen në shkollat e ngritura nga Sulltani, por nëpër ekrane celularësh ku japin “lajke”. Patriotë që nuk ia kanë haberin punës, revolucionarë që s’e dinë se ç’është revolucioni. Këta nuk paraqiten për diskutim – tha Shkëlqesia – por duan të ngrihen mbi rrënojat e punës së kësaj Partie të Madhërishme.

Aruba – u dëgjua nga goja e Sulltanit – unë nuk e di ku bie Aruba, nuk kam shkuar kurrë në Aruba, nuk kam dërguar kurrë njeri në Aruba… tha me të drejtë Ai. Ai i cili me dorën e Tij të purpurt ka firmosur lejet e ndërtimit për çunat e Arubas, e jo pak, por plot 1.2 milionë metër katrorë në mbarë Shqipërinë (sipas dosjes nën hetim nga SPAK-u), por pa dyshim në të mirë të Shqipërisë. Aruba ka bërë shumë për Shqipërinë! E ç’rëndësi ka se ku bie Aruba?!

Ne do qëndrojmë të palëkundur në këtë rrugë që kemi nisur – deklaroi solemnisht Sulltani. Njerëzve do t’u japim Lajmin e Mirë se sot shqiptarët i marrin shërbimet online, tha arkitekti i Diellës, AKSHI-t, Karçanajt, Agasit, Beqirit, verërave të shtrenjta dhe rrëmbimeve të personave. Ne nuk pranojmë – tha Ai – që Tirana të bëhet sfilatë për ata që bllokojnë aeroportin, ndërkohë që Tirana lulëzon nga kullat e betonit që zënë diellin, por njëkohësisht bëjnë hije në këto ditë të nxehta.

Unë jam lidhur me litarë si Odiesu – tha Sulltani në njohurinë e tij të pafundme homerike – dhe nuk tundohem nga zërat e sirenave algoritmike. Dëgjoj kritikën – tha Ai – kur ajo vjen si qurravitje nga Erion Braçe, por jo nga turma e influencerave. Ne nuk epemi nga zhurrmat, nga era dhe nga dallgët! Ne kemi veshë vetëm për vajtimet e brendshme që na duan të mirën. Ne kemi një Mision të Shenjtë – tha Fortlumturia e Tij.

Ai me të drejtë bëri dallimin mes intelektualëve të diasporës dhe intelektualëve të Familjes tonë Politike – siç i cilësoi Sulltani. Mes atyre që janë zhgënjyer nga pritshmëritë dhe atyre që janë të lumtur nga era e këndshme e mishit të qengjit, e qepëve lozonjare, e salcave të ndryshme dhe e dopjopites së Sufllaqes së Partisë.

E teksa Sulltani po lëshonte këto fjalë profetike, dikujt nga kartonaxhinjve iu rënduan qepallat e syve, dikush tjetër luftonte heroikisht impulsin për të gogësitur, një tjetër ishte ngrysur në fytyrë si në momentin e gjumit të mesnatës, por ishte mesditë.

Në mbyllje të fjalimit që do ta kujtojnë epokat, për të cilin do të shkruajnë kolosët e lëçitjes e të gojëtarisë, Sulltani bëri edhe një gjest triumfator, të shoqëruar me yshtjen të cilës nuk i bën dot ballë asnjë Fatos e asnjë Lubonjë, asnjë shenjtan algoritmik, asnjë qorrist e komunist: pshpshpsh..çit…pshpshpsh…çit…pshpshpsh…çit.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment të Ri

Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.