Sot mblidhet Komisioni për drejtësinë; LSI: Mirëpresim dialogun politik. PD, letër informimi Venecias
Mbrëmja e së enjtes ka qenë shumë dinamike për Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, ku si Lulzim Basha ashtu edhe Ilir Meta, zhvilluan takime me ekspertët përkatës, përpara mbledhjes së radhës së Komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi, ku pritet të diskutohet dhe drafti i paraqitur nga ekspertët e nivelit të lartë.
Nga selia blu, vjen i njëjti mesazh. “Kemi kërkuar sërish që ky proces dhe kjo luftë ndaj korrupsionit të mos përdoret si alibi për të kapur sistemin e drejtësisë. Opozita është më e interesuar se kurrë që sistemi i drejtësisë të jetë i pakorruptuar dhe sistemi i drejtësisë të mos jetë i kapur. Ata që janë në konflikt interesi i tremben dhe duan në mënyrë të padiskutueshme të bëjnë kapjen e sistemit të drejtësisë në mënyrë që ti shërbejë njerëzve të krimit me të cilët ai i ka blerë votat, ka fituar zgjedhjet e vitit të kaluar dhe qeverisë bashkë me krimin. Partia Demokratike do të vazhdojë edhe të premten në arritjen e një drafti të reformës në drejtësi që në përmbajtjen e vetë ky draft të pasqyrojë një më një, të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias”, deklaroi Halimi.
Partia Demokratike i ka qëndruar deklaratës se nuk do të çojë asnjë draft të ri në Venecia, por ka vendosur të informojë Komisionin e Venecias nëpërmjet një letre, ku do të sqarojnë me detaje pozicionin e opozitës së përse drafti nuk ka konsensusin e saj.
Nga ana tjetër, Ilir Meta zgjodhi kryesinë e Kuvendit për t’u takuar dhe diskutuar me ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, ish-ministrin Nasip Naço, kreun e komisionit të sigurisë, Spartak Braho dhe kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.
Por, qëndrimin e LSI-së pas këtij takimi e bëri të njohur deputetja Silva Caka.
“Lëvizja Socialiste për Integrim fton të gjitha partitë politike parlamentare për të kontribuar në këtë proces. Të premten duhet t’i hapim rrugë procesit të konsultimit të mëtejshëm me Komisionin e Venecias dhe dialogun politik në vend.
Lëvizja Socialiste për Integrim në mënyrë pozitive dhe konstruktive do të paraqesë të premten mendimet e saj në Komisionin e Posaçëm të reformës në drejtësi në funksion të përmirësimit të draftit të propozuar nga ekspertët”, tha Caka.
Por, kjo deklaratë është e pamjaftueshme për të kuptuar se cila do të jetë vota e LSI-së për draftin final në Venecia, votë që është edhe vendimtare për të bërë shumicën në Komisionin e Posaçëm për shkak të përbërjes së barabartë.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste konfirmoi të enjten se do të kërkojë në komision që drafti të dërgohet në Venecia dhe vetëm pas përgjigjes nga ky organizëm të nisë diskutimi politik.
Mesa duket kjo ka qene edhe çështja që është diskutuar në takimet e gjata mes kryeministrit Rama dhe kryeparlamentarit Meta edhe gjatë paradites së kësaj të enjteje.
Pas këtyre takimeve, pyetjes së Top Channel nëse anon nga “pro”-ja vota e LSI-së, burimet iu përgjigjen me “besoj se po”.
Shkaku i votës vendimtare të LSI-së, duket të ketë qenë edhe qëllimi i takimit të ambasadores së BE-së, Romana Vlahutin në zyrën e Ilir Metës, pas takimit të tij me Ramën.
Po ashtu, mësohet edhe për një telefonatë të ambasadorit amerikan Donald Lu me kreun e LSI-se. Pritshmëria e Partisë Socialiste është që drafti të marrë “dritën jeshile” të komisionit të premten dhe përballja e qëndrimeve të bëhet pasi dy ekspertët e Venecias të kenë mbërritur në Tiranë në 21 dhe 22 janar.