Studentët shqiptarë protestojnë sot në Shkup- Kërkojnë që provimet të jepen në gjuhën shqipe
Studentët shqiptarë të universiteteve në Maqedoninë e Veriut do të mbajnë sot një protestë paqësore në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Protesta nis në orën 12:30 nga Ura e Gurit dhe pritet të ketë pjesëmarrje masive.
Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza”, Besar Sejdiu, u ka bërë thirrje qytetarëve, institucioneve dhe akterëve shoqërorë që të mbështesin protestën, duke e cilësuar si një kauzë për mbrojtjen e gjuhës shqipe.
“Kjo nuk është vetëm lufta e studentëve, por luftë për mbrojtjen e gjuhës,” kanë deklaruar organizatorët.
Sipas medias vendase, protesta do të zhvillohet përgjatë itinerarit të përcaktuar: nisja nga sheshi “Karposhovo Vostanie”, rruga “11 Mars”, kalimi përmes Urës së Gurit, vazhdimi në rrugën “Nikola Vapcarov” dhe përfundimi në rrugën “Dimitrije Çupovski”, përpara Ministrisë së Drejtësisë.
Për shkak të protestës, do të ketë kufizime në qarkullimin rrugor. Ministria e Brendshme ka njoftuar se SPB Shkup – Njësia për Siguri në Trafikun Rrugor do të marrë masa për një regjim të veçantë trafiku, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë urdhrat e policisë.
/rtsh.al/
The post Studentët shqiptarë protestojnë sot në Shkup- Kërkojnë që provimet të jepen në gjuhën shqipe appeared first on RTSH.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.