Sporti

Superiorja, Laçi ndalon Flamurtarin, Teuta thyen kampionët

Flamurtari-320x226Kurbinasit marrin një pikë të çmuar në Vlorë. Skënderbeu bie në Durrës. Soza nderon Vllazninë

NGA ERION ABULE

Surpriza dhe rezultate të paparashikuara ka rezervuar java e gjashtë e Superiores. “Trafiku” në krye të renditjes ka “seleksionuar” një ekip në krahasim me javën e shkuar, ku kryesonin katër skuadra me pikë të plota. Pas barazimit të shtunën pa gola mes Tiranës dhe Partizanit në derbin e luajtur pa tifozë, Flamurtari dhe Skënderbeu nuk kanë ditur të përfitojnë për të marrë kreun e tabelës. Vlonjatët ndalen nga Laçi në Vlorë, duke barazuar 1-1, ndërsa korçarët kanë humbur me Teutën 2-0 në “Niko Dovana”. Vazhdon serinë e rezultateve pozitive Vllaznia, e cila pavarësisht nga problemet, fiton ndaj Elbasanit 1-0 në “Loro Boriçi”. Kësisoj, Tirana, Partizani dhe Flamurtari ndajnë kreun bashkë me 11 pikë.

Flamurtari-Laçi

Laçi mbetet “mace e zezë” për vlonjatët. Si në sezonet e kaluara, skuadra bardhezi ka dalë e pamposhtur nga stadiumi “Flamurtari”. Në një ndeshje emocionuese, të dyja skuadrat dhuruan spektakël në fushë, por në fund iu gëzuan vetëm një pike. Kurbinasit shënojnë falë një kundërsulmi të Xhejms, i cili shënoi një gol të bukur duke e kaluar topin mbi portierin Lika pas daljes së këtij të fundit. Por në minutën e 43-të, vendësit barazojnë falë Fortunat, i cili i ndihmuar edhe nga shtylla, e ka të lehtë të shënojë. Braziliani mund të kishte dyfishuar rezultatin para fundit të pjesës së parë teksa iu dha një mundësi e mirë shënimi. Në pjesën e dytë, Flamurtari hidhet i tëri në sulm në kërkim të fitores dhe rastet e shumta nuk munguan madje edhe në minutat shtesë. Por edhe skuadra e Cungut mund të kishte shënuar falë dy zbritjeve me kundërsulm dhe gatishmërisë së portierit Lika.

Teuta-Skënderbeu

Ajo që ka bërë “goditjen” e kësaj jave, është Teuta. Durrsakët kanë gjunjëzuar në shtëpi Skënderbeun dhe ngjiten për momentin në kuotën e 7 pikëve. U duk që në fillim se skuadra e Likës e kërkonte me ngulm fitoren. Pas disa tentativave radhazi, Teuta shënon në minutën e 26-të me Peposhin, i cili shërbehet bukur në zonë nga braziliani Rafael dhe me portën bosh ka zhbllokuar rezultatin. Por nuk mbaron me kaq, sulmet në portën e Shehit ishin të njëpasnjëshme, por portieri korçar që luante kundër ish-skuadrës së tij, bëri disa ndërhyrje vendimtare. Përveç momentit të golit të dytë të skuadrës bregdetare, kur B.Krasniqi në minutën e 35-të lëshoi një “predhë” nga thuajse 20 metra, duke shënuar një super gol. Edhe në pjesën e dytë të ndeshjes, pavarësisht disa zëvendësimeve të kryera nga trajneri Mirel Josa, kampionët e Shqipërisë nuk reaguan përveç disa rasteve të shpërdoruara.

Vllaznia-Elbasani

Edhe Vllaznia ka hyrë në “vallen” për titull. Ndonëse me vështirësi, shkodranët kanë marrë 3 pikë të çmuara kundër Elbasanit, tashmë në vend të fundit të renditjes dhe me 0 pikë. Në të vërtetë, skuadra e italianit Raineri ka bërë një paraqitje të dobët dhe miqtë kanë pasur disa raste për të barazuar rezultatin. Por në skenë ka dalë portieri Selimaj, i cili ka qenë në një ditë të mirë, duke qenë protagonist me disa pritje vendimtare. Ndeshja e luajtur në një stadium pa tifozë (vazhdon pezullimi 10-javor i dhënë nga Komisioni i Disiplinës) është vendosur në minutën e 22-të. Alsid Kruja ka bërë gjithçka bukur individualisht, duke shërbyer saktë për uruguaianin Soza, i cili nuk e ka pasur të vështirë të shënojë me portën bosh. Për ish-sulmuesin e Empolit që erdhi këtë verë i huazuar në Shkodër, ky është goli i parë në Kategorinë Superiore. Vllaznia shkon në kuotën e 8 pikëve dhe nëse do të kishte dhe 3 pikët e hequra nga FIFA për mospagim të një lojtari të huaj, do të ishte në “trafikun” e skuadrave që ndodhen në krye.

Kategoria Superiore

Java e 6-të

Dje

Vllaznia – Elbasani  1-0

Soza 22′

Teuta – Skënderbeu   2-0

Peposhi 26’, B.Krasniqi 35’

Flamurtari – Laçi    1-1

Fortunato 43’/ Xhejms 31’

 

Të shtunën

Tirana – Partizani   0-0

Apolonia – Kukësi    0-1

Pejiç 44′

 

Renditja

Skuadra    Nd.  P.

Tirana     6    11

Partizani  6    11

Flamurtari 6    11

Skënderbeu 6    10

Kukësi     6    10

Vllaznia   6    8

Teuta      6    7

Laçi       6    7

Apolonia   6    4

Elbasani   6    0

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button