Ekonomia

Taksa për Rrugën e Kombit, Balla: Debati shterpë, kostoja 5.3 mln euro në vit

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla publikon disa fakte dhe argument lidhur me mirëmbajtjen dhe operimin e autostradës Durrës-Kukës.

Duke e cilësuar shterpë debatin e krijuar së fundmi, Balla deklaron se “ndonëse rruga Durrës-Kukës quhet autostradë, në fakt ajo nuk u përfundua kurrë. Në segmentin e parë Milot-Rrëshen mbetet e pa realizuar njëri krah 25.6 km i rrugës. Në segmentin e dytë prej 61 km mungojnë masa gjeoteknike mbrojtëse skarpatash dhe eleminimi i rrëshqitjeve. Në segmentin e tretë Kalimash-Morinë nuk janë përfunduar viaduktet dhe urat. Vlerësohet se për përfundimin e plotë të rrugës do të duheshin rreth 200 milion Euro të tjera. Duke mos llogaritur këtu dëmin që rruga ka pësuar gjatë gjithë këtyre viteve të operimit ku është kryer vetëm mirëmbajtje rutinore”.

Ai vë në dukje se “vlerësohet se kostoja e mirëmbajtjes rutinë, dimërore, tunelit, menaxhimit, operimit të rrugës, tunelit dhe tollit të arrijë në rreth 5.3 milion Euro në vit”.

Ndërsa se si erdhi opsioni i koncesionit për Rrugën e Kombit, Balla sqaron se “ish Kryeministri Sali Berisha miratoi me VKM Nr.874, datë 14/12/2011 “Përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të mirëmbajtjes, rehabilitimit dhe operimit të autostradës Milot-Morinë”. Në datën 19/12/2011, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit publikoi ftesën për pjesëmarrje në procedurën parakualifikuese të koncesionit. Në datën 02/04/2012, publikohet në APP njoftimi për rezultatet e fazës parakualifikuese ku marrin pjesë pesë kompani. Kjo përpjekje e Partisë Demokratike dështoi pasi nuk pati sukses faza e dytë në Prill 2013 ku nuk erdhi asgjë ofertë”.

“Në Dhjetor 2014 me urdhrin nr.336, datë 31.12.2014 të ish ministrit te Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto u miratua Studimi i Fizibilitetit. Me urdhrin nr.337, datë 31.12.2014 të ish ministrit Haxhinasto u miratua fillimi i procedurave për dhënien me koncesion/PPP të ndertimit, operimit, mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të autostradës Milot-Morinë. Në 6 Dhjetor 2016 u nënshkrua kontrata nga ministri Sokol Dervishaj dhe koncesionari “Catalyst Viva Das General Contracting” LLC, “Salillari” shpk, “violiap Ateve”, “Bee Tech”, “Kastrati” sh.a.. Në 14 Dhjetor 2016 marrëveshja u miratua në qeveri. Kontrata e koncesionit është bërë efektive në 9 Shtator 2017”, përfundon Balla.

Ndërkaq tregtarë por edhe qytetarë të Kosovës e kanë kundërshtuar këtë vendim ku sot protestuan në pikën e kalimit kufitar mes dy vendeve, në Morinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button