Kronika

Të premten, moti drejt përmirësimit, diell shoqëruar me re

eSituata e vështirë e krijuar nga përmbytjet për shkak të reshjeve në disa qarqe të vendit, është duke u stabilizuar gradualisht nga ora në orë. Gjate dites se premte, 8 janar 2016, moti mbi vendin tone do te jete drejt permiresimit. Kushtet metereologjike do te karakterirohen nga dielli pothuajse ne te gjithe territorin e vendit, shoqeruar me re.

Ministria e Brendshme bën të ditur se është punuar fort që të shmanget çdo rrezikim i jetës së njerëzve, duke i zhvendosur larg zonave të rrezikshme që goditen nga përmbytjet. Nga ana tjetër, po bëhet gjithçka është e mundur për të lehtësuar rrugët e largimit të ujërave, si dhe sigurimin e strukturave mbrojtëse, argjinaturave etj.

Qarku Durrës
Pas  ndërprerjes së reshjeve situata në qarkun e Durrësit është përmirësuar dhe niveli i ujërave në lumenjtë Erzen dhe Ishëm po shkon në shtratin e tyre. Në Bashkinë e Shijakut dhe të Sukthit, ka vazhduar puna nga fadromat e ushtrisë për pastrimin e rrugëve të qytetit nga aluvionet dhe inertet që solli përmbytja. Nga forcat e ushtrisë janë shpërndarë ndihma për familjet e evakuuar, të cilat në total bëhen rreth 250 familje.

Qarku Tiranë
Në qarkun e Tiranës janë ndërprerë reshjet dhe situata është përmirësuar e po shkon në normalitet. Gjatë orëve në vazhdim prurjet në lumin e Lanës janë ulur dhe ujrat sipërfaqësore janë larguar nga disa rrugë dhe lagje të bashkisë të Tiranës. Familjet e rrezikuara në Njësinë Administrative nr.4, të bashkisë Tiranë janë evakuuar pranë të afërmve të tyre.
Tubacioni i ujit që kalon përmes lumit të Tiranës në Njësinë Administrative nr.4, është nën monitorimin e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës, të cilët janë në gatishmëri me personel dhe mjete, nëse do të ketë ndonjë pasojë tjetër për shkak të prurjeve të lumit.

Qarku Lezhë
Ujërat nga qyteti i Lezhës janë tërhequr dhe mjetet e ushtrisë po punojnë në komunën Zejmen, për hapjen e rrugëve. Uji nga banesat është tërhequr nga të gjithë sipërfaqja. Situata në këtë bashki po shkon drejt normalizimit. Në bashkinë Mirditë, janë dëmtuar tre ura që lidhin Bashkinë me komunat. Si pasojë e shkarkimeve nga hidrocentrali i Shkopetit është gërryer “Rruga e Kombit” në segmentin e fshatit Skuraj, në Bashkinë Kurbin. Po ndërhyhet me mjete për mbushjen e trasesë së rrugës me gurë dhe inerte. Në njësitë administrative Kaçinar dhe Ugrej rrugët janë hapura dhe qarkullimi bëhet normalisht. Është dëmtuar tubacioni i ujit të pijshëm të Kaçinarit, për të cilën po merren masa për lidhjen e tij. Në këtë qark hidrovorët janë në punë dhe me kapacitet maksimal.

Qarku Elbasan
Ka shembje të rrugës përpara fshatit Xibrakë, dhe po punohet për hapjen e rrugës, duke mos bllokuar qarkullimin. Është shembur një urë në fshatin Polis. Ura Çengele në Peqin është vënë në punë. Megjithëse kanë rënë prurjet e lumit Shkumbin, gjithë zona anës lumit Shkumbin, nga Elbasani deri në Rrogozhinë ka prezencë të ujit. Shtabi i emergjencës së Prefekturës dhe të bashkive respektive po punojnë me mjete në të gjithë qarkun për të normalizuar situatën

Qarku Dibër
Është normalizuar situata problematike në fshatit Gjoricë e Poshtme. Në fshatin Brezhdan ka prani të ujit në një sipërfaqe afër 100 ha tokë bujqësore. Aksi rrugor nacional Lurë-Kurbnesh-Rëshen është dëmtuar në vendin e quajtur “përroi i gjeollogjisë”, ku po punohet me mjet tip fadromë, dhe situata është drejt përmirësimit. Në bashkinë Klos, njësia administrative Xibër, janë dëmtuara dy ura, në fshatin Xibër Hane, dhe një urë në Xibër Murrizë. Akset rrugore nacionale janë të kalueshme dhe po monitorohen nga shtabi i emergjencave të prefekturës, bashkive dhe policia rrugore.

N/prefektura Kavajë
Në njësinë administrative Gosë, situata po shkon drejt përmirësimit. Problem mbetet grykëderdhja e lumit Shkumbin, ku si pasojë janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme tokë bujqësore në fshatin Kalush. Në njësinë administrative Sinaballaj, janë përmbytur 40 ha tokë bujqësore. Një subjekt privat i ndodhur në këtë njësi, është i bllokuar nga ujërat, dhe personeli është larguar nga ky ambient, por mbetet problem dëmtimi i blegtorisë së ndodhur në të. Stacioni i pompimit të ujit në fshatin Harizaj ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për rreth një orë. Dy hidrovorët funksionjnë normalisht dhe me kapacitet të plotë. Komisariati i Policisë është në gatishmëri të plotë duke iu përgjigjur çdo kërkese të bashkive dhe njësive administrative për normalizimin e situatave që krijohen nga shirat e rëna.

Lushnje
Po punohet për hapjen e tombinave të rrugës nacionale pranë fshatit Çermë. Janë evakuuar të gjithë familjet që ishin në rrezik. Mjetet e bashkive Lushnje dhe Divjakë dhe të ushtrisë janë në terren për mbylljen e argjinaturës. Uji ka filluar të tërhiqet ndërsa niveli i përmbytjeve po bie. Të gjitha strukturat përgjegjëse janë në terren.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button