Rajoni

Të vdekur gjatë protestave të kurdëve në Turqi

Gjatë protestave të kurdëve në Turqi kanë humbur jetën së paku 14 vetë. Edhe në Evropën Perëndimore u zhvilluan demonstrata. Në Hamburg pati përleshje me muslimanët radikalë.

Është me sa duket mosveprimi i qeverisë në Ankara, që i shtyu mijëra kurdë të dalin përsëri në rrugë të hënën në mbrëmje. Sidomos në juglindje të vendit pati edhe përleshje me policinë dhe islamistët. Protestuesit akuzojnë qeverinë turke se po vështron duarkryq rënien e afërt të qytetit sirian Kobane. Qyteti është i banuar kryesisht nga kurdët dhe është rrethuar prej ditësh nga luftëtarët e grupit ekstremist “Shtetit Islamik”. Pjesët e para të qytetit ranë dje, megjithë rezistencën e fortë nga ana e njësive kurdë.

Parlamenti turk autorizoi të enjten e kaluar dërgimin e ushtrisë në Siri dhe Irak, por qeveria e kryeministrit Ahmet Davutoglu i ka qendruar larg intervenimit ushtarak. Prandaj partia kurde HDP bëri thirrje për protestë mbarëkombëtare, së cilës iu bashkuan mijëra vetë.

Protesta edhe në Evropën Perëndimore

Në qytetin juglindor Dijarbakir, sipas njoftimeve të mediave, u vranë tetë vetë, kur aktivistët pro kurdë u përplasën me islamistët. Raste të tjera të vrarësh pati në Mardin, Siirt, Batman dhe Mus. Policia vendosi në disa qytete ndalimqarkullimin.

Edhe në shumë vende të Evropës Perëndimore kurdët dolën në rrugë për të tërhequr vëmendjen për situatën në Kobane. Të martën disa dhjetëra demonstrues kurdë hynë në Parlamentin Evropian në Bruksel. Ata u larguan, pasi disa anëtarë të parlamentit u takuan me to për të biseduar dhe kryetari i Parlamentit, Martin Schulz premtoi mbështetjen e tij kundër xhihadistëve. Edhe në shumë qytete gjermane ka pasur mitingje dhe protesta, që u zhvilluan kryesisht të qeta.

Përleshje në rrugët e Hamburgut

I vetmi përjashtim ishte demonstrata në Hamburg, në përfundim të së cilës pati përleshje në rrugë ndërmjet kurdëve dhe muslimanëve radikalë. Siç njoftoi një zëdhënës i policisë, rreth 400 kurdë ishin mbledhur pranë një xhamie. Atje ata u ndeshëm me 400 muslimanë radikalë, me sa duket salafistë. Ndërmjet disa anëtareve të grupeve pati “përplasje të dhunshme fizike”. Policia mundi t’i ndajë të dy grupet vetëm duke përdorur ujin.

Ndërkohë luftëtarët e IS kanë hyrë më thellë në Kobane. Megjithë sulmet ajrore të SHBA dhe rezistencën masive nga njësitë kurde duket se rënia e qytetit do të jetë çështje kohe. Sipas njoftimeve të vëzhguesve sirianë për të drejtat e njeriut më shumë se 400 vetë janë vrarë në të dyja palët që nga fillimi i ofensivës së IS. Kobane është qendra e fundit e enklavës, që deri tani kontrollohej nga ana e njësive të mbrojtjes së popullit kurd. Xhihadistët kanë marrë atje që nga shtatori 300 fshatra. 185 000 vetë janë arratisur në Turqi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button