Opinion
Tenderat, thesar me çark për pushtetarët e pangopur

Fjala TENDER që do të thotë TË AFROSH, TË JAPËSH MUNDËSI, e ka zanafillën nga latinishtja. Është fjalë që e hasim në fjalorët e anglishtes dhe të frëngjishtes. Në fjalorët standardë të para viteve 1990 nuk figuron si fjalë e gjuhës shqipe. Përdorimi i saj daton me vitin 1992 kur kaluam nga një ekonomi e centralizuar në ekonominë e tregut. Atëherë kemi qasjen e teknologjisë anglo-juridike dhe ekonomike. Pas vitit 2000 fjala tender u bë term standard juridik.
Në dokumentacionin e viteve të ekonomisë së centralizuar socialiste përdoreshin togfjalëshat ” porosi shtetërore”, ” plan furnizimi” dhe ” kontratë shtetërore”. Në të gjitha rastet ishte shteti që përcaktonte dikasterin apo ndërmarrjen që do t’i jepeshin fonde për t’i shpenzuar për projekte të ndryshme ndërtimore ose blerje materialesh nga më të ndryshmet. Nuk kishte konkurrencë midis dikastereve ose ndërmarrjeve. Përzgjedhjen e bënte vetëm shteti. Nuk lihej as më i vogli shteg të abuzohej për mënyrën se si shpërndaheshin ato fonde. Në atë sistem kishte kontroll të rreptë financiar se si përdoreshin ato para. Edhe abuzimet ose korrupsioni qe i vogël, thuajse i padukshëm për abuzimet në shpërndarjen e atyre fondeve. Kjo ndodhi vetëm kur shumë shpejt mësuam dobësitë e ekonomisë së tregut, që për të gjithë ne ishte një risi. Atëherë nuk e dija kuptimin e fjalës tender. U detyrova të hap fjalorët e anglishtes. Mësova vetëm kuptimin e fjalës. Hapësirën që linte ky proces i ri ekonomik për abuzimet (vjedhjet) së pari rastësisht e mësova në plazhin e Durrësit. Ishin vitet e para të qeverisjes së Fatos Nanos. Një njeri i afërt i rrethit tim shoqëror-familjar u bë ministër. Djali i tij i vogël, duke ndenjur në rërë me fëmijët e vilës ku jetonim, u pati thënë se babai i tij nuk kishte pse të vidhte. Atij, kompania që fiton tenderin i kishte dhënë 30000 dollarë pa firmosur asnjë shkresë për marrjen e atyre parave. Kaq kishte dëgjuar fëmija në familje. Prindi nuk i kishte thënë se si ministër i ati kishte bërë bisedë paraprake me kompanitë konkurruese për të ditur se cila nga ato kishte për ti dhënë ” dhuratën” më të majme. Tenderin e fitoi biznesmeni që i ofroi më shumë dollarë. Se si ndryshoi mirëqenia e atij njeriu që mbajti detyrën e ministrit vetëm 6 muaj, e mësova kur menjëherë bleu një apartament 90000 dollarë. Nga që fjala, po doli nga goja, merr dhenë, mësova se ai shpenzoi edhe 20000 dollarë të tjerë për ndryshimet që i bëri apartamentit të bollshëm për t’u dukur edhe më modern. Nuk kisha pse të vrisja mendjen se ku i gjeti rrogëtari tërë ato dollarë. Përgjigja ishte e qartë: NGA TENDERËT që paskëshin qenë thesar i madh për pushtetarët. Në atë kohë mendova se ky lloj pasurimi i ” ndershëm” pa firmosur për marrjen e shumave marramendëse, një ditë kishte për të rënë në sy. Kishte për të plasur si flluskë sapuni. Vërtetë, ajo ditë erdhi. Shumë vonë, po erdhi ama. Tymi i saj po del siç ndodh kur zgjidhet Papa i ri. Tym dhe vetëm tym mbi oxhak. Tymi i Vatikanit është një tym optimist, një lajm i gëzueshëm. Nuk është si tymi i zi i tenderëve që na dëshpëron të gjithë, se është tym që bie erë KORRUPSION.
Kur fitoi zgjedhjet Partia Demokratike. Për tetë vjet radhazi u bënë tenderë pambarim. Thuajse tërë ekonomia dhe zhvillimi i vendit niste që me tenderët. Pati shumë zhurmë për manipulime dhe padrejtësi në caktimin e tyre. Ajo ishte vetëm një daulle politike e opozitës. Asnjë pushtetar për abuzimet në tenderët e përfolur nuk u hetua. Për as një tender nuk u regjistrua proces penal. Paskëshin qenë të gjithë nëpunësit madhorë të PD-së tejet të ”ndershëm”, në një kohë kur populli me sytë vrojtues shikonte se si ndërtoheshin vilat, bliheshin apartamentet dhe luksi kundërmonte erë zhvatjeje. Vjedhje edhe nga krerët Berisha – Meta, me gjurmë që uluritnin në bregun ranor të Lalzit. Në atë kohë dikush më pati treguar se një biznesmen i interesuar për të fituar një tender të majmë për ndërtimin e një rruge i kishte thënë një deputeti ta ndihmonte për të qenë ai fituesi. Për këtë nder do t’i ndërtonte në Tiranë një shtëpi dykatëshe me oborr rrethuar me mur te zona e Varrit të Bamit. Nuk e di a pranoi deputeti këtë ofertë. Di vetëm që fitimi i biznesmenit do të ishte aq i madh, sa dhurata që do t’i bënte mikut të tij, i dukej gjë e vogël.
Ishte koha që korrupsioni marramendës i Shqipërisë u ra në sy dhe ndërkombëtarëve. Pa më të voglën dhembje e cilësuan Shqipërinë SHTET I KORRUPTUAR. Kur populli në zgjedhjet e radhës nuk e votoi më Sali Berishën, shpresuam se gjendja kishte për të ndryshuar. Korrupsionit kishin për t’i vënë fre. Edhe kryeministri Rama e dinte mirë që suksesi i tij do të varej edhe nga frenimi i korrupsionit. Ai ndërmori iniciativën për dixhitalizmin e administratës shtetërore në mënyrë që populli mos të zbrazte xhepat te nëpunësit për të marrë dokumentet që dëshironte. Ndryshimi ishte i dukshëm, për të mos thënë i prekshëm.
Çfarë nuk mundi, nuk deshi (se kishte përfitime) apo i doli nga kontrolli Kryeministrit Edvin Rama, ishin TENDERËT, thembra e Akilit e qeverisjes së tij. Nuk është fjala për nëpunës të vegjël. Të akuzuar janë delfinët e tij, njerëzit më të besuar dhe të afërm të tij. Nuk janë pak. Nën hetim ose të dënuar Belinda Balluku, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, Vangjush Dako, Lefter Koka dhe Alqi Bllako. Këtyre po t’u shtosh edhe një serë kryebashkiakësh të rretheve, lista bëhet e gjatë. Ata i kanë parë tenderët vetëm si thesar pasurimi pa lënë gjurmë. Harruan që në brendësi të këtij thesari, qëndron gracka e madhe me emrin SPAK. Një anësi e dukshme ose pabarazi në tendera është baraz me miliona.Ka pak mundësi që ato miliona biznesmenët ua kanë dhënë pushtetarëve nga fitimet që kanë për të pasur. Kurrë. Fitimet i ruajnë për vete. Ato para hiqen sidomos nga përdorimi i materialeve me cilësi më të dobët. Rezultati objekti nuk do të jetë i cilësisë së duhur. Humbësi në këtë rast është shteti që përfaqëson taksapaguesit. Një provë e dukshme për këtë janë cilësia e dobët e rrugëve. Për dëmet në objekte të tjera madhore si tunelet apo urat vetëm specialistët mund të përcaktojnë dëmin e pritshëm. Me abuzimet në çdo tender kemi së pari pasurimin antiligjor të pushtetarit që me firmë e vulë sanksionon pabarazinë dhe së dyti kemi dëmin e pritshëm ekonomik që i bëhet shtetit. Në vendet me demokraci funksionale për raste abuzimesh të tilla financiare nga elita shtetërore qeveria jep dorëheqje. Zhvillohen zgjedhje të parakohshme që populli të përzgjedhë fituesin. Te ne ,ku opozita është më e korruptuar se pozita dhe e përçarë, me një kryetar ( bashkë me familjen) NON GRATA për korrupsion dhe kapje të drejtësisë, kërkohen me zë të mekët zgjedhje të parakohshme me kushte specifike për qeveri teknike. Me zë të fortë kërkohet përmbysje bolshevike. Një opozitë që ka mbi dhjetë vjet që kërkon të përmbysë qeverinë me dhunë. Pavarësisht nga kjo, nuk po shikoj që Partia Socialiste ka vënë gishtin mbi plagën TENDER dhe ka gjetur zgjidhjet më efikase për zvogëlimin maksimal të abuzimeve dhe shpërdorimeve. Nga Kryeministri Edi Rama populli pret që në këtë situatë tejet të vështirë ta dëgjojë për shkaqet e korrupsionit të qeverisë së tij dhe të mësojë masat urgjente konkrete që po mendon të marrë Partia Socialiste kundër këtij KORRUPSIONI brenda radhëve të saj.



