Tensione në relacionin Podgoricë – Moskë
Protestat e një pjese të opozitës, e cila është tubuar në të ashtuquajturin Fronti demokratik, i kanë acaruar marrëdhëniet zyrtare në relacionin Podgoricë – Moskë deri në masën që nga vet Kremlini është akuzuar pushteti malazez për demonizim të Rusisë.
Ndërkaq, Podgorica është përgjigjur se është e dukshme që Moska po i mbështetë protestat në mënyrë që ta pamundësojë hyrjen e Malit të Zi në NATO.
Kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, gjatë vizitës së tij në Lublanë, të martën, ka deklaruar se mbështetja e tillë e Moskës zyrtare për protestat ka qenë e qartë.
“Nuk ka nevojë për interpretim. Rusia ka dërguar tri porosi të qarta dhe të drejtpërdrejta përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme. Porositë kanë qenë më shumë se të drejtpërdrejta dhe më shumë se eksplicite”, ka thënë Gjukanoviq.
Vetëm disa orë pas kësaj deklarate të Gjukanoviqit, i cili po ashtu ka theksuar se Moska po provokon trazira në Podgoricë, për t’ia zvogëluar shanset e malit të Zi për të hyrë në NATO, ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme të Rusisë.
Në deklaratën e saj, Moska e ka fajësuar Gjukanoviqin se ai dëshiron ta bartë përgjegjësinë për përplasjet në Podgoricë, për siç thuhet “injorimin e tërësishëm të mendimin të pjesës së rëndësishme të shoqërisë malazeze”.
Në këtë deklaratë për shtyp, gjithashtu thuhet se “Gjukanoviqi, në asnjë mënyrë nuk provuar qëndrimet e tij për përzierjen e Rusisë në nxitjen e tensioneve sociale në Mal të Zi, pasi që fakte të tilla nuk ka”.
Kremlini zyrtarë gjithashtu ka folur për protestat disa javore të një pjese të opozitës duke konstatuar se është mjaft i brengosur për “dhunë të tepërt, të cilën autoritetet e Malit të Zi e kanë përdorur për të ngulfatur protestat e qeta”.
Ndaj deklaratave të autoriteteve Ruse, ka reaguar Qeveria e Malit të Zi, duke konstatuar se deklaratat e fundit të Ministrisë së Jashtme ruse janë vërtetim i bazimit të pretendimeve të Gjukanoviqit për përzierjen e Rusisë në protestat kundër NATO-s.
Në anën tjetër, senatori amerikan, Jon McCain, duke folur për mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, ka theksuar se ky do të nënkuptonte një përparim për Malin e Zi, por edhe për NATO-n.
“Jam i lumtur që administrata amerikane e ka mbështetur Malin e Zi dhe e ka mbështetjen e plotë të Kongresit. Ne do të bëjmë gjithçka që varet nga ne që këtë proces ta inkurajojmë. Kjo është një kohë e rrezikshme, me Putinin në hov dhe besoj që Malit të Zi i nevojitet anëtarësimi në NATO. Rusia po vazhdon ta inkurajoj opozitën që të jetë mjet i propagandës së saj”, ka theksuar senatori Mc Cain.
Por, çfarë thonë analistët politik lidhur me situatën e krijuar në relacionin Podgoricë – Moskë?
Kryetari i Qendrës për studime ndërkombëtare në Zagreb, Rradovan Vukadinoviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se është e dukshme që Rusia ka interes afatgjatë dhe strategjik për Malin e Zi, gjë që e ka treguar me një numër shembujsh.
“Këtu në Ballkan, Mali i Zi, së bashku me Serbinë, është pika e vetme ku Rusia eventualisht mund të kërkoj marrëdhënie miqësore. Prandaj, hyrja e Malit të Zi në NATO, për Rusinë do të thotë që një ide e tillë është e shlyer në mënyrë definitive”, theksoi Vukadinoviq.
Boshko Jakshiq, njohës i zhvillimeve politike nga Serbia, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia mund të pajtohet me faktin që vendet e Evropës juglindore të hyjnë në Bashkimin Evropian, por kurrsesi nuk pranon që NATO-ja të zgjerohet në Ballkan.
“Është e qartë që Moskës në asnjë mënyrë nuk i konvenon afrimi në NATO i Malit të Zi, dhe nëse ndërlidhen gjërat, natyrisht që i konvenon e gjithë ajo që është dëgjuar në protestat e opozitës në Mal të Zi dhe pastaj, ajo i mbështet qëndrimet e opozitës”, ka theksuar Jakshiq.
Ai parasheh që marrëdhëniet e ardhshme ndërmjet Podgoricës dhe Moskës, do të jenë mjaft të këqija dhe të tendosura, për një kohë të gjatë.