Thirrja e gruas: Mos u bashkoni me ISIS-in!
“Mos bëni gabim të vini këtu. Nuk është vend për gra dhe fëmijë. Është vend i rrezikshëm“. Këto janë fjalët e Shuki Begum, nënë e 5 fëmijëve nga Mbretëria e Bashkuar, e cila mundi t’i shpëtonte Shtetit Islamik. Ajo kaloi 10 muaj nën regjimin e tij dhe 3 muaj si peng në burgjet e tyre.
Shuki nuk shkoi për t’iu bashkuar kalifatit, por për të kthyer në shtëpi të shoqin, një ish i burgosur në Guantanamo, i cili i ishte bashkuar luftëtarëve të Shtetit Islamik.
Aventura e saj nisi gushtin e vitit të kaluar, teksa ndodhej për pushime në Turqi e prej andej vendosi të shkonte të takonte të shoqin e ta kthente atë në shtëpi për fëmijët. Stacioni i parë ishte qyteti i Rakas. E bashkuan me një dyzinë familjesh të tjera që prisnin të bashkoheshin atje. Për t’i bërë për vete, ata që i bashkohen Shtetit Islamik, janë përdorur imazhe mbresëlënëse dhe joshëse për një jetë të bukur, por Shuki thotë se realiteti nuk ka lidhje me çfarë reklamohet.
“Atje gjen qindra familje që jetojnë në një gropë dhe ndajnë mes tyre dy tualete dhe dy kuzhina. Kudo ndesh fëmijë që qajnë, foshnje të sëmura. Në atë ambient mbizotëron një mentalitet gangsterash ndër femrat e vetmuara. Flitet vetëm për dhunë, për luftën”, tregon Shuki.
Më vonë arriti të bashkohej me të shoqin, por nuk e bindi dot të kthehej në shtëpi, ndërsa peripecitë e saj nuk kishin përfunduar: “Na mbajtën në një bodrum për 86 ditë. Ishte shumë e vështirë për mua dhe fëmijët e mi. U kërkova që të mund të kontaktoja me familjen time, por nuk më lanë”.
Qëllimi i Shukit ishte të qëndronte atje vetëm për një muaj, por tani, e gjendur në mes të rrugëve pa para’ dhe pa një pasaportë, ndihet si në çark. E vetmja shpresë është të bashkohet me ushtrinë e klandestinëve. Ajo ka vendosur ta ndajë historinë e saj me të tjerët për t’i bërë thirrje të mos bëjnë atë që bëri ajo.
“Dua t’i bëj një thirrje të gjitha femrave që ndoshta po e mendojnë t’i bashkohen ISIS-it, që mos ta bëjnë. Këtu nuk mund të keni autonomi personale, as mos t’ju shkojë ndër mend. Nuk mund të vini këtu dhe të ikni kur të doni. Kjo gjë është e pamundur”, thotë Shuki.