Tirana-Partizani në RTSH, Kërnaja: Derbi luhet dhe fitohet
Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, ka folur për mediat në prag të derbit kundër Tiranës, që do të luhet nesër në stadiumin “Air Albania” dhe do të transmetohet drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht në RTSH 1 në orën 19:00.
Si paraqitet gjendja ekipit në prag të derbit?
Kuptohet derbi, ana emocionale djemtë janë në maksimumin e mundshëm, dëshira është në kufijtë e tyre. Besoj se nuk ka nevojë për ndonjë shtysë kjo ndeshje. Të gjithë duhet ta luajmë dhe ta shijojmë, sigurisht dhe ta fitojmë. Ana fizike paraqitet e mirë djemtë vrapojnë, jemi stërvitur në rregull dhe presim nesër ditën e ndeshjes.
Përsa i përket situatës së dëmtimeve apo rikthimeve?
Dëmtime nuk ka. Rikthime mund të jetë ndonjë emër i ri ndoshta ta shikojmë edhe sot në stërvitje. Për mungesa dihet janë Ismaili dhe Bytyçi që u ndëshkuan me kartona, pjesa tjetër është e gatshme.
Presioni në derbi?
Historia ka treguar që në derbi nuk shikohet renditja, nuk shikohet forma, nuk shikohet momenti, shikohet vetëm dita e ndeshjes. Disa herë ka fituar edhe ekipi që nuk renditet më mirë, ose ekipi që vjen nga një gjendje jo e mirë. Të themi të drejtën ndoshta nëse do merren 5 javët e fundit Tirana vjen me një gjendje më të mirë se ne, me anë të pikëve jo të lojës. Ka marrë më shumë pikë se ne, por nëse shohim 14-15 javët e fundit duke filluar mbas Janarit ne jemi ndër ekipet që kemi rezultatet më të mira kemi vetëm 2 humbje dhe këto janë ndaj dy ekipeve kryesuese Vllaznisë dhe Elbasanit. Derbi është tjetër gjë nuk shikohen fare as statistikat, as renditja, as pikët. Derbi është aty për tu luajtur dhe për tu fituar.
Çfarë biseduat me tifozët pas takimit ndaj Bylis?
Me tifozët sigurisht që kemi marrëdhënie shumë të mirë i falenderoj për pjesëmarrjen. Nëse në këto 3 javë nuk kanë qenë rezultatet që kemi pritur ata janë për tu duartrokitur kanë qenë të shumtë prezent. Ka qenë një bisedë mes miqsh që ne do japim maksimumin si në derbi si në çdo ndeshje tjetër. Kështu që ne hyjmë edhe nesër për të dhënë maksimumin në fushë. Kjo ka qenë e gjitha.
Derbi do të zgjidhet nga episodet apo mund të presim ndonjë dominim?
Nuk besoj se ka një dominim të madh në derbi, nuk ka patur asnjëherë. Edhe në derbin tonë të fundit kemi dominuar për 70 minuta, pastaj pjesën e fundit ka patur Tirana më shumë përparësi sigurisht edhe nga rezultati. Në derbi ka të bëj shumë faktori, qasja e djemve. Ndoshta shumë më pak do hyjmë në skemat dhe studimet tona, por ka të bëj më shumë qasja në këtë ndeshje.
Deklarata e Presidentit Demi dhënë pas derbit të fundit?
Presidenti mund të thotë që kampionati nuk ka kuptim pa derbi, por sigurisht që nuk lidhet me ndeshjen tonë. Ne shohim vetëm objektivat tona do hyjmë për ta fituar, pjesa tjetër i takon fushës. Sigurisht do hyjmë si në çdo ndeshje për ta fituar e riktheksoj. Nëse në ndonjë ndeshje tjetër djemtë duhet të kenë ndonjë motiv kjo ndeshje nuk ka nevojë për motivim shtesë sepse e ka vetë motivimin brenda kështu që hyjmë për ta fituar. Shpresoj të jetë i njëjti rezultat si në dy derbit e fundit 0 – 2.


Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.