Tiranë: Koncesioni i terminalit të autobusëve, do miratohet në 27 shtator
Ndërkaq, përmbajtja e kontratës nuk është bërë ende publike, ndërkohë që këshilltarët e Këshillit Bashkiak janë njoftuar se ajo do iu vihet në dispozicion në ditët në vazhdim. Gara për këtë koncesion është shpallur pranë Agjencisë së Prokurimit Publik në janar të vitit 2017, ndërsa ishte e hapur edhe për kompanitë ndërkombëtare të interesuara.
Firma fituese, që në këtë rast do të jetë konsorciumi i mësipërm do të kryente hartimin e detajuar dhe zbatimin e ndërtimit të një terminali të ri të transportit publik, mirëmbajtjen e tij të zakonshme dhe të jashtëzakonshme, si dhe menaxhimin e mëvonshëm të terminalit të transportit publik të Tiranës. Në dokumentet e tenderit përcaktohej se menaxhimi mund të shkonte deri në 35 vjet, por kohëzgjatja e saktë do të zbardhet pasi të publikohet kontrata mes palëve.
Vlera e vlerësuar e projektit është 15.477.857,31, ndërkohë që Bashkia do të ofrojë një truall prej 85,000 metra katrorë vendosur përgjatë korridorit kryesor që çon në veri-perëndim, nga qyteti në drejtim të Durrësit. Në shkëmbim, të gjitha tarifat e vendqëndrimit të autobusëve, të ardhurat e qiradhënies me pakicë, dhe tarifat e parkimit, do të arkëtohen nga Operatori Ekonomik për amortizimin e CAPEX-it të tij fillestar, shpenzimet operative, dhe për mbulimin e shërbimit të borxhit.