Rajoni

Topi është në fushën e Greqisë

greqiqqqEdhe 12 ditë kanë mbetur për të arritur një marrëveshje mes Greqisë dhe huadhënësve. A mund të zgjidhet mosmarrëveshja e borxhit me Greqinë në mbledhjen e eurogrupit në Luksemburg?

As ministri gjerman i Financave Volfgang Shojble, as ministri grek i Financave Janis Varufakis nuk shohin një shans real që mosmarrëveshja e borxhit me Greqinë mund të zgjidhet në mbledhjen e eurogrupit në Luksemburg. Varufakis tha para mbërritjes së tij në Luksemburg, se nuk e besonte një gjë të tillë. “Tani është koha për liderët politikë për të arritur një zgjidhje,” tha Varufakis të mërkurën në mbrëmje në Paris. Kancelarja gjermane Angela Merkel i paralajmëroi grekët në një deklaratë qeveritare në Bundestag në Berlin, se tani e kanë ata radhën. “Aty ku ka vullnet, ka një rrugë,” tha Merkel.

Stacioni tjetër: Samiti i BE-së

Pra i mundshëm është një rinegocim i liderëve të BE-së me kryeministrin grek Aleksis Tsipras javën e ardhshme në samitin e BE-së në Bruksel. Një mundësi tjetër do të ishte një samit i veçantë i 19 vendeve të euros. Por diplomatët e frustuar të BE-së në Luksemburg vënë në dukje se në katër muajt e fundit tani ka pasur mjaft samite të tilla të veçanta dhe në to nuk është gjetur ndonjë rrugëdalje. “Përveç kësaj nga ministrat e financave duhet të merren vendimet formale për të përfunduar programin e ndihmës dhe për të paguar 7,2 milardë eurot” tha një punonjës i BE-së. Por koha nuk pret sepse programi i ndihmës merr fund automatikisht më 30 qershor.

A do të arrihet një zgjidhje e madhe?

Përfaqësuesit e tre huadhënësve, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Qendrore Evropiane dhe Komisioni Evropian, mendojnë se qeveria greke do t’i bjerë murit me kokë dhe e ka vënë gjithçka në një kartë. “Grekët duket se mendojnë se eurogrupi nuk do të lejojë Greqinë të falimentojë, në mënyrë që të mos rrezikohet euroja.” mendon një zyrtar i BE-së. “Zgjidhja politike” që do të kërkojë përsëri në Luksemburg, ministri grek i Financave i Janis Varufakis, përfshin një falje të borxheve ose të paktën një ristrukturim të borxhit qeveritar kryesisht ndaj FMN-së dhe Bankës Qendrore Evropiane.

Kreu i ESM, fondit europian të shpëtimit, Klaus Regling, kujtoi në Luksemburg se Greqia deri në zgjedhjet në janar ishte në të vërtetë në një rrugë shumë të mirë. Vendet e tjera në krizë, Irlanda, Portugalia dhe Spanja i kanë paguar mandje borxhet e tyre të mara nga fondi i shpëtimit.

“Greqia është një kategori tjetër. Deri në mes të vitit të kaluar, ka pasur progres të rëndësishëm. Aftësia konkurruese është rritur dhe ka pasur rritje ekonomike. Shteti ishte madje në hedhur në treg bono të reja. Por, që nga fundi i vitit të kaluar, situata është përkeqësuar” tha Klaus Regling. Mediat greke raportojnë se ekonomia do të tkurret përsëri dhe bankat greke janë nën presion të madh. Grekët po tërheqin shumë para dhe po shtohet volumi i kredive të këqija, të cilat nuk mund të shlyhen. Banka Qendrore Evropiane vazhdon t’i mbështesë katër bankat e mëdha duke u aprovuar “hua emergjente”. Por kjo gjendje nuk mund të vazhdojë përgjithmonë, thotë Banka Qendrore në Frankfurt.

Ndoshta zgjedhjet të reja në Greqi

Qeveria greke ndërkohë e ka refuzuar kontrollin mbi lëvizjet e kapitalit. Zëvendësministri për Marrëdhëniet Ekonomike Ndërkombëtare, Euklidi Tsakalotos, tha në një intervistë me BBC, nëse qeveria e tij nuk mund të arrijë një marrëveshje me evropianët, do të ketë zgjedhje të reja apo një referendum. “Ne nuk kemi një mandat nga qytetarët grekë që të braktisim eurozonën”, tha Tsakalotos. Presidenti i Deutsche Bundesbank, Jens Weidmann e paralajmëroi që të mos bëhen përpjekje me çdo kusht për ta mbajtur Greqinë në zonën e euros. Rreziqet e mundshme të përhapjes së problemit që rrjedhin nga një dalje greke nga zona e euros nuk duhet të jetë një carte blanche për Athinën, tha Weidman në një intervistë me shtypin e huaj. “Ndërpreja e marrëveshjeve dhe ndalimi i pagesa ndaj partnerëve që e kanë ndihmuar apo ndaj BQE-së do të kenë për Greqinë me siguri pasoja të vështira për të kontrolluar. Në fund të fundit, përgjegjësia për qëndrimin e vendit në zonën e euros i takon qeverisë greke.” Ky është edhe mendimi unanim në ministrave të Financave në Luksemburg. Topi është në fushën e Greqisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button