Trupi i gjymtuar i gjetur në Belgjikë i përket një studenti shqiptar
Policia dhe drejtësia belge kanë përcaktuar se trupi i pajetë, pa kokë, krahë dhe këmbë, që u gjet në qershor të këtij viti, i përket një studenti shqiptar.
Ngjarja makabër u zbulua më 9 qershor të këtij viti, por vetëm dje ekspertët mundën ta identifikonin viktimën. Ende nuk dihet shkaku dhe rrethanat e vdekjes, por ekspertët thanë se 22-vjeçari ishte skeduar më parë për rrahje dhe trafik kanabisi.
Sipas gazetës ‘Shqip’, drejtësia dhe Prokuroria e Brukselit i kanë dhënë përgjigje policisë vendase, duke u konfirmuar se trupi i cunguar i përkiste shqiptarit Xhuliano B., 22 vjeç. Ai ishte student në vitin e parë të Universitetit Libre në Bruksel, ku studionte për Drejtësi.
Ndërkaq, mësohet se janë lajmëruar familjarët, teksa po kryen hetimet për të përcaktuar rrethanat e vrasjes. Lajmin e kanë pasqyruar në vazhdimësi, që nga gjetja e mbetjeve njerëzore dhe deri në identifikimin e viktimës disa media belge, si “Lacapitale”, “7sur7”, “Metrotime” etj.
Sipas njoftimeve të mediave belge, ishin pikërisht punëtorët e Komunës Jette, atë të cilët në orën 11:55 të së martës, më 9 qershor 2015, bënë zbulimin e tmerrshëm në një pyll, në kufirin midis Jette dhe Wemmel. Punëtorët gjetën një valixhe të madhe sportive, e cila kishte brenda një bust njeriu, të cilit i mungonte koka, parakrahët dhe një pjesë e këmbëve.