UEFA Development U15, Shqipëria mundet nga Sllovakia
Shqipëria U-15 për djem ka luajtur këtë të premte sfidën e dytë kundër Sllovakisë, e vlefshme për turneun “UEFA Development U-15” për djem. Në ndeshjen e luajtur në “Qendrën Sportive të Ekipeve Kombëtare” në Kamëz, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Armand Dama u mundën me rezultatin 4-3, teksa dhuruan një paraqitje spektakolare, me tre gola të realizuar e shumë raste të tjera të arta për të shënuar.
Trajneri Dama e nisi ndeshjen ndaj Sllovakisë me këtë formacion: Raffaele Huli (GK), Darli Kurti, Lucas Cekrezi, Matia Koci, Milan Kovaci, Kris Gecaj (c), Serxho Vogli, Endri Agolli, Leo Begolli, Alen Vukaj, Emiljano Mihana.
Ndeshja nis mjaft mirë për kuqezinjtë, të cilët kontrollojnë mirë topin dhe arrijnë të fitojnë një penallti në minutën e 10-të, me Emiljano Mihanën që pengohet brenda zonës kundërshtare. Dhe është pikërisht Mihana, ai i cili kalon në avantazh ekipin, pasi ekzekuton në mënyrë të saktë këtë 11-metërsh.
Epërsia e kuqezinjve zgjat shumë pasi sllovakët arrijnë të gjejnë golin e barazimit në minutën e 11-të, me Simon Koribskyn. Ndeshja bëhet më e luftuar pas këtyre dy golave, me të dyja ekipet që kërkojnë të gjejnë sërish rrjetën. Në minutën e 26-të ka sërish penallti, por këtë herë në favor të sllovakëve, pas një ndërhyrje të gabuar nga mbrojtësi i ekipit tonë. Maxim Mateas realizon golin e dytë për Sllovakinë, duke kaluar kështu në epërsi ekipin e tij.
Në minutën e 31-të të takimit, Emiljano Mihana bëhet sërish protagonist te kuqezinjtë, teksa dhuron një top mjaft të bukur për Endri Agollin, i cili futet në zonën kundërshtare dhe dërgon topin në rrjetë duke mposhtur portierin sllovak e duke barazuar kështu edhe shifrat në 2-2. Pesë minuta më vonë, sllovakët realizojnë sërish David Poltak, teksa pjesa e parë mbyllet me rezultatin 2-3 për kundërshtarët, me pesë gola të shënuar dhe me një ndeshje spektakolare nga të dyja ekipet.
Në fraksionin e dytë të lojës, trajneri Dama bën disa zëvendësime, duke freskuar ekipin. Darli Kurti, Matia Koci e Leo Begolli lënë lojën, teksa në vend të tyre Dama hedh në fushë Elio Gjoshin, Arian Gavellin e Xhoni Shegën. Pas disa rasteve mjaft të mira për kuqezinjtë, të cilët shkojnë disa herë pranë zonës kundërshtare për të gjetur golin e barazimit, ky moment vjen vetëm në minutën e 65-të. Xhoni Shega dhuron një top mjaft të bukur në drejtim të Alen Vukaj, i cili e dërgon drejt e në rrjetën kundërshtare duke barazuar shifrat. Barazimi zgjat pak minuta, pasi sllovakët na ndëshkojnë sërish në minutën e 70-të, duke realizuar kështu golin e katërt e duke vulosur edhe rezultatin e kësaj ndeshje me shifrat 4-3. Minuta në këtë pjesë të dytë kishte edhe për Armir Boriçin, Uesli Arapin e Amer Kthupin.
Kjo ishte ndeshja e dytë e këtij turneu që po zhvillohet në Shqipëri, teksa sfidat e fundit do të luhen më datë 7 nëntor, me Ishujt Faroe – Sllovaki që do të luhet në ora 10:00 dhe Shqipëri – San Marino në orën 13:30. Aktualisht, Shqipëria është në kuotën e tre pikëve, ndërsa në vendin e parë renditet Sllovakia me gjashtë pikë. San Marino e Ishujt Faroe do të luajnë me njëra-tjetrën në ora 13:00.