Uljet dhe ngritjet te Partizani, a mjafton vetëm “Final 4”… Mungesa e vazhdimësisë “vrau” pretendimet e “demave”
Sezoni i Partizanit në këtë kampionat ka qenë një ndër më të luhatshmit e viteve të fundit, pasi skuadra ka kaluar nga momentet më të vështira, deri te periudha kur u duk se mund të rikthehej seriozisht në garën për titull, për t’u rikthyer sërish në një situatë delikate ku tashmë objektivi i vetëm mbetet […]
Sezoni i Partizanit në këtë kampionat ka qenë një ndër më të luhatshmit e viteve të fundit, pasi skuadra ka kaluar nga momentet më të vështira, deri te periudha kur u duk se mund të rikthehej seriozisht në garën për titull, për t’u rikthyer sërish në një situatë delikate ku tashmë objektivi i vetëm mbetet pjesëmarrja në “Final Four” dhe sigurimi i një vendi në Kupat e Europës për sezonin e ardhshëm.
STARTI- Të kuqtë e nisën sezonin në mënyrën më të dobët të mundshme, duke mos arritur të gjenin as rezultatet dhe as identitetin e lojës që pritej nga një skuadër me objektiva madhorë, ndërsa pas vetëm gjashtë javësh kampionat drejtuesit vendosën të ndërhyjnë duke shkarkuar trajnerin serb Mladen Milenkoviç, i cili nuk arriti të justifikonte besimin dhe pritshmëritë e klubit. Skuadra në atë moment ndodhej larg zonës që pretendonte, me shumë paqartësi në lojë dhe me një grup që dukej se kishte humbur sigurinë dhe besimin, ndërsa presioni nga rezultatet negative po shtohej nga java në javë, duke krijuar një atmosferë aspak të qetë në kampin e kuq.
NDRYSHIMI- Pas largimit të Milenkoviç, drejtimi i ekipit iu besua Oltijon Kërnajës, i cili arriti të ndryshonte ndjeshëm situatën dhe t’i jepte Partizanit një tjetër frymë, duke rikthyer qetësinë, organizimin dhe besimin te grupi, elementë që mungonin qartë në javët e para të sezonit. Me ardhjen e tij, Partizani nisi të shfaqej një skuadër më konkurruese, më e ekuilibruar dhe më e qartë në mënyrën se si kërkonte të arrinte rezultatet, ndërsa gradualisht nisi edhe ngjitja në renditje, duke rikuperuar terren ndaj rivalëve direkt dhe duke u futur sërish në garë për objektivat sezonalë. Madje, në një moment të kampionatit, Partizani arriti të ngjitej në vendin e katërt dhe jo pak njerëz nisën të besonin se skuadra mund të synonte edhe më shumë, pasi diferencat në renditje nuk ishin të mëdha dhe forma e ekipit ishte dukshëm më e mirë krahasuar me fillimin e sezonit. Në atë periudhë, të kuqtë jo vetëm fitonin ndeshje të rëndësishme, por jepnin edhe sinjale të qarta se mund të futeshin në garën për titull, pasi ekipi kishte gjetur stabilitet, lojtarët kyç po jepnin më shumë dhe grupi po funksiononte me një tjetër mentalitet. Megjithatë, pikërisht në momentin kur duhej vazhdimësia dhe konfirmimi përfundimtar, Partizani hasi vështirësitë më të mëdha, pasi faza e katërt e kampionatit rezultoi zhgënjyese dhe ndoshta vendimtare për fatin e sezonit, duke bërë që skuadra të humbiste terren në mënyrë të ndjeshme.
RËNIA- Në këtë pikë të kësaj faze ekipi ende nuk ka arritur të fitojë ndeshje, duke lënë shumë pikë të rëndësishme përballë kundërshtarëve dhe skuadrave që në letër konsideroheshin më të kalueshme, ndërsa mungesa e fitoreve bëri që ëndrra për titull të zbehej plotësisht. Rezultatet negative të javëve të fundit e kanë penalizuar jo pak Partizanin, i cili tashmë renditet në vendin e pestë me 45 pikë, po aq sa Dinamo e vendit të katërt, çka do të thotë se gara për “Final Four” mbetet ende e hapur, por çdo gabim në këtë fazë mund të rezultojë fatal. Në këto kushte, fjala titull nuk mund të përmendet më, sepse realiteti i skuadrës është krejt tjetër dhe synimi i vetëm i mbetur është sigurimi i pjesëmarrjes në “Final Four”, një objektiv minimal për një klub si Partizani, por që në këtë moment mbetet thelbësor për të shpëtuar sezonin. Kjo ecuri konfirmon qartë se sezoni i Partizanit ka qenë i mbushur me ulje dhe ngritje, ku skuadra herë është dukur pranë objektivave madhorë dhe herë është rikthyer në një krizë rezultatesh që ka vënë në diskutim gjithë punën e bërë gjatë muajve të fundit. Problemi më i madh i të kuqve ka qenë mungesa e vazhdimësisë, pasi ekipi nuk arriti të mbante të njëjtin ritëm në momentet vendimtare të sezonit dhe pikërisht aty humbi mundësinë për të marrë më shumë nga ky kampionat, edhe pse potenciali për të bërë më tepër ishte i dukshëm.
OBJEKTIVI I MBETUR-Në fund, Partizani do të duhet të kënaqet me luftën për pjesëmarrjen në “Final Four” dhe me objektivin për të siguruar një vend në Kupat e Europës për sezonin e ardhshëm, sepse vetëm në këtë mënyrë sezoni mund të konsiderohet i shpëtuar dhe jo plotësisht i dështuar. Në të kundërt, nëse skuadra nuk arrin as këtë objektiv minimal, atëherë ky sezon do të mbahet mend si një mundësi e humbur dhe si një kampionat ku Partizani, pavarësisht potencialit dhe reagimit të bërë pas ndryshimit të trajnerit, nuk arriti të marrë atë që realisht mund të pretendonte.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.