Kronika

Urdhër arresti për pronarin e Agon Channel, sipërmarrësin italian Francesco Becchetti.

benetProkuroria sekuestron pasuritë e sipërmarrësit italian Francesco Becchetti. Dyshime për pastrim parash. Urdhër arresti dhe për një bashkëpunëtor italian. Në pranga një bashkëpunëtore shqiptare dhe një drejtuese banke në Tiranë.

Prokuroria shqiptare ka lëshuar një urdhër arresti për sipërmarrësin italian Francesco Becchetti, pronar i disa shoqërive në Shqipëri, mes të cilave dhe i televizionit Agon Channel, i cili ka dhe një kanal me të njejtin emër dhe në Itali, në platformën dixhitale tokësore. Becchetti dyshohet, sipas autoriteteve shqiptare, të jetë “i përfshirë në një skemë gjigande pastrimi parash, e cila arrin në miliona euro”.

Prokuroria njoftoi se ka siguruar deri më tani “prova të mjaftueshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm se personat e mësipërm kanë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave tё kryer nё bashkëpunim dhe mё shumё se njё  herё”  dhe  “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Të njejtat akuza bien dhe mbi dy shtetas të tjerë italianë, Mauro de Renzis, bashkëpunëtor i Becchettit, ndaj të cilit po ashtu është lëshuar një urdhër arresti, dhe Liliana Condomitti, e cila është mamaja e Becchettit. Për shkak të moshës mbi 70 vjecare, ndaj zonjës Condomitti nuk ka urdhër arresti.

Ndërkohë në Tiranë ka përfunduar në pranga Erjona Troplini, bashkëpunëtore e tij në shoqëritë në zotërim si dhe Pranvera Gjika, drejtuese e një Banke të nivelit të dytë e cila dyshohet se ka ndihmuar Becchetti-n në transaksionet e tij financiare jo të rregullt. Me urdhër të Gjykatës është vënë në sekuestro pjesa e aksioneve (60 përqind) që Becchetti ka në të paktën 5 kompani në Shqipëri, e po ashtu dhe llogaritë bankare të tij dhe personave të tjerë të dyshuar.

Hetimet ndaj tij kanë nisur vitin e kaluar pas një materiali që është referuar nga Policia e Tiranës, lidhur me aktivitetin e shoqërisë së Becchetti-t në fushën e energjisë, dhe koncesionin në hidrocentralin e Kalivacit, një ndër koncesionet e para që në fund të viteve ’90, por që asnjëherë nuk u përfundua. Sipas prokurorisë, nëpërmjet manovrave financiare, të shtrira në harkun kohor 2007-2013, dhe të zbuluara tashmë nga hetimi, sipërmarrësi italian së bashku me të ëmën, “kanë përfituar në mënyrë të paligjshme miliona euro, të cilat më pas i kanë investuar në shoqëritë “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”, të administruara po prej tyre, në bashkëpunim edhe me Mauro de Renzin dhe Erjona Troplinin. Ndërsa një pjesë të parave të përfituara nga manovrat financiare i kanë depozituar në disa banka”, shpjegohet në njoftimin e prokurorisë, sipas të cilit, Becchetti, ka shmangur pagesën e detyrimeve ndaj tatimeve në një vlerë që shkon mbi 5 milion euro.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button