Video humoristike, familja Berisha sulmon aktorin Besart Kallaku
Vizitën e aktorit të Portokallisë pranë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ish-Kryeministri Berisha e cilësuar si një tentativë për të diskretituar procesin hetimor lidhur me akuzat e bëra nga deputeti Tom Doshi. “Në një akt prej ordineri, të denjë vetëm për njerëz të lidhur me krimin si ai, Meta, për të diskretituar procesin e hetimit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, dërgoi në oborrin e kësaj prokurorie Kallakun e Portokallisë të Çakullit. Meta me këtë akt të padenjë deshi të bindë falangat e tij se procesi i hetimit për akuzat për vrasjen e dy deputetëve është thjesht si një skeç i Portokallisë, të cilin ai e kontrollon plotësisht. Me Kallakun e tij në oborrin e prokurorisë që heton akuzën më të rëndë në historinë e pluralizmit dhe vendosjen e këtij akti të shëmtuar nga Rama në FB-në e tij, Meta dhe Rama me cinizëm ekstrem dhe poshtërim ndaj një institucioni shtetëror u thonë prokurorëve të shtetit që hetojnë çështjen “dëgjoni ju, se rezultati i hetimit tuaj është një dhe vetëm një, ky që deklaroi Kallaku në oborrin tuaj”-deklaroi Berisha për aktorin e Portokallisë.
Pas tij, aktorin e sulmoi edhe djali, Shkëlzeni, duke deklaruar se politika po e përdor artin. “Politika është gjithmonë e kudo objekt i humoristëve. Përgjithësisht është humori që “thumbon” politikën për të fituar publikun, por këtu është politika ajo që abuzon “humorin” për interesat e ditës. E ka bërë prej kohësh, por tani që ka pushtetin e ka zhveshur dhe nga ajo vlerë që i kishte mbetur deri para 23 Qershorit. Kriticizmin ndaj qeverisë. Sot, njëlloj si njëherë e në një kohë, “humori” i bën fresk pushtetit dhe “tall” armikun e klasës. Në këtë sistem, interesi e nxjerr “artistin”nga skena e publikut dhe e fut në bagazhin e “Baba Takut” ku i duhet partisë, sepse vlera dhe mbështetja që ai merr nga publiku është më e vogël dhe e parëndësishme sesa “mirënjohja” e “Baba Takut”, deklaroi Shkëlzen Berisha
Reagimi i Bes Kallakut
Aktori i njohur Besart Kallaku ka folur për herë të parë, pas publikimit të videos ku ironizon pazaret për vrasjen me pagesë të figurave të njohura të politikës, deputetë, apo ministra. Besarti përbuz çdo tentativë për përfshirjen e tij në historitë e politikës, dhe shprehet se videoja ka qenë një parodi e politikës që vazhdon t’i trajtojë shqiptarët si tufë injorantësh. Dje, opozita e quajti një estradë të kryeministrit Rama, dërgimin e kësaj videoje në dyert e drejtësisë, për të mbyllur hetimin dhe për të fshehur të vërtetën. Ja deklarata e plotë e aktorit: “Kam kënaqësinë të njoftoj gjithë Shqiptarët që unë jam “koka” e gjithë komplotit që po trondit politikën Shqiptare dhe siç është bëre traditë këtë “komplot” e kam dokumentuar ne një video ku unë personalisht shpall oferteëkërkesën për “vrasjen” e politikanëve kryesorë. Këtë komplot e kam kurdisur në bashkëpunim me “FBI” “CIA” dhe MOSAD-it Izraelit, por për fat “komploti” u zbulua nga Ristani dhe tani Shqipëria shpëtoi.
Këto nuk munda t’i thoja në videon time komike, por si Besart Kallaku kam bërë detyrën time si artist dhe qytetar (katunar) i këtij vendi duke parodizuar farsën e fëlliqur të politikës që vazhdon t’i trajtojë Shqiptarët si tufë injorantësh që mund të tërhiqen prej hunde në baltën që kanë gatuar për 25 vjet. Video ime ishte vazhdim i asaj që kam bërë që nga dita e parë kur kam dalë në skenë, fjala e lirë e artistit. Kush qeshi me të, e falënderoj. Kush e përdori e injoroj, kush e keqpërdori e përbuz. E kush u cënua i kërkoj mirëkuptim për këtë shaka. Përbuz çdo tentativë për përfshirjen e emrit tim në historitë e ndyra të politikës; dhe ju premtoj se kam qenë, jam dhe do të jem GJINI JUAj I DASHUR, katunari që nuk mund të tradhtojë tokën dhe njerëzit e tij të dashur, dhe as nuk mund të më ndajë kush prej jush. Ndryshe nga çdo politikan që ju ka nxirë fytyrën, unë kam sjellë dritë dhe buzëqeshje në fytyrat tuaja. Dhe këtë do vazhdoj të bëj. Një përqafim për të gjithë mirëkuptuesit. Sinqerisht, Besi”!