Vrasja e dy vëllezërve në Durrës/ Ardi Veliu jep detajet: Janë 4 autorë të dyshuar, dy janë arrestuar
Veliu tha se me arrestimin e tyre u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar.
Dy vëllezër Besmir dhe Viktor Haxhia u ekzekutuan pasditen e së hënës, pranë tregut të makinave në zonën e ShënVlashit në Durrës. Ata ishin duke udhëtuar me një automjet tip Volkswagen Golf.
Vëllezërit Haxhia me origjinë nga Puka dhe me banim në Durrës, ishin përkatësisht në sediljet e pasagjerit dhe shoferit.
Veliu tha se në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas.
Njoftim/ Durrës
Zbardhen dy ngjarje të rënda kriminale, të ndodhura dy muajt e fundit në Durrës.
Vihen në pranga dy autorët e dyshuar të këtyre ngjarjeve, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shën Vlash”, i zhvilluar nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Sekuestrohen 3 armë zjarri, municion luftarak, automjeti i përdorur për kryerjen e krimit dhe 12 aparate celular.
Siç jeni në djeni, më datë 27.04.2020, në segmentin rrugor Shën Vlash-Nishtulla, ka ndodhur një ngjarje e rëndë kriminale, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy vëllezër.
Për zbardhjen e kësaj ngjarjeje menjëherë u ngrit një grup i posaçëm hetimor, me ekspertët më të mirë të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit dhe të DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Si rezultat i punës profesionale të bërë nga grupi i posaçëm hetimor, u bë i mundur grubmbullimi i provave që çuan në identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e ngjarjes.
Për këtë, nga Departamenti i Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, RENEA, FNSH Tiranë dhe Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Durrës, mbi bazën e provave të grumbulluara nga puna hetimore, u finalizua operacioni policor i koduar “Shën Vlash ”, në kuadër të të cilit u bë zbulimi, identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasve:
A. N., 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”;
K. A., 22 vjeç, banues në Durrës;
Në vijim të veprimeve, në një kanal midis Shkozetit dhe Nishtullës, nga Forcat Speciale “Renea” u bë e mundur gjetja e armëve të zjarrit të përdorura për të kryer krimin, ndërsa në Arapaj u gjet dhe automjeti i përdorur nga këta shtetas.
Falë veprimeve profesionale dhe hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor u bë e mundur edhe zbardhja e ngjarjes së ndodhur më datë 02.03.2020, në lagjen nr. 14, në rrugën “Vath Truja”, Durrës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit D. Sh., 35 vjeç dhe A. A., 24 vjeç, ngjarje për të cilën dyshohet se autorë janë dy shtetasit e arrestuar.
Po nga hetimet e kryera dhe këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se mekanizmi i kryerjes së krimit në të dyja ngjarjet është i ngjashëm dhe shkaku dyshohet të jetë prishja e pazareve për aktivitetin kriminal.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, 12 aparate telefonik të përdorur e prova të tjera të vlefshme që do i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këto ngjarje, por për aryse hetimi nuk bëjmë me dije detaje të tjera.
Zbardhja e këtyre ngjarjeve erdhi si rezultat i një bashkëpunimi, koordinimi dhe profesionalizmi mes disa strukturave, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Falënderoj Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe në mënyrë të veçantë prokurorin Gëzim Veizi, për bashkëpunimin, mbështetjen dhe profesionalizmin e treguar dhe dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për të luftuar krimin e organizuar dhe krimin në përgjithësi, si dhe ftoj qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 apo në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë.