Vuçiq: Radoiçiq gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje nga organet serbe.
“Ai definitivisht do t’i përgjigjet ftesës nga autoritetet kompetente në Serbi. Republika e Serbisë dhe autoritetet kompetente do të bëjnë punën e tyre”, tha ai.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, Vuçiq tha se Radoiçiqi gjendet në territorin “e Serbisë qendrore” dhe mohoi se është i plagosur.
Kosova ka akuzuar Radoiçiqin se ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin më 24 shtator ku u vra një polic i Kosovës dhe tre sulmues të dyshuar.
“Millan Radoiçiq kurrë nuk është fshehur, kurrë nuk është turpëruar për rolin e tij… në diçka që ka ndodhur që nuk është në të mirë të Serbisë apo që nuk i ka sjell dobi Serbisë”, tha ai.
“Ai e konsideron veten luftëtar të lirisë, ai kurrë nuk ka hequr dorë nga shokët e tij dhe kurrë nuk do ta bëjë, por ka gjëra dhe pyetje që ai duhet t’iu përgjigjet”, tha presidenti serb.
Për pjesëmarrjen e pretenduar të Radoiçiqit në sulmin ndaj Policisë – i cili është nën sanksione amerikane dhe kërkohet në Kosovë për frikësimin e dëshmitarëve në rastin gjyqësor të njohur si Brezovica – ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka publikuar edhe një video të incizuar me dron, që tha se e shfaq zyrtarin e Listës Serbe në Banjskë.
I pyetur për vërtetësinë e videos dhe nëse Radoiçiq ishte në Banjskë, Vuçiq tha se kjo do të përcaktohet nga autoritetet kompetente.
Kur u pyet për qëllimin e grupit të armatosur që sulmoi policinë e Kosovës, Vuçiq tha:
“Si mund ta di këtë, por jam i sigurt se ata shkuan të ruanin shtëpitë e tyre dhe u përgatitën për sulme në të ardhmen”.
Vuçiq tha po ashtu se “nuk mund të them” se sa sulmues ishin, pasi ka “vlerësime të ndryshme”. Autoritetet në Kosovë kanë thënë se grupi i armatosur përbëhej prej rreth 30 personash.
Ai u pyet nëse “Radoiçiq ishte udhëheqës i tyre” dhe Vuçiq tha se “nuk mund të them nëse Radoiçiqi komandon njerëzit atje, por ju më pyetët nëse i njihja ata njerëz”.
Vuçiq tha se se pjesëtarët e grupit të armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, “nuk janë terroristë”.
“Për mua si president i Serbisë ata njerëz nuk mund të jenë terroristë. A mund ta justifikojë vrasjen e një polici… nuk ka asnjë justifikim dhe për këtë autoritetet shtetërore do të ndërmarrin hapa”, tha ai.
Vuçiq tha se tani ka më shumë informacione sesa në ditën kur ndodhi sulmi, kur iu drejtua publikut në Serbi.
“Ne do të kërkojmë që të na i tregojnë pamjet me dron se si u vra polici. Nuk ishte një vrasje e planifikuar”, tha ai.
Presidenti serb sërish mohoi se shteti i tij qëndron prapa sulmit në Banjskë.
Presidenti serb po ashtu u pyet nëse kishte informacione për sulmin dhe ai u përgjigj:
“Kam pasur informacione që një vit se njerëzit po përgatiteshin për rezistencë dhe ata nuk e kanë fshehur këtë gjë”. Ai shtoi se përfaqësuesit e serbëve nga veriu i Kosovës ishin kundër heqjes së barrikadave që u vendosën në disa raste më herët kur kishte kriza në raportet mes Kosovës dhe Serbisë.
Lideri serb tha se kur ndodhi sulmi, serbët ishin duke vendosur barrikada “e jo kurthe”.
Ai tha se një polic i Kosovës “u plagos nga eksplozivët që u përdorën për të ngritur barrikadat” dhe pas kësaj kishte të shtëna armësh.
Sipas tij, më pas Policia e Kosovës nisi aksionin me synimin që të “likuidonte të gjithë serbët”. Ai pretendoi se dy sulmues u vranë pasi u dorëzuan.
Ai mohoi se një nga sulmuesit e vrarë ishte pjesë e sigurimit të drejtorit aktual të Agjencisë për Siguri dhe Informacion (BIA), Aleksandar Vullin.
Ky reagim i Vuçiqit vjen pasi Sveçla deklaroi sot se një prej sulmuesve të vrarë kishte qenë rojë e Vulinit më 2013.
“Ai person ka qenë pjesë e ‘Mbrojtjes Civile’ [organizatë e shpallur terroriste në Kosovë] dhe dhjetë vjet më parë kur Vullin ishte në Zyrën për Kosovën ai shkoi në Graçanicë dhe ai person për një ditë shërbeu si roje e tij”, tha Vuçiq.
Presidenti serb akuzoi Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, për “terror” kundër serbëve nga Kosova dhe u bëri thirrje serbëve për paqe.
Vuçiq u pyet edhe për komentet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me shpalljen e ditës së zisë në Serbi, duke e cilësuar si sinjalin më të keq që Serbia mund ta dërgonte. Lideri serb tha se dita e zisë u shpall “për shkak të ngjarjeve tragjike” dhe “vdekjen e të gjithë personave”.
“Ne e kemi shpallur ditën e zisë për tre serbët e vrarë dhe për policin e vrarë dhe mendoj se ishte një vendim i civilizuar, serioz dhe i matur”, tha ai.
Vuçiq i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të mos i bëjë më presion Serbisë”.