Kronika

Zgjedhjet, 5168 të dënuar bëhen banorë të bashkive ku ndodhen burgjet

5168 të dënuar, nga 5798 që mban aktualisht gjithë sistemi penitenciar, janë regjistruar në gjendjet civile në qytetet ku ndodhen burgjet që ata vuajnë dënimin, për të shfrytëzuar në këtë mënyrë më 21 Qershor të drejtën e votës.

Për herë të parë të dënuarit do t’u drejtohen kutive të votimit në formë masive edhe për zgjedhjet vendore, ndërkohë që ata e ushtronin këtë të drejtë vetëm për zgjedhjet e përgjithshme. Për zgjedhjet e mëparshme vendore u drejtoheshin kutive vetëm të dënuarit që ishin të regjistruar në gjendjen civile të qytetit ku ndodhej edhe burgu, duke u shoqëruar në qendrën përkatëse me automjetet e policisë së burgjeve.

Top Channel disponon listën për të dënuarit e regjistruar në zyrat e gjendjes civile për 21 burgje në vend. Kryesojnë burgu i Fushë Krujës, ku janë regjistruar për zgjedhjet lokale e që mund të konsiderohen tashmë banorë të Fushë Krujës, 455 të dënuar; burgu i Drenovës i ka siguruar Korçës për këto zgjedhje lokale 404 votues; burgu i ri i Fierit 400 të dënuar që do të votojnë si fierakë; burgu i Lezhës 706 votues; ai i Peqinit 709 votues; i Rogozhinës 420 votues dhe “Jordan Misja” ka bërë si votues kryeqytetas për zgjedhjet lokale 464 votues.

“Për zgjedhjet lokale nuk kanë votuar, por kanë votuar një pjesë shumë e vogël, pasi nuk ishte bërë regjistrimi, në bazë të detyrimeve ligjore. Një pjesë e vogël, të cilët ishin të regjistruar në zyrat e gjendjes civile, në territorin ku ndodhen institucionet, ka pasur, po ka qenë numër shumë i pakët. Pjesa më e madhe kanë qenë të kufizuar në lidhje me pjesëmarrjen në këtë proces. Prandaj theksojmë që, për herë të parë jemi të angazhuar për të përmbushur këtë detyrim ligjor dhe kushtetutes, që është e drejta e garantimit të votës. Duke u nisur nga numri i personave të paraburgosur e të dënuar që kemi çuar në gjendjen civile, rezulton 5168”, thotë drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto.

Ndërkohë, për shkak të dinamikës që kanë burgjet ku përfshihen edhe të paraburgosurit, në të gjithë vendin, 700 persona u janë drejtuar gjykatave për të marrë leje votimi. I vetmi burg që përjashtohet nga votimi është institucioni i Kavajës, pasi të dënuarit janë të mitur e nuk kanë të drejtë vote.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button