Politika

“Zgjedhjet ishin të rregullta”/Kim: Të gjitha partitë të njohin rezultatet. Qëndrimi për Metën i diskutuar me Uashingtonin

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri, Yuri Kim, deklaroi në   mbrëmjen e djeshhme, se SHBA është e kënaqur me mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet në vendin tonë. Në një intervistë televizive per emision Open,  ambasadorja tha se ODIHR ka deklaruar se zgjedhjet ishin të rregullta, pavarësisht disa problemeve të cilat nuk cenuan procesin zgjedhor.

Më tej, diplomatja amerikane uroi kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të tretë qeverisës si dhe kryedemokratin, Lulzim Basha për zhvillimin e një fushate të fortë.

“Mendoj që ODIHR, që janë vërtet ekspertët për zgjedhjet, kanë nxjerrë gjetjet e tyre fillestare dhe ne i kemi mbajtur shënim. Për shembull, ata vërejnë që zgjedhjet ishin të rregullta dhe përgëzuan autoritetet për administrimin e zgjedhjeve shumë mirë. Megjithatë, vërejtën edhe disa probleme dhe pritshmëria jonë, si SHBA, është që ato probleme do të trajtohen, por për pjesën më të madhe, siç e patë në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, përgëzuam popullin shqiptar për zgjedhje të mira, uruam Kryeministrin Rama për fitoren. Po ashtu, uruam edhe partinë e opozitës për zhvillimin e një fushate shumë të forte. Prandaj mendoj që në tërësi, jemi të kënaqur me mënyrën si u zhvilluan zgjedhjet”, tha ambasadorja Kim.

Shit blerja e votës/ Ka një numër ankimesh në SPAK dhe ata duhet t’i hetojnë këto raste

E pyetur lidhur me fenomenin e shitblerjes së votës në Shqipëri dhe faktin nëse ka parë shenja të tij në zgjedhjet e fundit, Kim tha se ka një numër ankimesh në SPAK dhe ata duhet t’i hetojnë këto raste.

Kim tha se ky problem është prekur në raportin paraprak të ODIHR dhe pohoi se shpreson që ky fenomen do të largohet nga zgjedhjet në Shqipëri.

“Është një problem që ishte në raportin paraprak të ODIHR, përveç disa aktiviteteve të tjera që shpresojmë se do të eliminohen nga zgjedhjet në Shqipëri. Dhe mendoj se kjo do të ndodhë, por siç e përmenda më herët, tani ka dy gjëra që duhet të ndodhin. Së pari, janë paraqitur një numër ankimesh në SPAK, tek prokurorët dhe ligjzbatuesit. Ata duhet t’i marrin këto seriozisht dhe t’i hetojnë të gjitha këto raste”, tha Kim.

“Kanë filluar shumë raste dhe unë e ndjek nga shumë afër këtë. Me sa kuptoj, deri tani, janë paraqitur 143 ankime dhe nga këto, 54 janë regjistruar sepse hetuesit vendosin cilat kanë meritë dhe cilat jo; cilat duhen hetuar nga SPAK dhe cilat nga prokuroritë e rretheve, bazuar në kompetencat e tyre. Me sa kuptoj, tani janë 37 çështje duke u hetuar në mënyrë aktive. I presim rezultatet e këtyre. Siç e dini, KQZ po shikon ankimet që janë dorëzuar, pra ka një proces.”, u shpreh ajo.

Të gjitha palët politike të njohin rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit

Kim theksoi se është e rëndësishme për Shqipërinë që të gjitha palët politike të njohin rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Ambasadorja tha se SHBA pret që në muajin shtator Partia Demokratike të kthehet në parlament, duke thënë se vendi ka nevojë për një opozitë të plotë.

“Mendoj se për Shtetet e Bashkuara, pikëpamja jonë është shumë e qartë. Në deklaratën që nxorëm nga Uashingtoni, vërejtëm se është me rëndësi që të gjitha partitë të njohin rezultatet e zgjedhjeve, dhe për sa është e mundur, që partitë tani të mendojnë se si t’i shërbejnë popullit shqiptar, të gjithë popullit shqiptar. Pra, po presim me kënaqësi që të punojmë me të gjitha palët, të shohim se çfarë mund të bëjmë së bashku si Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria, dhe më duhet të them se më e rëndësishmja për ne është që Shqipëria ka qenë tepër gjatë pa një opozitë të plotë në parlament”, tha ajo.

“Tani, disa deputetë qëndruan dhe bënë gjënë e duhur. Dhe pikëpamja jonë është se të gjithë duhet të kishin qëndruar në parlament, por kjo është e kaluara. Tani, teksa presim shtatorin, presim me kënaqësi që Partia Demokratike, e cila është një parti e rëndësishme, e cila ka dhënë kontribute shumë të rëndësishme historike për zhvillimin e Shqipërisë. Nevojitet t’i shohim të kthehen në parlament dhe jemi shumë të kënaqur të shohim deklaratat e tyre ku bëjnë të qartë se kur të vijë shtatori, do të kthehen në parlament”, u shpreh Kim.

E pyetur nëse mendon se PD do të rikthehet në Kuvend, Kim tha se, “mendoj se gjithçka tjetër që mund të jenë duke thënë, po të shohësh deklaratat nga Lulzim Basha dhe kushdo tjetër në PD, bëjnë shumë të qartë që pavarësisht çfarëdo kundërshtimesh që kanë, do të jenë në parlament në shtator. Dhe kjo është vërtet e rëndësishme”.

Listat e kandidatëve këtë vit në përgjithësi, ishin më të mira se vitet e kaluara

E pyetur nëse partitë e pranuan kërkesën e saj të mos kandidonin persona me rekorde kriminale në zgjedhje, Kim tha se, “Mendoj se e pranuan pjesërisht”.

“Mendoj se listat e kandidatëve këtë vit, në përgjithësi, ishin më të mira se vitet e kaluara”, tha ajo, duke shtuar se, “mendoj se disa nga kriminelët më të dukshëm nuk u vendosën në listë ose u hoqën para se listat të bëheshin përfundimtare. Nga ana tjetër, ka persona të tjerë që përbëjnë shqetësim, që u futën në lista, për arsye të ndryshme që për mua mbeten mister. Por di që udhëheqësit e partive kanë një përgjegjësi për të qenë të vërtetë dhe seriozë lidhur me largimin e kriminelëve dhe moslejimin e kriminelëve që të përfaqësojnë partitë e tyre dhe që të ulen në parlament. Ndaj, mendoj se është me shumë rëndësi dhe diçka shumë e mirë që një person i përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion domethënës nuk është më në parlament. Kjo është gjëja e duhur dhe ky është drejtimi i duhur”, tha Kim.

Ftesa e Ramës për PD/ Është diçka që duhet ta diskutojnë vetë partitë mes tyre dhe të vendosin

Në lidhje me ftesën e kryeministrit Rama për bashkëpunim me PD, Kim tha se, “mendoj se është diçka që duhet ta diskutojnë vetë partitë mes tyre dhe të vendosin”.

E pyetur se cilat janë pritshmëritë nga parlamenti tjetër, Kim tha se, “është i balancuar dhe është i plotë dhe kjo është vërtet me rëndësi. Shiko, Shqipëria ka shumë gjëra të rëndësishme në horizont. Ka zhvillime, ka hapa që duhen ndërmarrë. Partia Socialiste si dhe Partia Demokratike kanë qenë të rëndësishme. Kanë luajtur një rol kyç në disa nga çastet më historike për Shqipërinë”

“Kur shoh për shembull Partinë Demokratike, arsyeja pse e festoj kthimin e tyre është që ata përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të elektoratit. Por më shumë se kjo, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Dhe, Akoma më e rëndësishme, përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të së ardhmes së Shqipërisë. Pra, ashtu si PD ishte në krye të tranzicionit të Shqipërisë nga diktatura në demokraci; siç ishin në krye të anëtarësimit në NATO, tani janë gati për të luajtur një rol të rëndësishëm për ta çuar Shqipërinë plotësisht në familjen europiane, pra ky është lajm i mirë”, u shpreh Kim.

Debatet me Metën/ Kur flas, flas në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe e bëjmë këtë seriozisht

E pyetur për debatin me Presidentin e Republikës, Kim tha se, “e di që njerëzit duan të shohin pak drama dhe emocione, por ajo që do përsëris është se kur flas, flas në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe e bëjmë këtë seriozisht, kur arrijmë një qëndrim dhe detyra ime është të siguroj që qëndrimi ynë është sa më i qartë që mundet. Përpiqemi ta bëjmë këtë shumë të qartë, së pari për Qeverinë Shqiptare dhe e bëjmë këtë nëpërmjet diskutimeve me zyrtarë të lartë, përfshi Kryeministrin, Presidentin, Ministrat dhe përpiqemi ta bëjmë pozicionin e SHBA sa më të qartë që mundet për popullin shqiptar. Këtë do të vazhdoj të bëj”.

E pyetur nëse tweet-i që komentonte deklaratën e Presidentit të Republikës, dy ditë përpara zgjedhjeve, ishte zyrtar, Kim tha se, “Absolutisht”. E pyetur nëse ishte diskutuar me Uashingtonin, Kim tha, “Absolutisht”. E pyetur nëse ishte një deklaratë personale, Kim tha se, “sigurisht që jo”.

Akuzave të Presidentit se është e përfshirë në punët e brendshme të Shqipërisë, Ambasadorja Kim iu përgjigj se, “mendoj se ka të drejtën të ketë mendimet e tij, por edhe një herë, unë mund vetëm të bëj punën time, e cila është të shpreh pikëpamjet dhe të sqaroj pozicionin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

Kim nuk ka pranuar të komentojë ngritjen e komisionit hetimor për Presidentin e Republikës, për largimin e tij nga detyra

“Kjo është një çështje e brendshme dhe nuk kam ndërmend të komentoj çështje të brendshme”, tha ajo.

E pyetur nëse ka diçka konkrete midis Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit apo janë vetëm probleme të ditës Kim tha se, “mendoj që Shtetet e Bashkuara kanë pasur gjithmonë një marrëdhënie të frytshme dhe të fortë me udhëheqësit e këtij vendi. Do të ketë raste kur mund të kemi mosmarrëveshje, por ajo që mbetet nga fillimi në fund është që Shtetet e Bashkuara kanë interes të fortë për të pasur një marrëdhënie të mirë me Shqipërinë dhe unë do të bëj më të mirën që mundem për t’u siguruar që të vazhdojë kështu.

Reforma në drejtësi/ SPAK ka bërë shumë përparim

E pyetur në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi, Kim tha se, “mendoj që SPAK ka bërë shumë përparim. Ka qenë në funksion pak më shumë se një vit. Dhe mendoj që kreu i SPAK Arben Kraja ka dhënë disa intervista lidhur me veprimet e ndërmarra nga SPAK. Kanë nxjerrë raportin vjetor për vitin 2020, ku flisnin për 746 individë që ishin nën hetim dhe se çfarë ka ndodhur, asetet e konfiskuara. Siç e dini, unë mbaj shënime shumë të kujdesshme edhe për këtë sepse Shtetet e Bashkuara kanë investuar në mënyrë të jashtëzakonshme në suksesin e SPAK.

“Në vitin 2020 pati 746 persona që u hetuan. Dhe ato raste po shqyrtohen tani. Për tremujorin e këtij viti, 2021, informacioni më i fundit që kam është që 264 persona janë duke u hetuar. Nuk mund të ndjekësh çdo çështje, por ajo që është e rëndësishme është që nga ato çështje që SPAK ka çuar në gjyq, kanë pasur sukses në 90% të rasteve që kanë ndjekur. Është mbresëlënëse. Tani, e përsëris, reforma në drejtësi nuk ka për të qenë e lehtë, e shpejtë, apo e përsosur. Dhe nëse prisni atë, po përgatitesh për dështim. Por ajo që do të them është që po ndodh përparim i vërtetë dhe përparimi, teksa ecim përpara, nuk do të jetë një vijë e drejtë. Nuk shkon nga prej këtu deri atje. Ajo që ndodh është që do ecësh përpara, do bësh pas, dhe ajo që do që të ndodhë është që prirja e gjerë të jetë ecja përpara dhe mendoj që është ajo që po shihni”, tha ajo.

Ka pasur çështje të mëdha që janë shpallur dhe ju nuk flisni për to. Nuk do t’i përmend me emër sepse nuk dua të ndërhyj në çështje në vazhdim… Po. Për shembull, verën e shkuar, u shpall një çështje e madhe, e cila përfshinte trafikun e drogës që ka një lidhje me median dhe biznesin. Ju nuk flisni për të dhe pastaj të gjithë pretendoni që nuk po ndodh asgjë. Ka prokurorë, ka mjekë, ka të tjerë që po hetohen. Tani, nëse më thua që askush nuk do ta besojë deri sa politikani më i madh apo, kushdo tjetër, të jetë në burg, mendoj që po injoroni faktet dhe vazhdoni propagandën.Thjesht nuk është e vërtetë që nuk ka përparim. Në fakt, ka pasur përparim të jashtëzakonshëm. Pra, nuk mund të më thuash nga njëra anë që i pranon shifrat e mia, por nga ana tjetër nuk pranon të vërtetën për atë që po ju them”, tha Kim.

E pyetur se çfarë mendon për rastet e mëdha që SPAK do të ketë në të ardhmen Kim tha se, “Shikoni, qoftë reforma në drejtësi dhe veprimtaria e SPAK dhe të tjerë, qoftë krimet zgjedhore, qoftë sjellja në përgjithësi, askush nuk është mbi ligjin. Koha e pandëshkueshmërisë po i afrohet fundit.

Për krijimin e BKH, Kim tha se, “në fakt po bëjnë shumë përparim aty. Janë 30 e ca hetues që pothuajse kanë përfunduar trajnimin tani. Ka pasur një raund të dytë thirrjesh për më shumë hetues. Kjo do të marrë disa muaj më shumë. FBI jonë është përfshire në trajnim. Pra, është një proces emocionues”.

Stërvitja Defender Europe 21/ Shqipëria, aleate absolutisht besnike dhe e aftë

Për stërvitjen Defender Europe 21 për të cilën tha se nuk është rastësi që është përzgjedhur Shqipëria, Kim tha se, “Siç e dini, kemi tri prioritete këtu: demokracia, mbrojtja, biznesi dhe duam të bëjmë përparim në të trija këto sepse janë të ndërlidhura. Nuk është vetëm reforma në drejtësi për hir të reformës në drejtësi. Nuk është thjesht biznesi për hir të biznesit. Nuk janë thjesht ushtarë. Më lejoni t’ju jap disa shifra për Defender 21. Janë deri në 6,000 ushtarë amerikanë që do të jenë në Shqipëri, jo të gjithë njëherësh, por gjatë shtrirjes së stërvitjes”.

Zyrtarisht u hap më 1 maj dhe më 4 maj erdhën tri gjeneralë me katër yje, gjeneralë amerikanë… Është historike, apo jo? Kështu, stërvitja do të vazhdojë deri në fund të qershorit. Dhe është pjesë e një stërvitjeje më të gjerë që përfshin 28,000 trupa shumëkombëshe që vijnë nga 26 vende dhe po zhvillojnë aktivitete thuajse në të njëjtën kohë në 16 vende. Shqipëria ndodh të jetë një prej mikpritëseve më të mëdha. Shqipëria po mirëpret shumicën e aktiviteteve nga ato 16 vende dhe them që nuk është rastësi. Tregon që ne jemi seriozë për rëndësinë e Shqipërisë si aleate në NATO dhe mendoj që tregon edhe se Shqipëria është serioze lidhur me rolin e saj si aleate e NATO-s. Ajo që do të ndodhë përmes këtyre stërvitjeve është që do të kemi këta mijëra trupa që kryejnë të gjitha këto ushtrime në tokë, det dhe ajër. Në tokë, do të thotë stërvitje për të çuar trupa sa më shpejt që mundet nga një pikë në një tjetër; në det, do të thotë që stërvitemi t’i çojmë këto pajisje nga një pikë fundore tek tjetra, t’i transportojmë këtu dhe t’i kalojmë në tokë. Tani, tingëllon e thjeshtë, por kur flet për mijëra automjete dhe kur flet për karburant, është jashtë mase i vështirë si operacion logjistik. Në ajër nënkupton mbrojtjen ajrore dhe mbrojtjen raketore. Pra, do të testojmë aftësinë tonë për të punuar së bashku si aleatë, për të mbrojtur hapësirën ajrore të miqve dhe aleatëve tanë në Europë”, tha Kim.

“Shqipëria është një aleate absolutisht besnike dhe e aftë dhe ajo që duam është të ndërtojmë mbi këtë. E para që duhet të bëjmë është, si çdo aleat tjetër, Shqipëria duhet t’i kushtojë 2% të PBB të saj mbrojtjes deri në vitin 2024. Kjo është një marrëveshje që e bënë të gjithë aleatët në vitin 2014 në Uells. Shqipëria është në rrugë të mbarë për këtë. E dyta është që do të rrisim stërvitjet dhe trajnimet tona dypalëshe dhe shumëpalëshe me forcat shqiptare në mënyrë që të rrisni aftësitë. Mendoj se e gjitha është në një trajektore pozitive”, tha Kim.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button