Opinion

Opozita është si “Luledielli i Berishës”

Mero Baze

Drama e opozitës nuk është se është e copëtuar. Një opozitë e copëzuar, nëse ka identitetin e vet çdo pjesë, mund të mbledhë vota më shumë se një opozitë unike brenda një partie dhe lideri dhe mund të bëjë votat për të ardhur në pushtet. Madje problemi që ka kjo opozitë, është se nuk është e copëtuar në një opozitë me parti të vogla me identitet të tyre, që luftojnë për një fokus të ngushtë gjërash.

Kosova e ka opozitën e copëzuar por kjo nuk e pengon ndryshimin e pushtetit.

Drama që ka opozita jonë është se nuk është e copëtuar, por është në stres se kush është më shumë me Sali Berishën e kush është më pak. Ajo është një opozitë me kokë nga Sali Berisha dhe copëtohet, bashkohet, afrohet, largohet, ngrihet, shkrihet, qesh apo qan, në varësi të tij.

Ashtu siç e thotë një mik im në PD, opozita është kthyer si “Luledielli I Berishës”, që kthen kokën andej nga është ai.

Ky është problem që ata kanë, ky është problem që i ka ndarë, ky është problemi që nuk i lë të bashkohen dhe mbi të gjitha, ky është problem që nuk i lë të fitojnë.

Gjithë muhabetet e tjera janë sofizma për të justifikuar pafuqinë, inferioritetin dhe mungesën e ideve.

Opozita jonë akoma nuk është ndarë. Nuk është ndarë as brenda vetes, as nga Sali Berisha.

I vetmi grupim që deri tani duket qartë që është ndarë parimisht nga Sali Berisha, është Lulzim Basha me grupin e tij. Të tjerët afrohen, largohen, rigrupohen, gëzohen dhe hidhërohen, duke pasur në mendje Sali Berishën.

Dhe për të justifikuar këto përdorin pastaj sofizma të tipit të Gaz Bardhit, që “mes Sali Berishës dhe Edi Ramës zgjedh Sali Berishën.”

Po pse duhet të zgjedhë një lider politik i opozitës mes Berishës dhe Ramës, dhe kush e ka vënë në atë sprovë? Askush, përveç nevojës që ai ka për të thënë një budallallëk që të justifikojë një budallallëk më të madh që ka bërë.

Edi Rama e mund vet Sali Berishën, pa nevojën e Gaz Bardhit. E mund dhe bashkë me Gaz Bardhin, pa asnjë problem, pa e vënë në siklet se kë të zgjedhë.

Problemi është pse një lider politik vërtitet rreth Sali Berishës dhe nuk bën historinë e vet. Se Gaz Bardhin nuk e ka ftuar njeri tek Partia Socialiste dhe paska qenë mes dy dilemave. Ai ka pasur vetëm një dilemë përpara, të bëhej kryetar tek PD kundër Berishës, apo të shkonte ushtar tek Berisha kundër Bashës, meqë nuk u bë dot kryetar. Zgjodhi këtë të dytën dhe askush nuk mund ta qortojë pse zgjodhi këtë.

Problemi është që nuk mund ta shesë shkuarjen si ushtar tek Berisha, si një arratisje nga rreziku që mund të bëhej ushtar i Edi Ramës.

Nëse ka një gjë që të bën ushtar i Edi Ramës në opozitë, është të shkosh tek Berisha, se Edi Ramës ai i duhet gjallë dhe në këmbë si kullë e lartë. Se atë ka “imunitet”. Të tjerët, qoftë dhe të vegjël, i prishin shumë herë punë me tepër se ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button