Zhgënjen PD, 2300 delegatë bojkotojnë Kuvendin
Aktiviteti
Topalli bojkoton sërish Bashën, nuk merr pjesë në votimet për Këshillin Kombëtar
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nuk arrin të mbledhë dot të zgjedhurit e rinj në degët e PD-së në të gjithë vendin, duke zhgënjyer dhe pritshmërinë për një sukses të Kuvendit Kombëtar të PD-së, i cili u mblodh këtë fundjavë pas pesë vitesh. Për dy ditë me radhë ishte parashikuar që 7500 delegatët nga i gjithë vendi duhej të vinin në Tiranë, te Pallati i Kongreseve, për të votuar 150 anëtarët e rinj të Këshillit të ri Kombëtar të kësaj partie, por vetëm 70 për qind e tyre apo rreth 5200 delegatë, vendosën që t’i përgjigjeshin pozitivisht thirrjes së kryetarit të tyre. Ndërkohë që 2300 delegatë të tjerë nuk morën pjesë në këtë Kuvend, duke krijuar shumë pikëpyetje mbi reputacionin e vetë kryetarit Basha tek anëtarësia e partisë që ai drejton. Ajo që ra në sy gjatë këtyre dy ditëve, ishte mospjesëmarrja në votime e ish-nënkryetares Jozefina Topalli, e cila vijon të ketë një marrëdhënie të tensionuar me Bashën. Ndërkohë, votimi u bojkotua edhe nga ish-anëtari tjetër i Kryesisë aktuale, Ilir Rusmaili, i cili zgjodhi të mos merrte pjesë fare në këtë aktivitet. Por, pavarësisht emrave, rëndësi ka fakti që ashtu si në zgjedhjet e vitit të kaluar për kryetar të PD-së, edhe zgjedhjet për Këshillin Kombëtar të kësaj partie shënuan një pjesëmarrje të ulët të anëtarëve të kësaj partie. Ndërkohë, sa u përket zgjedhjeve, ato u mbyllën rreth orës 18:15 të pasdites së djeshme, ndërsa hapja e kutive dhe nisja e procesit të numërimit nisi rreth orës 20:00 të mbrëmjes dhe ka vijuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës. Në dallim nga dita e parë e punimeve të Kuvendit Kombëtar, ku u miratuan ndryshimet statutore dhe ku 53 për qind e delegatëve votuan për anëtarët e Këshillit Kombëtar, ku nga një listë prej 285 kandidatësh do të përzgjidhen 150 anëtarët e këtij forumi, në ditën e dytë, votoi pjesa e mbetur e delegatëve apo rreth 17 për qind e tyre. Gjatë dy ditëve të Kuvendit, kandidatët për Këshillin Kombëtar u angazhuan në lobim për sigurimin e votave të nevojshme nga delegatët, për të siguruar një vend në këtë forum. Këshilli Kombëtar do të zgjedhë strukturat e tjera drejtuese, çka do të thotë se konfigurimi i anëtarëve të këtij forumi, do të përcaktojë edhe nëse mund të ketë ose jo surpriza në lidhje me ata që mund të garojnë për postet qendrore, si nënkryetarët apo sekretarin e përgjithshëm. Burime nga Partia Demokratike bëjnë të ditur se konstituimi i Këshillit të ri Kombëtar do të bëhet pas dy javësh, çka do të thotë se në këtë periudhë do të përcaktohen edhe drejtuesit e tjerë të partisë më të madhe opozitare.