Kronika

Pas lirisë, Prokuroria kërkon konfiskimin e pasurive të Kajollit

Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurisë rreth 2.1 milionë metra katrorë troje, tokë arë, pyje dhe ndërtim, të regjistruara në emër të familjarëve të Fatmir Kajollit në Fier, ish këshilltarit bashkiak.
Gjithashtu, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon konfiskimin edhe të tre shoqërive tregtare, të regjistruara po në emër të familjarëve të ngushtë të shtetasit Fatmir Kajolli.
Ai akuzohet se i ka siguruar këto pasuri në bazë të të ardhurave të siguruara nga aktiviteti i tij i paligjshëm në Itali, ku rezulton se është dënuar 2 herë për veprat penale të  pjesëmarrjes në “Shoqatë kriminale, trafikim, prodhim dhe posedim të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope” dhe “Pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe shkelje e ligjit për lëndët narkotike”.
Në bazë të aktit të ekspertimit, vlera e aseteve në pronësi, kryesisht të ish-bashkëshortes së Kajollit, shtetases Majlinda Çuko, arrin në vlerën e rreth 1.1 miliardë lekëve të reja.
Në bazë të hetimit pasuror, rezulton se vetëm një pjesë e vogël e pasurisë së familjarëve Kajolli, është përfituar në bazë të një kontrate shit-blerje. Konkretisht, rezulton se shtetasja Majlinda Çuko ka blerë nga bashkëshorti i saj, Fatmir Kajolli, truallin me sipërfaqe 4500 m2 dhe ndërtesën me sip.1686 m2, në vlerën 900.000 lekë. Kjo vlerë shitjeje është shumë herë më e ulët se sa ka rezultuar nga një vlerësim i saj, i bërë nga vetë familjarët Kajolli, gjatë procesit për marrjen e një kredie. Sipas vlerësimit të realizuar nga ekspertë të zgjedhur prej familjarëve Kajolli, vlera e truallit dhe ndërtesës ishte 450.000 euro.
Po ashtu, Majlinda Çuko rezulton se ka blerë edhe pasurinë pyll, me sip. 580.000 m2, me vlerë 60.000.000 lekë.
Ndërsa, e gjithë pjesa tjetër e pasurisë, e cila llogaritet në rreth 1.5 milionë m2 katrorë pyje e tokë arë, rezulton se është e fituar nga shtetasja Majlinda Çuko (Kajolli) në bazë të akteve të dhurimit.
Prokuroria për Krime të Rënda ka arritur të sigurojë provat e mjaftueshme se kontratat e dhurimit janë të gjithë të kryera në mënyrë fiktive. Këto prona, fillimisht janë përfituar nëpërmjet akteve të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave nga një person, shtetasi Q.D. Ky person, në veprimet e tij me Agjencinë, është përfaqësuar ligjërisht nga ana e shtetasit Fatmir Kajolli. Pasi ka regjistruar pronat në emrin e tij, shtetasi Q.D. ka kryer veprime shit-blerje me disa persona të tjerë për pjesën më të madhe të pasurisë.
Më tej, si shtetasi Q.D., ashtu edhe blerësit e rinj të këtyre pronave, ia kanë dhuruar të gjithë trojet, pyllin dhe tokën arë, shtetases Majlinda Çuko (Kajolli). Të gjithë veprimet nga vendimet e Agjencisë së Kthimit të Pronave dhe deri tek aktet e dhurimit në favor të Majlinda Çuko, janë kryer në një afat të shkurtër, disa-mujor, në vitin 2010.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda ka rezultuar se, edhe për pronat e siguruara në bazë të kontratës së shit-blerjes, familjarët Kajolli nuk kanë pasur të ardhura të ligjshme, të cilat mund të justifikonin blerjen e aseteve. Kompanitë private, të regjistruara në emër të familjarëve Kajolli, kanë siguruar fitime minimale, të cilat nuk plotësojnë vlerën e aseteve të blera.
Në përfundim të hetimit pasuror, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga gjykata konfiskimin e pasurive.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button