Kronika

Fluksi i mundshëm i refugjatëve, Shqipëria shton kontrollet policore në pikat kufitare

ccccQarku juglindor në Shqipëri, Korça, është përfshirë nga një valë masash shtrënguese me kontrolle policore pas sinjaleve dhe mundësisë së mbërritjes në vend të refugjatëve sirianë, por edhe klandestinëve nga vendet e tjera në konflikt. Kufiri i gjelbër me shtetin grek, pika e kalimit kufitar të Kapshticës, por edhe zonat strategjike sa i takon kalimeve ilegale në fshatrat kufitarë të rrethit të Devollit janë blinduar nga forca të shumta policie prej ditësh. Alarmi për mundësinë e hyrjes së mijëra refugjatëve sirianë të cilët ndodhen tashmë në vendin fqinjë, Greqi, ka sjellë kontrolle të shumta dhe punë intensive nga autoritetet shqiptare në pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës.

Nga të dhënat zyrtare të policisë së Korçës, mësohet se vetëm në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës në mbështetje të policisë kufitare janë vendosur edhe 18 efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) të cilët monitorojnë në mënyrë të pandërprerë vijën e gjelbër të kufirit. Ndërsa edhe vetë patrullat policore të kësaj pike kufitare të pajisura edhe me kamerat e trupit që përdoren edhe natën, përveç kufirit janë vendosur në disa prej fshatrave në zonën e Devollit si Sul, Vishocicë, Nikolicë, Shuec, etj.

Ndërkohë edhe pse situata në kufi duket i qetë, takimet mes autoriteteve shqiptare doganore dhe atyre greke tashmë janë bërë më të shpeshta sa i takon bashkëpunimit dhe orientimeve lidhur me çdo hap të ndërmerret për këtë çështje. Në pikën kufitare në Kapshticë përveç forcave policore shqiptare gjatë këtyre ditëve janë konstatuar edhe forca të policisë greke, të cilët gjithashtu sjellin edhe shtatas shqiptar që deportohen.

Ndërsa ende nuk ka asnjë refugjat të konstatuar në afërsi të kufirit juglindor të Shqipërisë, autoritetet vendore më herët kanë përcaktuar vendin ku do të vendosen refugjatët në rast se ata hyjnë në territorin shqiptar. Bëhet fjalë për një ndërtesë e cila ka shërbyer si repart ushtarak në afërsi të Kapshticës, ndërsa ende ajo nuk është përshtatur plotësisht për pritjen e refugjatëve.

Në ndërtesën ku lagështira duket qartë, nuk ka shtretër apo dyshekë, nuk ka energji elektrike, as ujë të pijshëm dhe as pajisje jetike. Sipas prefektit të Korçës, Ardit Konomi ende nuk ka sinjalizime të qarta për mundësinë e mbërritjes së këtyre refugjatëve dhe pushteti vendor nuk ka marrë asnjë lloj orientimi konkret lidhur me mbërritjen e tyre. Pavarësisht kësaj situate dhe dyshimeve për mbërritjen e refugjatëve dhe klandestinëve nga vendet e tjera, në qarkun e Korçës presioni i masave të kontrollit është evident dhe autoritetet ditë pas dite mbeten në gatishmëri të plotë. Gjithashtu prani të shtuar të forcave të policisë dhe forcim të kontrolleve policore ka edhe në pikën tjetër kufitare që lidh Shqipërinë me Greqinë, konkretisht në Kakavijë.
Ndërkohë Tirana zyrtare është përfshirë në deklarata të herëpashershme në lidhje me krizën e refugjatëve. Pak ditë më parë kryeministri i Shqipërisë u shpreh se vendi nuk ka pse të bëjë një zgjedhje të ndryshme nga zgjedhja që bën vendet e Korridorit, duke pohuar se nuk do të hapet kufiri, sepse sipas tij Shqipëria nuk ka as kushtet, as fuqinë, ndërkohë që të tjerët mbyllin kufijtë. Por pas këtij qëndrimi ka ardhur edhe një qëndrim i kreut të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta. Lidhur me krizën e refugjatëve Meta ka pohuar se Shqipëria do të japë kontributin sipas mundësive që ka. “Jam i bindur që do të japim kontributin tonë sipas mundësive dhe kapaciteteve që ne kemi”- u shpreh Meta disa ditë më parë në një prononcim për mediat.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button