Home / Ekonomia / Bien ndjeshëm fitimet e celularëve

Bien ndjeshëm fitimet e celularëve

Tregu i telefonisë celulare ka ndalur rënien e të ardhurave në 2015-n. Por Vodafone e Telecom Albania, dy nga kompanitë më fitimprurëse në vend, kanë parë një rënie të ndjeshme të fitimeve, në vetëm 4-5 milionë euro nga 90-100 milionë euro që fitonin secili 7-8 vjet më parë. Reduktohet efekti club, teksa ulet ndjeshëm pesha e thirrjeve brenda rrjetit. WhatsApp, Viber dhe Skype “konkurrojnë” operatorët për mesazhet, por edhe për thirrjet telefonike…

Tregu i telefonisë së lëvizshme ka ndalur rënien në 2015-n, pas dy viteve radhazi me tkurrje. Sipas të dhënave të raportuara nga kompanitë tek Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEO) të ardhurat totale të operatorëve celularë ishin rreth 33.2 miliardë lekë në 2015-n (240 mln euro), me një rritje me bazë vjetore prej rreth 3%. Në 2013-2014, tregu kishte rënë mesatarisht me 12% në vit.

Pavarësisht përmirësimit të lehtë, tregu i telefonisë celulare duket larg ditëve të arta të vitit 2008, kur ai qarkullonte deri në 50 miliardë lekë në vit (360 mln euro). Shtimi i konkurrencës, pas hyrjes së Albtelecom Mobile dhe Plus Communication, që çoi në uljen e ndjeshme të tarifave dhe maturimi i tregut janë dy arsyet kryesore të kësaj tendence.

Si ndahet tregu

Sipas të dhënave të AKEP, në raportin vjetor 2015, Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom Mobile patën rritje të vogla respektivisht me 1 dhe 2% të të ardhurave, ndërsa bie në sy rritja e të ardhurave të Plus me 20%, apo rreth 361 milionë lekë.

Të ardhurat e Vodafone, operatorit më të madh, në treg ishin 15.58 miliardë lekë (112 mln euro), sipas të dhënave të raportuara tek AKEP, me një rritje prej 1.8% me bazë vjetore. Përmirësimi i aktivitetit vjen pas një rënieje të fortë dy vite radhazi prej përkatësisht 22% dhe 17% në 2013-n dhe 2014-n. Kjo bëri që pjesa e tregut, sipas të ardhurave, të operatorit më të madh, të zbriste nga 56% në vitin 2012 në 47.4% në 2014-n dhe 47% në 2015-n.

Monitor 739

Rritja e lartë e peshës së tregut në 2012-n, kryesisht si rrjedhojë e efektit club (kompania ofroi tarifa shumë të ulëta brenda rrjetit dhe të larta jashtë rrjetit) bëri që Autoriteti i Konkurrencës të niste hetimin për abuzimin me pozitën dominuese dhe të dilte me disa rekomandime për rregullimin e tregut. Pasi u shty disa herë, në mes të vitit 2015 hynë në fuqi tarifat e reja të vendosura nga AKEP, për barazimin e tarifave brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit. Sipas të dhënave të AKEP, në vitin 2015, thirrjet brenda rrjetit u reduktuan me 16% ndërsa thirrjet drejt rrjeteve të tjera celulare (off-net) u rritën me 2.4 herë në krahasim me vitin 2014.

Në 2015-n, fitimet bruto të Vodafone zbritën në  vetëm 587 milionë lekë (4.2 mln euro), nga 1.8 miliardë lekë në 2014-n dhe 3.5 miliardë lekë (25 mln euro) në 2013-n, sipas bilancit të saj.

tab vodafone

Të ardhurat e Telekom Albania (ish-AMC) arritën në 11.4 miliardë lekë në 2015-n (81 mln euro), me një rritje të lehtë prej 1.3% me bazë vjetore. Që prej vitit 2009, Telecom Albania ka parë një rënie të vazhdueshme të të ardhurave, ndërsa pjesa e tregut ka zbritur në 34.2%, nga 48% në 2008-n.

Fitimi bruto i Telekom Albania, sipas bilancit zyrtar, ishte vetëm 780 milionë lekë (5.6 mln euro), nga 2.9 miliardë lekë (20.7 mln euro) në vitin 2014. Rritja e shpenzimeve me 24% (kryesisht nga shtimi i kostove të shërbimeve të realizuara dhe humbjeve nga kursi i këmbimit), ndërkohë që zgjerimi i të ardhurave ishte minimal, çoi në këtë përkeqësim të ndjeshëm të rezultatit financiar. Mësohet se humbjet nga kursi i këmbimit kanë ardhur pasi Telekom Albania ka mbyllur një kredi ndaj Cosmote dhe OTE (Cosmote Mobile Telecommunications është aksioner i kompanisë me pothuajse 100% të aksioneve) dhe e ka konvertuar në obligacione, gjë që ka sjellë humbjen (në letër) nga kursi i këmbimit. Në mes të vitit të kaluar, Telekom Albania (ish-AMC) ndryshoi identitetin, pas bashkimit me rrjetin gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom, që u shoqërua me shpenzime të larta marketingu, një tjetër faktor që ka rritur kostot e kompanisë.

Monitor 739

Të ardhurat e Albtelecom Mobile ishin 4 miliardë lekë (29 mln euro) në 2015-n, me një rritje prej 2.2% në raport me vitin e kaluar. Filiali i telefonisë së lëvizshme së Albtelecom nuk ka rezultuar asnjëherë me fitim, që kur ka nisur aktivitetin në 2008-n.

Plus Communication, pa një rritje të ndjeshme të të ardhurave, me 20%, për të arritur në 2.2 miliardë lekë (16 mln euro). Për herë të parë, operatori i vetëm me kapital tërësisht shqiptar rezultoi me fitim, ndonëse minimal, prej 84 milionë lekësh.

Në raportin vjetor 2015, AKEP pohon se me Vendimet nr. 2542-2546, datë 13.03.2015 shqyrtoi ankimet administrative të operatorëve celularë për Vendimet nr. 2522-2526, datë 6.11.2014, dhe kreu disa shtesa dhe ndryshime në këto vendime në lidhje me afatin e fillimit të zbatimit të detyrimit të mosdiskriminimit në tarifat on-net/off-net (1.07.2015 dhe 1.01.2016) dhe përcaktimin e një reduktimi të përshkallëzuar të tarifës së terminimit në rrjetin Plus Communication, për eliminim të asimetrisë më 1.01.2016. Kjo masë e marrë nga AKEP (jo sipas analizës së tregut të kryer prej vetë AKEP në 2014) ka çuar në fenomenin e paprecedentë në botë, ku operatori më i vogël i tregut rezulton Net Payer (pagues neto) kundrejt operatorëve të tjerë të konsoliduar prej vitesh dhe me fitime të jashtëzakonshme.

Monitor 739

Në fund të vitit 2015, Vodafone kryesonte në treg me 47% të tij, e ndjekur nga Telekom Albania me 34.3%. Të dy operatorët më të mëdhenj lëshuan lehtë terren. Albtelecom Mobile arriti të mbajë të njëjtën pjesë tregu prej 12.2%, ndërsa Plus Communication ka shënuar rritjen më të madhe të peshës në telefoninë e lëvizshme me 1 pikë përqindjeje, për të arritur në 6.6%.

Monitor 739

Normat e fitimit zbresin për herë të parë në nivel njëshifror

Ndërsa Telekom Albania ka qenë historikisht më fitimprurësja jo në tregun e telefonisë së lëvizshme, por edhe në Shqipëri, me norma fitimi që arrinin deri në 60-70%, në vitin 2015 ajo ka parë rënie të ndjeshme të tyre. Norma e fitimit të operatorit të dytë celular më të madh ishte vetëm 7% në vitin 2015, si rrjedhojë e rënies së ndjeshme të fitimeve, ndonëse të ardhurat janë rritur lehtë.

Të njëjtën tendencë ka shënuar operatori më i madh në tregun e telefonisë celulare, Vodafone – edhe ai dikur me norma fitimi mbi 40%- që në 2015-n është detyruar të “kënaqet” me një marzh prej më pak se 10%.

Rritja e shpenzimeve me ritme shumë më të larta se e të ardhurave (që u zgjeruan vetëm me rreth 2%) është arsyeja kryesore që ka çuar në përkeqësimin e treguesve të përfitueshmërisë për dy operatorët kryesorë të telefonisë celulare në vend.

graf cel

fitimet sakte

Përmirësohet konkurrenca, ulen thirrjet brenda rrjetit

Nga viti 2012, strategjia e kompanive për të fituar sa më shumë terren, duke ofruar tarifa shumë të ulëta brenda rrjetit, në krahasim me ato jashtë rrjetit, shkaktoi një betejë të vërtetë mes operatorëve të mëdhenj dhe të vegjël. Në vitin 2013, vetëm 2.9% e trafikut të Vodafone ishte jashtë rrjetit, një përqindje shumë e ulët kjo, që nuk konstatohet në ndonjë vend tjetër të botës. Si rrjedhojë e sjelljes së dy operatorëve të mëdhenj, trafiku total dalës brenda rrjetit (thirrjet që klientët bëjnë brenda të njëjtit operator) për të gjithë tregun e telefonisë celulare në vend përbënin 91.8% (mesatarja e tregut ulej nga Plus e Eagle, ndërsa përqindjet e Vodafone dhe AMC ishin përkatësisht 97.1% dhe 95.2%) të të gjithë trafikut dalës (thirrjet brenda të njëjtit operator dhe atyre të tjerë) për vitin 2013. Operatorët e vegjël u ankuan vazhdimisht tek Autoriteti i Konkurrencës dhe AKEP dhe ndonëse me vonesë, ndërhyrja erdhi.

Më 1 korrik 2015, hyri në fuqi detyrimi i operatorëve celularë për mosdiskriminim në tarifat e thirrjeve brenda rrjetit dhe drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare. Zbatimi i këtyre detyrimeve çoi në ndryshime të ndjeshme të planeve tarifore dhe strukturës së thirrjeve të përdoruesve celularë, thekson AKEP.

Si rrjedhojë, 2015-a ka sjellë një rënie të dominimit të thirrjeve brenda rrjetit. Sipas AKEP, në vitin 2015, thirrjet brenda rrjetit u reduktuan me 16%, ndërsa thirrjet drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare (off-net) u rritën me 2.4 herë në krahasim me vitin 2014. Pesha e thirrjeve brenda rrjetit ndaj totalit të thirrjeve dalëse nga 84% në vitin 2014 u ul në 69% në vitin 2015.

Sasia e thirrjeve drejt rrjeteve të tjera celulare kombëtare pati rritjen më të madhe në 2015 dhe pesha e tyre në totalin e thirrjeve dalëse celulare në 2015 arriti në 18%, krahasuar me 8% në 2014. Ndryshimet më të ndjeshme të strukturës së thirrjeve janë vënë re në korrik 2015 e në vijim, që përkon me afatin e fillimit të aplikimit të detyrimit të mosdiskriminimit në rrjetet e katër operatorëve celularë. Në periudhën korrik-dhjetor 2015, trafiku off-net është rritur me 65%, ndërsa trafiku on-net është reduktuar me 21%. Rritja e ndjeshme e sasisë së trafikut off-net dhe reduktimet e tarifave të terminimit kanë çuar dhe në ndryshime të ndjeshme të të ardhurave/pagesave neto midis operatorëve celularë për trafikun e terminuar në rrjetet e tyre, të cilat kanë rritur aftësitë konkurruese të dy operatorëve më të vegjël dhe të rinj në treg, Plus dhe Albtelecom (EM), thekson AKEP në raportin vjetor 2015.

AKEP thekson se këto ndryshime nga të katër operatorët celularë kanë çuar në rritje të përfitimeve të përdoruesve fundorë, pasi sasia e minutave të përfshira në pagesat fikse është e mjaftueshme dhe duke filluar nga pagesa shumë të ulëta fikse. Efektet e këtyre ndryshimeve janë vënë re në sasinë e thirrjeve dhe strukturën e thirrjeve të përdoruesve të katër operatorëve celularë.

Megjithatë, sipas të dhënave, rezulton se Vodafone dhe Telekom Albania vazhdojnë të kenë pjesën absolute të trafikut (të matur në minuta), nga thirrjet brenda rrjetit, përkatësisht 86% dhe 81%, ndërsa Albtelecom mobile dhe Plus e kanë më të ekuilibruara, përkatësisht 52% dhe 55%.

Monitor 739

Info-Telecom mbetet sërish “jashtë”

Info-Telecom, një kompani e krijuar 2009-n, dhe që u rrit me shpejtësi për të arritur një qarkullim vjetor të përafërt me operatorët e mëdhenj celularë, mungon sërish në raportin vjetor të AKEP, ndonëse është një operator i licencuar i komunikimeve elektronike në Shqipëri, duke ofruar shërbime me pakicë e shumicë në telekomunikacione dhe shërbim të dhënash (data service).

Në vitin 2013, kompania shënoi rritje të fortë me një qarkullim vjetor nga 3.6 në 14.4 miliardë lekë. Në 2014-n, qarkullimi i saj u rrit në 15.8 miliardë lekë dhe në 2015-n, sipas të dhënave paraprake ka ruajtur nivele të larta të ardhurash. Ajo ka marrë licencën nga AKEP për të ofruar shërbimet e telefonisë fikse publike, transitit kombëtar, transitit ndërkombëtar, transmetimin e të dhënave, përmes përdorimit të rrjetit të saj publik për shërbime elektronike dhe planit numerik të caktuar nga AKEP. Kompania, sipas burimeve të saj, ka marrëveshje me 150 operatorë të huaj dhe realizon 80% të të ardhurave nga tranzitimi i thirrjeve nga jashtë brenda vendit.

Megjithëse i ka dhënë licencën dhe megjithëse xhiroja e saj vjetore tashmë është shumë më e madhe se edhe e ish-AMC e po arrin edhe vlerat e vetë Vodafonit, AKEP nuk e ka përfshirë këtë kompani në raportin e tij vjetor, ndërsa drejtuesit e AKEP kanë pohuar se nuk janë në dijeni për ndikimin që mund të kenë faturimet e kësaj kompanie në ecurinë e tregut të telefonisë celulare në vend.

Sipas bilancit të vitit 2014, kompania ka asete prej rreth 1 miliard lekë, që në pjesën më të madhe janë llogari të arkëtueshme. Për krahasim, asetet e Vodafone dhe Telekom Albania ishin përkatësisht 27 miliardë lekë dhe 79 miliardë lekë (nga të cilat rreth 60 miliardë lekë janë investim në obligacione në OTE)). Ndonëse kishte qarkullim të lartë, fitimi ishte 162 milionë lekë në 2014-n, me një normë fitimi prej 1%.

Struktura e bilancit të kompanisë është më e ngjashme me ato të SHA-ve të tregtimit të naftës (asete të ulëta, xhiro e lartë, shpenzime të pakta për personel, normë fitimi të ulët) sesa e një operatori që vepron në fushën e telekomunikacionit.

WhatsApp dhe Viber konkurrojnë SMS-të

Sipas të dhënave nga AKEP, sasia totale e thirrjeve telefonike të gjeneruara nga përdoruesit celularë gjatë vitit 2015 nuk pati ndryshim të ndjeshëm në krahasim me vitin 2014 (rritje me 1.5%), ndërkohë numri i mesazheve SMS të dërguara nga përdoruesit celularë u reduktua me 12%. Kjo tendencë është e kundërt me rritjet e ndjeshme vjetore në 2013 dhe 2014. Rënia e përdorimit të mesazheve SMS dhe rënia e ndjeshme e normës së rritjes së thirrjeve telefonike në rrjetet celulare gjykohet se kanë ardhur për shkak të rritjes së ndjeshme të përdorimit të aksesit në internet në rrjetet celulare dhe efektit të zëvendësimit të mesazheve SMS dhe thirrjeve me mesazhe/thirrje nga aplikacionet OTT (Over The Top) në internetin në aparat celular, si WhatsApp, Viber, Skype etj.

Tregu maturohet, përdoruesit aktivë rriten me vetëm 1%

Të mbaje dy apo tre telefona në xhep apo çantë ka qenë një dukuri e zakontë e viteve të fundit. Nga një për të folur me çdo operator. Por, ngushtimi i kostove të thirrjeve telefonike brenda dhe jashtë rrjetit duket se po e zbeh këtë tendencë, ndërsa tregu e ka arritur tashmë maturimin.

Sipas të dhënave të AKEP, numri i përdoruesve celularë aktivë në fund të vitit 2015 ishte 3.40 milionë, që përbën një rritje të vogël me 1% në krahasim me vitin 2014.

Shumë nga ata që kanë blerë disa numra, as nuk i përdorin më. AKEP pohon se për sa i përket numrit të përdoruesve sipas kartave SIM në fund të 2015 ishin rreth 4.7 milionë përdorues, që përbën një reduktim me 3% në krahasim me vitin 2014. Norma e penetrimit (përdorues për 100 banorë) në fund të 2015-s ishte 120% sipas përdoruesve aktivë dhe 167% sipas kartave SIM.

Gjatë vitit 2015, një përdorues celular aktiv (që ka kryer komunikim në 3 muajt e fundit) ka kryer mesatarisht 183 minuta thirrje dalëse dhe ka dërguar 39 mesazhe SMS në muaj.

Këto vlera përdorimi janë më të vogla, sipas AKEP, nëse si numër përdoruesish celular i referohemi numrit të kartave SIM aktive, 128 minuta dalëse dhe 28 SMS në muaj. Sasia e thirrjeve në minuta të gjeneruara (dalëse) mesatarisht gjatë një muaji në vitin 2015 është rritur me 6% në krahasim me 2014 nga një përdorues aktiv dhe me 7% nga përdorues të kartave SIM. Përdorimi i mesazheve SMS ka pasur reduktim me 7-9% për përdoruesit e kartave SIM dhe përdoruesit aktivë celularë.

Në vitin 2015, rezulton (sipas përllogaritje të “Monitor”, bazuar në totalin e të ardhurave në treg) se çdo shqiptar ka shpenzuar mesatarisht 960 lekë në muaj për të folur me celular, për të shkruar SMS, apo për të përdorur internetin.

AKEP jep në raport të dhëna të detajuara për treguesit e numrit të përdoruesve

‒ Vodafone Albania ka pasur rritje me 1-3 pikë përqindje në pjesën e tregut të numrit total të përdoruesve dhe reduktim me 2 pikë përqindje në përdoruesit me kontratë

‒ Telekom Albania ka humbur 1-6 pikë përqindje në pjesën e tregut të numrit total të përdoruesve dhe rritje me 5 pikë përqindje në përdoruesit me kontratë

‒ Albtelecom (EM) dhe Plus kanë fituar ose kanë humbur 1-2 pikë përqindje pjesë tregu të numrit total të përdoruesve dhe përdoruesit me kontratë

‒ Albtelecom (EM) dhe Plus kanë fituar 1-2 pikë përqindje pjesë tregu në thirrjet dalëse, ndërsa Vodafone dhe Telekom Albania kanë humbur 1-2 pikë përqindje pjesë tregu për këtë tregues

‒ Pjesa e tregut e Vodafone për SMS vazhdon të jetë e lartë me 66% pa ndryshim nga viti 2014. Telekom Albania dhe Plus kanë humbur pjesë tregu me 1 pikë përqindje secila, ndërsa Albtelecom ka fituar 2 pikë përqindje pjesë tregu.

Monitor 739

Vonesa në ndërhyrje, kush i paguan pasojat

Përqindja e thirrjeve brenda rrjetit për operatoret kryesore të telefonisë celulare është ulur nga niveli rekord i 96-97% në 2013-n,në 86-87% në vitin 2015, pas hyrjes në fuqi të vendimit të AKEP për barazimin e tarifave brenda dhe jashtë rrjetit, ndërsa tregu i plotë ka nëe përmirësim nga shifra 93% në 79%, që është më i pranueshëm. Por pavarësisht përmirësimit, pesha e thirrjeve brenda rrjetit vijon të mbetet ndjeshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, ku raporti është 60-65% brenda rrjetit dhe 35-40% jashtë tij. Individët nuk kanë tashmë arsye të mbajnë nga tre-katër telefona për të folur me operatorët e kompanisë së njëjtë, por mund të bëjnë lirisht thirje brenda rrjeteve kombëtare të telefonisë celulare në vend. Nga kjo situatë dolën pa dyshim të fituar operatorët e mëdhenj që iu “gëzuan” pozitave të fituara në vite, kur vepronin në treg si operatorë dominantë, duke lënë jashtë tregut konkurrentët e vegjël.

Teksa zbatimi i vendimit të AKEP për të barazuar thirrjet brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit (pas rekomandimeve të shumta edhe të Autoritetit të Konkurrencës) u shty disa herë here, të dhënat e 2015-s tregojnë se ky regullim ka funksionuar dhe gjërat në treg kanë ndryshuar në drejtimin e duhur, ndonëse akoma nuk janë në një situatë, që do të konsiderohej e krahasueshme me tregjet e BE-së apo të rajonit. Por, ndërsa konstatohet ky zhvillim pozitiv në treg, si pasojë e rregullimit të ri, dëmet e shkaktuara operatorëve më të vegjël nga këto vonesa në ndërhyrje janë të mëdha e gati të pallogaritshme, ndërsa nuk ka ende asnjë përgjegjës se pse këto ndërhyrje u shtynë për vite të tëra.

Monitor 739

Monitor 739

Leave a Reply

Your email address will not be published.