Home / Parlamentare / “Vettingu”, Xhafaj: Të shpejtohet miratimi i p/ligjit; presim pëlqimin e opozitës

“Vettingu”, Xhafaj: Të shpejtohet miratimi i p/ligjit; presim pëlqimin e opozitës

Kryetari i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj kërkoi të mërkurën përshpejtimin e procedurave për miratimin nga Kuvendi të pr/ligjit “për vettingun”, (një nga 7 ligjet mbështetëse për zbatimin e ndryshimeve kushtetuese).

“I kam kërkuar parlamentit që ta përshpejtojë këtë proces. Do te ishte pozitiv miratimi i te shtatë ligjeve, por në pamundësi të kësaj të miratohet ligji i “vetting”-ut”, tha ai.

Pr/ligji e ka mbyllur formalisht procedurën në komision, sqaroi, Xhafaj, por ka ende nevojë të reflektojë disa elementë që lidhen me projektin kushtetues të miratuar nga parlamenti. Ndaj ai do duhet të rikalojë në komisionin e posaçëm, sapo të ketë pëlqimin e të gjitha palëve, edhe të opozitës, që për momentin nuk e ka dhënë këtë pëlqim, u shpreh Xhafaj për mediat.

Në spjegimet e tij, kreu i komisionit tha se pr/ligji “për vettingun” bën të mundur zbatimin e asaj që u miratua konsensualisht, ngritjen e institucioneve të reja dhe fillimin e realizimit të reformës në drejtësi. Ai është një ligj shumë i rëndësishëm pasi është hapi i parë i gjithë procesit, pa të cilin nuk mund të fillojë implementimi i kesaj reforme..

Xhafaj tha se ligji në fjalë ka pasur një proces korrekt shqyrtimi në komision, gjatë muajit korrik, bashkë me  6 pr/ligjet e tjera, të përfshira në kalendarin e punimeve dhe të programuara të shqyrtoheshin më 28 korrik në parlament. Ai sqaroi se edhe anëtarët e opozitës në komision, ndonëse nuk kanë qënë prezentë në diskutimin e tij, janë njohur me draftin që më 4 korrik.

“Të gjithë kanë qënë në dijeni te pr/ligjit, që më datën 4 korrik. Me reflektimin në draft të dispozitave të ndryshuara kushtetuese, projekti është i gatshëm të votohet në seancë plenare”, u shpreh kreu i komisionit.

Ai gjithashtu theksoi se për këtë pr/ligj është i detyrueshem “një lloj pëlqimi paraprak” i partnerëve ndërkombëtarë, pasi siç tha Xhafaj, ata janë subjekte të tij.
“Është normale që ky të jetë një proces i dyanshëm, mes nesh dhe ndërkombëtarëve, pasi për çdo normë të pr/ligjit është trajtuar dhe është marrë pëlqimi paraprak nga Drejtoria e Çështjeve të Drejtësisë pranë Komisionit  Europian, ku janë marrë eksperiencat më të mira, dhe KE ka marrë përsipër ta asistojë këtë proces”, u shpreh Xhafaj.
Pr/ligji i “rivlerësimit te gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur ndryshe si procesi i “vettingut”, parashikon të vlerësojë përgatitjen e tyre profesionale, integritetin moral dhe të zbulojë shkallën e pavarësisë në punën e tyre, nga ndikimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe pushtetit politik.
Procesi i rivlerësimit do të përfshijë kontrollin tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve në 3 komponentë: pasuritë e gjyqtarëve, të prokurorëve dhe subjekteve të tjera; zbulimin ose identifikimin e lidhjeve të tyre me krimin e organizuar, vlerësimin e punës së kryer, si dhe aftësitë e tyre profesionale.

Leave a Reply

%d bloggers like this: