Home / roze / Çelësi i Qytetit për këngëtaren Dua Lipa

Çelësi i Qytetit për këngëtaren Dua Lipa

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka dorëzuar sot Çelësin e Qytetit këngëtares së njohur me origjinë shqiptare, Dua Lipa.

Në një pritje të organizuar në Bashkinë e Tiranës, Veliaj i ka shprehur mirënjohjen këngëtares me famë ndërkombëtare dhe i ka dorëzuar asaj një prej simboleve që u jepet miqve të qytetit.

Kryebashkiaku Veliaj tha se ndihej shumë i lumtur që i dorëzonte Çelësin një vajze që frymëzon shumë njerëz.

“Tani Prishtina dhe Tirana janë një, kështu që nuk je veç gocë e Prishtinës dhe e Kosovës, je edhe e Shqipërisë dhe e Tiranës. Unë jam shumë i lumtur për ty dhe në emër të gjithë qytetarëve të Tiranës dua që ta ruash Çelësin dhe të kthehesh sërish këtu, teksa shkëlqen e bëhesh më e famshme, duke frymëzuar shumë njerëz”, tha Veliaj.

Nga ana e saj, këngëtarja tha se për të është një privilegj që ndodhet në kryeqytetin shqiptar për të performuar.

“Është një privilegj shumë i madh për mua të vij pas një kohe shumë të gjatë dhe të më prisni në Tiranë. Dua të theksoj se ndjej një përgjegjësi shumë të madhe ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Jam shumë krenare që jam shqiptare dhe ju falenderoj shumë për këtë mundësi që të jem me të gjithë shqiptarët”, u shpreh Dua Lipa.

Leave a Reply

%d bloggers like this: