Ekonomia

Sigurimet që nuk paguhen, borxhet arrijnë në 76 mln euro

Detyrimet e prapambetura në formën e sigurimeve shoqërore të papaguara janë rritur ndjeshëm edhe gjatë vitit 2015. Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë një inspektimi në Institutin e Sigurimeve Shoqërore, këtë vit evidentoi se gjendja e debitorëve në total ka kapur vlerën e 10.5 miliardë lekëve ose 76 milionë euro, nga 10 miliardë lekë që kanë qenë në fund të vitit 2014.

Në fund të vitit 2015, gjendja e debitorëve në total është shtuar rreth 508,8 milion lekë në krahasim me fundin e vitit 2014 dhe vetëm në sektorin privat detyrimet janë rritur në shumën 597.7 milionë lekë nga e cila biznesi i vogël është shtuar për 821.6 milionë lekë, ndërsa biznesi i madh është ulur rreth 223.8 milion lekë.

Në fund të vitit 2015, rezultojnë 45,008 subjekte debitorë, nga 48,874 subjekte debitorë në fund të vitit 2014, ose janë pakësuar 3,866 subjekte. Ndërkohë detyrimet e prapambetura të subjekteve debitorë (kontribute, gjoba, interesa, kamatëvonesa) në fund të vitit 2015 janë rritur me 508,8 milionë lekë.

Nga totali i detyrimeve prej 10,5 miliardë lekë, vetëm detyrimet për kontribute të paderdhura janë 6,3 miliardë lekë, ndërsa gjoba janë 2,6 miliardë lekë dhe interesa janë në vlerën 1,5 miliardë lekëve.

Vetëm në sektorin buxhetor në fund të vitit 2015 paraqiten debitorë për kontribute të paderdhura 1,168 subjekte buxhetore me detyrim total prej 1,2 miliardë lekë (kontribute, gjoba dhe kamatëvonesa).

Nga ky detyrim i përgjithshëm, 869.9 milionë lekë janë kontribute të paderdhura nga 492 subjekte buxhetore. Vlerën me të madhe të këtij detyrimi e kanë: Reparti ushtarak 4303, me detyrim 194,515,723 lekë; Reparti ushtarak 4451, me detyrim 73,879,803 lekë; Reparti ushtarak 4460, me detyrim 68,043,345 lekë; Bashkia e Kukësit, me detyrim 43,248,596 lekë; AKBN me detyrim 40,318,332; ALUIZNI i Qarkut të Tiranës, me detyrim 34,315,647 lekë, etj.

Mosderdhja e kontributeve të punonjësve të subjekteve buxhetore, përveç mungesës së të ardhurave të vitit ushtrimor, ndikon negativisht edhe ne mbulimin individual të periudhave të sigurimit, sepse në rast se, nuk kryhet pagesa e kontributeve nuk paraqiten edhe listëpagesat për kontributet individuale, çka sjell humbje të periudhave të sigurimit të çdo kontribuuesi, lajmëron KLSH-ja.

Duke qëndruar në këtë kontekst, KLSH vëren se në fillim të vitit 2015 me ligjin nr. 66/2015 “Për faljen e gjobave” janë falur vetëm gjobat për pagesat e vonuara, mirëpo efektet e zbatimit të këtij ligji nuk reflektohen në ISSH sepse nga DPT e cila kishte përgjegjësinë e zbatimit të tij nuk ka dërguar të dhëna analitike në lidhje me numrin kontribuuesve dhe pagesën e kontributeve te shlyera.

Rritja e debitorëve si në sektorin privat ashtu edhe në sektorin publik, përveç mungesës së të ardhurave të vitit ushtrimor, ndikon negativisht edhe në mbulimin individual të periudhave të sigurimit, sepse në rast, nuk kryhen pagesat e kontributeve dhe nuk paraqiten listëpagesat për kontributet individuale, çka sjell humbje të periudhave të sigurimit të çdo kontribuuesi.

Kontrolli i Lartë i Shtetit arsyeton se, mosderdhja e kontributeve të punonjësve të subjekteve buxhetore, përveç mungesës së të ardhurave të vitit ushtrimor, ndikon negativisht edhe në mbulimin individual të periudhave të sigurimit, sepse në rast se, nuk kryhet pagesa e kontributeve nuk paraqiten edhe listëpagesat për kontributet individuale, çka sjell humbje të periudhave të sigurimit të çdo kontribuuesi, pra këto periudha nuk njihen si vjetërsi pune për përfitimin e pensionit të pleqërisë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button