Home / Opinion / Ballë për ballë me Perëndimin

Ballë për ballë me Perëndimin

Nga Andrea Stefani

Maska e demokratit është thërrmuar përfundimisht dhe Sali Berisha, “sjellësi i demokracisë” (në të vërtetë i fatkeqësisë) ka dalë me fytyrën e tij të vërtetë antieuropiane për të kundërshtuar ndërkombëtarët për reformën në drejtësi. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Kishte 25 vjet që vazhdonte kjo lojë kukamçefthi. Berisha bënte si demokrat dhe ndërkombëtarët refuzonin, pavarësisht zërave kritikë në Shqipëri si dhe vetë bëmave e gjëmave të Berishës, të shikonin brirët prej autokrati që i kishin mbirë mbi kokë që ditën e parë.

Sepse qe një periudhë kur ndërkombëtarët kishin ca përparësi të tjera, më gjeostrategjike dhe rajonale përballë të cilave, në Shqipëri i nevojitej, momentalisht, më shumë stabiliteti sesa një përparim konfliktual i demokracisë. Një periudhë që e la në stanjacion përparimin e institucioneve të demokracisë liberale edhe pse Berisha, duke luajtur rolin prej sharlatani të kryeliderit mbarëshqiptar në Ballkan, manovroi me dinakëri me nevojën e ndërkombëtarëve për stabilitet në hapësirat shqiptare për të avancuar projektin autokratik të përqëndrimit të të gjithë pushteteve në grushtin e tij, nën maskën e një “demokracie” që po progreson drejt Europës por që në fakt, kish llocur në vend dhe po degradonte. Gjendja e shtetit dhe e sistemit sot, që ka bërë urgjente reformën në drejtësi si themel i lënë pas dore i këtij sistemi, e provon këtë.

Kundërshtimi që i bën Berisha reformës në drejtësi, edhe me mos votimin e “vetingut”, është qartazi rezistenca e një autokrati të korruptuar dhe e klanit të tij, që nuk mund të pajtohet me krijimin në Shqipëri të pushteteve të pavarura nga ai vetë. Aq më shumë të pushtetit të drejtësisë. Është groteske të shikosh sesi ky sharlatan, i ngritur në kult nga injoranca, fanatizmi i të gjitha ngjyrave dhe deri mafia, që nuk ka lënë dy gurë bashkë për rrënimin e drejtësisë ankohet se ndërkombëtarët (SHBA dhe BE) dashkan t’ia japin pushtetin e drejtësisë Edi Ramës dhe se i mbetet atij, Saliut, ta mbrojë reformën në drejtësi nga rreziku euro-amerikan!!

 Është saktësisht një ribotim i përballjes së diktatorit të djeshëm Enver Hoxha me “imperializmin amerikan”. Madje edhe tezat e Hoxhës ka huazuar, kur ankohet se, e dirigjuar nga ndërkombëtarët, reforma cënon sovranitetin e shtetit. Një shembull tjetër i “patriotizmit” si strehë e fundit e horrit politik. Një tjetër nga treguesit e shumtë se berishizmi është një praktikë vulgare neo-enveriste në kushtet e post diktaturës.

Berisha u tolerua nga ndërkombëtarët në një tjetër situatë rajonale. Sot është një tjetër që, për fatin e shqiptarëve, ka harmonizuar interesat rajonale të Perëndimit me ato të avancimit thelbësor të procesit të demokracisë liberale në Shqipëri. Ambiciet e zgjuara hegjemoniste të Rusisë drejt Ballkanit, luhatjet e Serbisë, por edhe ca të tjerëve në rajon, për orientim mes Lindjes apo Perëndimit, e kanë shndërruar Shqipërinë thuajse në skajin më të avancuar dhe më pa ekuivok të NATO-s në rajon. Një pozicion i tillë i avancuar nuk mund të ruhet, përballë edhe rreziqeve të terrorizmit, mafies dhe krimit të organizuar, nëse nuk mbështetet nga institucione të konsoliduara të demokracisë dhe lirisë që nuk tolerojnë kapjen e pushtetit nga politikanë me prirje për të hyrë në pazare korruptive me të tilla forca kriminale apo me regjime autokratike. Perëndimi dhe NATO i janë rikthyer përsëri biznesit të demokracisë në Shqipëri aq të neglizhuar, për fat të keq, kohë më parë.

Këtë nuk ka kuptuar Berisha. Por edhe nëse e ka kuptuar, nuk mund të bëjë ndryshe nga ç’po bën. Ai është skllav jo vetëm i karakterit të tij prej autokrati, por edhe i korrupsionit dhe krimeve që ka mbi kurriz. Ai nuk mund të mos dalë dot kundër një drejtësie që, për nga natyra e vet, nuk mund të mos ndëshkojë krimet dhe pasurimin e tij të paligjshëm. Qoftë edhe duke kundërshtuar Perëndimin!

Çfarë shansesh ka t’ja dalë? S’ka dyshim që në kokën e tij ëndërron për lloj-lloj rrethanash që mund të ishin fatlume për të. Nga më ata apokaliptikë si shthurja e BE, degradimi trumpist i demokracisë në SHBA dhe rikthimi i saj te një politikë izolacioniste pa vëmendje për fatin e demokracisë në botë dhe, aq më pak, në Shqipëri. Dhe padyshim nuk mund të heqë dorë edhe nga vënia në lëvizje e ca figurave politike në BE dhe SHBA, që është provuar tashmë prej vitesh në shumë raste, i ka shndërruar në lobistë të synimeve të tij që mund të kenë të bëjnë me gjithçka por aspak me qëllimin e shpallur në fillim të viteve ‘90 për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa! Edhe “kritikat” për reformën apo vetingun si gjoja antikushtetues, i bën sot që t’i ketë si material për nesër nëse situata ndërron, për ta zhbërë reformën dhe drejtësinë e pavarur nën maskën e rivendosjes së kushtetueshmërisë. Por të gjitha kanë pak shanse për sukses sepse qëndrimi ndaj Shqipërisë, këtë herë, nuk është rrjedhojë lobimesh apo konjukturë e çastit, por përqasje strategjike e Perëndimit. Që të ketë sukses Berisha duhet të ndryshojë strategjinë e Perëndimit në Ballkan. Atëherë ç’i mbetet? Ai arsenali i zakonshëm i destabilizimit të jetës politike me protesta, bojkot të Parlamentit e deri edhe eksplozivët në shtylla tensioni. Një arsenal ky i konsumuar aq shumë në këto 25 vjet, sa as nuk tremb dhe as nuk mobilizon më njeri në mbështetje të atij që e përdor.

Leave a Reply

%d bloggers like this: