Home / Bota / Amerika / Fyen presidentin amerikan, Obama anulon takimin me Duterte

Fyen presidentin amerikan, Obama anulon takimin me Duterte

Presidenti amerikan Barack Obama ka anuluar një takim me presidentin e Filipineve, Rodrigo Duterte, pasi më herët kishte përdorur fjalë fyese ndaj tij.

Deklarata e Duterte erdhi pasi presidenti Obama kishte premtuar se do të ngrinte çështjen e krimeve të lidhura me drogën në Filipine në takimin dypalësh që do të zhvillohej në Laos.

Lideri filipinas njihet për fjalorin e tij, që këtë herë duket se do të ketë një impakt diplomatik, raportojnë korrespondentët e mediave ndërkombëtare. Këtë e ka kuptuar edhe vetë Duterte, i cili tani thotë se është penduar për fjalët.

“Ndërsa fjalët ishin vetëm përgjigje ndaj disa pyetjeve të mediave, na vjen keq që ato u interpretuan si një sulm ndaj presidentit amerikan”, reagoi zyra e tij përmes një deklarate.

Dy presidentët janë mes liderëve të mbledhur në samitin e Grupit të Vendeve të Azisë Jug-lindore që po zhvillohet në Laos.

Obama, që udhëtoi në Laos pas samitit të G20-s në Hangzhou të Kinës, ishte zotuar se do të ngrinte në takimin me homologun çështjen e abuzimit të të drejtave të njeriut në Filipine.

Por, duke folur në Manila një ditë para se të nisej drejt samitit, Duterte tha se, një gjë e tillë do të ishte “e vrazhdë” dhe shau presidentin amerikan. “Bir i … do t’i them në atë forum”, deklaroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published.