Ekonomia

Rriten shpenzimet për skemën e pensioneve, 78 mld lekë nga buxheti

7-mujori/ Nga rritja e të ardhurave dhe ulja e shpenzimeve kapitale përmirësohet bilanci i deficitit buxhetor

pensioniste-ne-radhe-per-pensionetSkema e pensioneve rrit peshën në buxhetin e shtetit. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, për 7-mujorin, shpenzimet për mbulimin e pagesave të pensioneve u rritën me 3.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në fund të korrikut, ato ishin rreth 78 miliardë lekë, duke zënë 33% të totalit të shpenzimeve buxhetore, nga 30.5% që ishte kjo peshë në korrik 2013. Në fund të qershorit, Parlamenti miratoi reformën e re të pensioneve, e cila parashikon që nga 1 janari 2015 të ndryshojë tërësisht formula e përllogaritjes së pensioneve. Qëllimi është që të rritet numri i kontribuuesve dhe të zvogëlohet deficiti i skemës, me qëllim që të ulet subvencioni nga buxheti .

Shpenzimet

Shpenzimet buxhetore për shtatëmujorin shënuan rritje gjatë këtij viti, edhe për shkak të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, një zë i ri, që është futur për herë të parë në buxhetin e këtij viti. Megjithatë, rritja e këtyre dy zërave është neutralizuar disi nga tkurrja e fortë e shpenzimeve kapitale. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, totali i shpenzimeve buxhetore arriti në 236 miliardë lekë për periudhën janar-korrik 2014, me një rritje prej 1.25% me bazë vjetore. Për gjashtëmujorin, shpenzimet kishin shënuar një tkurrje prej 3.7%. Shpenzimet korente, ato për interesa dhe ato për buxhetin vjetor kanë arritur të mbahen nën kontroll, duke u ulur përkatësisht me 1.5%, 1.8% dhe 15.1%.

Shlyerja e borxheve që shteti u ka bizneseve është një proces që është intensifikuar që pas muajit maj, pas rekomandimeve të FMN-së. Deri në fund të korrikut, financat kanë shlyer 25.7 miliardë lekë detyrime të prapambetura, nga të cilat 12.75 miliardë lekë rimbursim TVSH-je, 8.4 miliardë lekë detyrime infrastrukture dhe 4.7 miliardë lekë detyrime të tjera.

Por, shpenzimet kapitale janë ulur në mënyrë drastike me 45.5% me bazë vjetore për shtatëmujorin, duke reflektuar uljen e investimeve në fillim të vitit për shkak se shumica e projekteve ishin në proces përgatitje tenderësh. Investimet kanë ardhur në rritje nga muaji qershor e në vazhdim. Që prej janarit të këtij viti, realizimi i shpenzimeve kapitale kryhet nga Ministria e Ekonomisë. Buxheti ka kursyer 20 miliardë lekë nga mosrealizimi i këtyre shpenzimeve, një shifër e përafërt me atë që iu është kthyer bizneseve. Por, nga ana tjetër, mungesa e investimeve frenon rritjen ekonomike.

Deficiti buxhetor

Për shtatëmujorin e parë 2014, deficiti buxhetor ishte 35% më i ulët në raport me një vit më parë, në 30.7 miliardë lekë. Në krahasim me qershorin e 2014-s, deficiti është përmirësuar sepse janë rritur të ardhurat nga tatimet dhe doganat, si dhe nga taksat e tjera.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button