Ekonomia

Vitin e ardhshëm, nisin aplikimet për kreditë e buta

Të gjitha konviktet në kryeqytet janë liruar nga familjarët që i kishin zaptuar ato, për t’u vënë në dispozicion të nxënësve që vendosin të ndjekin shkollën në Tiranë. Bashkia e Tiranës ka nisur edhe rikonstruksionin total të godinave, një prej të cilave është edhe Konvikti i Shkollës Ekonomike i cili tashmë ofron kushte dinjitoze për të rinjtë.

Për familjarët që kanë liruar këto hapësira, por edhe për qytetarët e tjerë të Tiranës, kryebashkiaku Erion Veliaj bëri me dije se vitin e ardhshëm do të mund të përfitojnë nga programi i kredive të buta.

“Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me skemat e veta të banesave sociale, të bonusit të qirasë, të qendrës së emergjencave për strehim dhe duke filluar nga viti tjetër, edhe të kredive të buta, të cilat pavarësisht se mund të jenë bllokuar në nivel qendror, Bashkia e Tiranës me financat e veta do të çlirojë kredi të buta, që kushdo që ka realisht nevojë për strehim, ta ketë këtë mundësi, por jo në kurrizin e të lënit pa strehë një nxënës të konvikteve”, tha ai.

Programi i Bashkisë së Tiranës për kreditë e buta është bllokuar nga qeveria qendrore që në vitin 2013, dhe që nga ajo kohë kryeqytetasit nuk kanë pasur mundësi të jenë përfitues. Për të përfituar banesë me kosto të ulët, kredi të butë apo bonus strehimit duhet që të mos keni në pronësi një banesë. Nuk duhet të zotëroni një sipërfaqe banimi nën normat e strehimit të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike, ku bëjnë pjesë këto familje.

Aplikimi

Për të aplikuar për programet e strehimit duhet të tërhiqni një formular Njësisë Administrim ku jeni të regjistruar. Ky formular pasi plotësohet, noterizohet dhe dorëzohet tek njësia. Më pas, Njësia Bashkiake përkatëse përcjell këta formularë pranë Drejtorisë së Menaxhimi të Strehimit dhe Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, ku bëhet regjistrimi përfundimtar dhe më pas do të shikohet nëse përfitoni ose jo për programin e strehimit.

Prioritare për bonus strehimi

-Personat me statusin e jetimit.

-Personat me aftësi të kufizuar, të cilët trajtohen në mbështetje të vendimit nr.526, datë 6.8.2014, “Për kategoritë e personave me aftësi të kufizuara që trajtohen me përparësi nga programet sociale të strehimit”.

-Familjet e policëve të rënë në detyrë.

-Familjet e komunitetit rom.

-Emigrantët e rikthyer.

-Punëtori emigrant.

-Punonjësit e Policisë së Shtetit.

 

Kategoritë e tjera

Familjet të cilat vërtetojnë se nuk kanë përfituar nga Ligji nr. 7652 datë 23.12.1992, “ Për privatizimin e banesave shtetërore”

Familjet, ku kryefamiljari është grua e ve ose e divorcuar

Familjet njëprindërore që kanë në ngarkim fëmijë

Të moshuar që kanë mbushur moshën e pensionit dhe që nuk përzgjidhen për t’u strehuar në institucionet publike të përkujdesit shoqëror

Individët me aftësi të kufizuar, të cilët gëzojnë statusin e të verbrit të grupit të parë, të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik, të invalidit të punës dhe të invalidit të Luftës Nacionalçlirimtare

Familjet me shumë fëmijë

Çiftet e reja me moshë totale deri në 55 vjeç

Familjet që kanë ndryshuar vend banim për efekt punësimi

Individët me statusin e jetimit që nga çasti i daljes nga jetimoret, ose nga qendrat e përkujdesit e deri në moshën 30 vjeç.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button