Kronika

Janullatosi ankohet greqisht te myzeqarët

Kryepeshkopi në meshën për Shën Kozmain: Njerëz që janë jashtë kishës duan të na pengojnë

Nga Edmond Hoxhaj

janullatos-kolkondasPërvjetor jubilar i një shenjti të kishës ortodokse greke që vdiq në fshatin Kolkondas të Fierit kaloi pa asnjë problem, përveç tensionit që ndihej në një fjalim të mbajtur në gjuhën e tij amtare nga kryepeshkopi grek i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Si në çdo përvjetor tjetër të shenjtit, që njihet për kontributin e madh në përhapjen helenizimit dhe është konsideruar nga shumë historianë si armik i gjuhës shqipe, besimtarët vendas u mblodhën të nderonin shenjtin e varrosur brenda kishës së fshatit të tyre, por në ndryshim nga e zakonshmja, sivjet në ceremoni erdhën edhe shumë grekë. Përveç anëtarëve të Sinodit të Shenjtë që kanë të njëjtën kombësi me Shën Kozmain, në Kolkondas shkuan dje edhe përfaqësues zyrtarë të Kishës Ortodokse Greke, si dhe disa politikanë nga vendi fqinj.

Kremtimet për 300-vjetorin e lindjes së Shën Kozma Etolianit kishin nisur gjatë natës së të shtunës, ndërsa në mëngjes është zhvilluar mesha e rastit, nën drejtimin e vetë kryepeshkopit Janullatos dhe me pjesëmarrjen e anëtarëve të Sinodit të Shenjtë të KOASH.

Liturgjia hyjnore, që u drejtua nga Sinodi i Shenjtë përmbante një lutje të veçantë në këtë ceremoni. “Lutemi për Presidentin e Republikës, Qeverinë, Ushtrinë, Popullin”, ishte një nga lutjet e lexuar në gjuhën shqipe. Më pas, nga peshkopi i Apolonisë, Nikolla u lexuan në shqip predikime me të dhëna nga jeta e Shën Kozmait.

Vetë kreu i kishës shqiptare zgjodhi të fliste në greqisht në meshën kushtuar shenjtorit që ka hapur shumë diskutime mes shqiptarëve dhe grekëve. Kreu i KOASH, Hirësia e Tij, Anastas Janullatos, u ndal te  problemet që sipas tij po kalon kisha ortodokse në Shqipëri. “Kisha jonë sot po kalon situata të vështira. Këto situata po kalohen të tilla, sepse ka njerëz që duan ta pengojnë kishën në ecurinë e saj. Këta njerëz pengues janë jashtë kishës ortodokse”, tha ai në greqisht, ndërsa përkthehej nga një prift shqiptar që banorët e Kolkondasit që nuk kanë qenë emigrantë në Greqi, të mund ta kuptonin. Kreu i kishës ortodokse nuk e kurseu cinizmin, kur duke sulmuar ata që sulmuan Shën Kozmain këto ditë në media dhe rrjetet sociale, tha se kështu tronditet toleranca fetare “që është një realitet, nga të paktët, që Shqipëria e paraqet me mburrje”. Ai e justifikoi punën e madhe të shenjtit në nxitjen e njerëzve për të mësuar greqishten, si mënyrën e vetme për t’i njohur ata me librat e shenjtë, që në atë kohë nuk gjendeshin në gjuhën shqipe.

Me një ceremoni të fundit në varrin e shenjtit, që u var në litar pak kilometra më tutje, përfundoi gjithçka në kishën e Kolkondasit, ndërsa më pas miqtë e ardhur nga larg ishin të ftuar të kryepeshkopit në një drekë zyrtare.

Nga ana tjetër, asnjë nga organizimet e planifikuara për të protestuar ndaj kësaj ceremonie fetare nuk u realizua. Disa shoqata, që kishin njoftuar një tubim në qendër të Fierit për të dënuar implikimin e kishës greke dhe akuzonin për përdorimin e Shën Kozmait për qëllime të këqija, nuk u panë gjëkundi. Protesta që ishte lajmëruar për në orën 10:00 u shty për në mesditë, por edhe pas dy orësh askush nuk mori mundimin të dilte nëpër vapë në qendër të Fierit. Vetëm një person, që e kishte marrë seriozisht thirrjen për protestë nuk e çoi dëm përgatitjen. Ai shtriu përtokë përpara teatrit “Bylis” një parullë me mbishkrimin “Agimi i Artë” dhe me fotot e Janullatosit dhe Vangjel Dules dhe e gjuajti atë me vezë.

Shën Kozmai u përkujtua kështu edhe këtë vit në Kolkondas, ku besimtarët prej vitesh mblidhen çdo 23 gusht pa vëmendjen e medias, pa ceremonira të fryra dhe pa debate nëse shenjti i varrosur në kishën e fshatit të tyre ka qenë mik apo armik i shqiptarëve. Tre shekuj janë shumë, edhe për bujqit e urtë të Kolkondasit.

Mesha

Grekët

Të paktën dhjetë priftërinj grekë dhe disa politikanë dhe ish-zyrtarë nga Greqia ishin ftuar dje në meshën e mbajtur për shenjtin e helenizmit

Lutja

Në lutjen e drejtuar nga Sinodi i Shenjtë i kishës përmendeshin në mënyrë të veçantë, Presidenti i Republikës, Qeveria dhe ushtria e Shqipërisë

Ankesa

Në fjalën e tij të mbajtur në gjuhën greke, kryepeshkopi Janullatos u ankua se kisha po kalon kohë të vështira, pasi njerëz nga jashtë duan ta pengojnë

 

Kryepeshkopi: Toleranca fetare, ndër të paktat mburrje që keni!

I cituar në një njoftim zyrtar të KOASH, kryepeshkopi Janullatos tha dje në Kolkodas se: “…kur ofendojnë shenjtorët e Kishës, ose kur duan të imponojnë mënyrat se si ortodoksët do t’i nderojnë ata shenjtorë, mund të arrijnë vetëm të tronditin tolerancën dhe bashkëjetesën fetare, që është një realitet, nga të paktët, që Shqipëria e paraqet me mburrje në familjen bashkëkohore europiane”. Kryepeshkopi sqaroi gjithashtu se “Shën Kozmai i nxiste besimtarët të mësojnë greqisht jo si shprehje e nacionalizmit, apo si përpjekje për helenizim, po si një mjet që ata të njiheshin me të vërtetën e Ungjillit dhe misteret e Kishës. Në atë kohë ende nuk kishte asgjë të shkruar apo përkthyer në shqip, ndërsa edhe vetë Ungjilli i Shenjtë u përkthye disa dhjetëvjeçarë më vonë”, tha ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button